MEDITIMI I DITËS – RRINI ZGJUAR SE NUK E DINI ORËN

Written by on November 11, 2017

Mt 25, 1-13 RRINI ZGJUAR SE NUK E DINI ORËN

 

Kërkoj hirin: që të jem gati kur të vijë Zotëria

 

O Zot, Ti je drita e botës e ne jemi drita qe buron prej dritës sate. Ti je Dielli, kurse ne jemi llamba të ndezura në dritën Tënde. Ti e jetove në plotësi dërgimin tënd, kurse neve na fton që me drita të ndezura të dimë ta presim ardhjen Tënde. Na dhurove dritën që në vazhdimësi të jetë e ndezur në zemrat tona, që edhe ne të bëhemi drita e botës.

Dhjet virgjërat sillen në mënyrë të ndryshme. Lodhja gjatë jetës, shumë shpesh, mbizotëron mbi dëshirën që të rrimë zgjuar gjithmonë. Trupi është i dobët. Ti nuk kërkon prej nesh përpjekje mbinjerëzore. Atë gjë që e kërkon, o Jezus, është ta kemi dritën dhe vajin që e bën dritën që të ndriçoj e të mos fiket. Drita e fesë mund të vij në pyetje nëse nuk ushqehet nga lutja dhe nga ushqimi me Ty. Drita e fesë mund të vij në pyetje në qoftëse nuk kryhen veprat e mëshirës, sepse feja pa vepra është e vdekur. Pikërisht dashuria është ajo të cilën ti e kërkon në mënyrë të qëndrueshme. Nuk do të shëlbohen ata të cilët thonë “o Zot, o Zot!” por ata që e zbatojnë fjalën tënde. Nuk dinë të presin me dritëza të ndezura ata të cilët gjatë jetës nuk zbuluan me zell rastet për të zbatuar dashurinë. Secili njeri është i ftuar në dashuri, e ti, o Zot, i thirre nxënësit tu që të vinë pas teje duke tu dorëzuar plotësisht në dashuri të paskajshme.

Na thërret në jetë të dashurisë. Kjo është thirrja themelore e nxënësve të tu. Pa këtë gjë nuk mund të kuptohet ecja pas teje. Kjo është në të njëjtën kohë thirrja e thellë personale dhe kërkesa jetësore. Në këtë gjë askush nuk mund ta zëvendësojë tjetrin, pasi që secili në  mënyrën e vet, nga zemra e tij është i ftuar që të dashuroj. Thirrja në dashuri nuk mund të plotësohet sipas meritave të tjetrit, me meritat e personit të tretë që do të plotësonte në vend timin atë gjë që më thirre ta bëja unë. Kjo është thirrja personale, e pazëvendësueshme, sepse askush me dashurinë e tij nuk mund të plotësoj atë gjë të cilën Ti e kërkon prej meje, sipas planit tënd, o Zot, në mënyrë personale. Ky vaj i dashurisë për dikë është aq personal dhe i patjetërsueshëm, prandaj jemi të ftuar ta bashkojmë në mënyrë personale, sepse ky është rasti i secilit njeri që të  plotësoj dërgimin personal në botë.

Ti na dhurove dritën e fesë, o Jezus! Të falënderoj! Na deshe deri në fund, o Jezus! Të falënderoj! Na thirre që të bëhemi drita e botës, që me zemër dhe me vepra të mëshirshme ta mbajmë të ndezur këtë dritë gjatë gjithë jetës. Mirëpo këtë gjë nuk e bëmë gjithmonë. Të falënderoj që dyert e sallonit tënd, dyert e Zemrës sate nuk janë të mbyllura para nesh. Gjithmonë kemi kohë të shkojmë te vëllezërit e ta mbledhim vajin. Po të lutem, o Jezus, që askënd në këtë botë mos ta gjej ardhja jote pa ndonjë pikë vaj në llambën e zemrës së tij.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend