MEDITIMI I DITËS – NË SHPATULLAT E BARIUT TË MIRË
Written by Radio Maria on November 8, 2017
Lk 15, 1-10 NË SHPATULLAT E BARIUT TË MIRË
E enjte
Kërkoj hirin që të di të lejoj që të më mbartë në shpatulla Bariu i Mirë.
Në atë kohë, 1 të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë e skribët nynykatnin: »Ky i pranon mëkatarët – thoshin – dhe po ha me ta.«
Njerëzit pështjellohen rreth Jezusit. Të gjithë vijnë tek ai. Ka dallime mes shtresave të ndryshme të shoqërisë. Jezusi nuk e largon askënd nga vetja, askujt nuk ia ndalon që t’i afrohet dhe askujt nuk i shmanget. Para tij, të gjithë janë të barabartë: si ata që iu përkasin shtresave më të larta të shoqërisë dhe e konsiderojnë veten të veçantë, si edhe ata për të cilët askush nuk kishte kujdes e prej të cilëve shmangeshin njerëzit. Jezusi është i ndjeshëm, sidomos ndaj shtresës së fundit. Në këtë faqe të Ungjillit të Shën Lukës, paraqitet takimi i Jezusit me tagrambledhësin dhe mëkatarët. Këtë skenë e shikojnë diku në largësi farisenjtë dhe skribët. Ata nuk mund të pajtohen me këtë gjë; që një rabin të shoqërohet me njerëzit e tillë, që janë kaq mëkatarë. Mirëpo, Jezusi, ka ardhur pikërisht për këta. Ai e zbulon Hyjin që është i interesuar për ata që janë të humbur dhe të përjashtuar. A thua nuk mund ta përcaktojmë Jezusin si një njeri që pranon më me gëzim mëkatarët dhe tagrambledhësit dhe shoqërohet me ta? Duke parë se është mes dy rrymave dhe se farisenjtë dhe skribët nynykatin, Jezusi fillon me stilin e vet, në qetësi, paraqitjen e kësaj shëmbëlltyre:
3 Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: 4 »Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i tret, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të treturës derisa ta gjejë? 5 Kur e gjen, plot gëzim e vë në krah, 6 dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.’ 7 Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për të nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen.
Sa e qartë është gjithçka, kur shikojmë nga pikëpamja e Hyjit. Kjo është logjika e Hyjit, aritmetika dhe ekonomia e tij. Jo, ne nuk mendojmë, as nuk llogarisim ashtu. Ne gjithmonë jemi nën ndikimin e numrit, masës, fuqisë dhe madhërisë. Këtu kemi llogarinë e pabesueshme: nëntëdhjetë e nëntë janë të barabartë me një. Kjo është njohuria më e gëzueshme për Hyjin dhe për ne përpara Hyjit. Çdo njeri është tejet i çmueshëm në sytë e Hyjit. Ja sa na do Hyji! Ja sa më do Hyji! Nuk më lë në bredhjet dhe në humbjet e mia, por më kërkon. Ai e kërkon çdo njeri tjetër që gjendet në një situatë të tillë. Më do mua, por Ai e do edhe gruan time, edhe burrin tim, ndaj të cilit dashuria ime është ftohur. Më do mua, por e do edhe vëllain tim dhe motrën time në bashkësinë në të cilën jetoj, e që më nervozojnë. E do fqinjin tim me të cilin unë nuk flas, atë që është me mua në vendin e punës. Mund të numëroj kështu para vetes fytyra që i njoh e me të cilët nuk kam komunikim të mirë… edhe ata i do Hyji në bredhjet dhe humbjet e tyre. Hyji shkon që t’i kërkojë të humburit. Sa shumë prej nesh kanë humbur. Ndoshta, sot, disa i lë në vend të sigurt e shkon t’i kërkojë nëntëdhjetë e nëntë që kanë humbur. Edhe unë e bëj Hyjin që të kujdeset. Të falënderoj, o Zot, që më kërkon dhe kujdesesh për mua.
Kjo është figurë tepër e bukur, të cilën mund ta sodis gjatë në lutjen time. Hyji më mbart mbi supe. E lejoj që të më mbartë dhe ndihem i sigurt. Nuk bëhet fjalë këtu se më duhet t’i dorëzohem moskujdesit dhe rehatisë. Vetëdija se jam në shpatullat e Hyjit, më jep siguri në jetën e paqetë dhe të pasigurt. Figura e Bariut të Mirë lë përshtypje të madhe në breznitë e para të të krishterëve. Hyji është i gëzuar, prandaj gëzohet mbarë qielli. Në qiell mbretëron gëzimi. Por, besimi ynë, besimi në Lajmin e Gëzueshëm nuk ka hidhërim dhe mërrola, siç paraqitemi ne shumë herë. Hyji ynë është Hyji i gëzimit, Hyji i gëzuar.
Pas kësaj, Jezusi i udhëheq dëgjuesit e vet në imagjinatë në shtëpi, në të cilën vazhdon predikimi:
8 »Ose – cila grua që ka dhjetë drahma e po bëri e i treti njëra, nuk e ndez dritën e nuk e fshin shtëpinë dhe nuk e kërkon me kujdes derisa ta gjejë? 9 Dhe, kur e gjen, i bashkon mikeshat dhe fqinjët dhe u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta drahmën që më pati humbur.’ 10 Po kështu, unë po ju them: bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet.«
Këtu kemi një «melodi» tjetër, me të njëjtën temë. Refreni është i jashtëzakonshëm, nuk guxoj ta harroj asnjëherë: qielli gëzohet për shkak të kthimit të mëkatarit. Gëzohet mbarë qielli. A mund të ketë atëherë hidhërim dhe vaj në jetën time, kur Hyji kujdeset kaq shumë për mua? A mund të humbas unë, që ai të mos më gjejë? Ka një mundësi: ta refuzoj dhe të mos i dorëzohem. Kam mundësi t’ia mohoj gëzimin që të më mbartë në shpatullat e veta. Atëherë kjo është zgjedhja ime, që sjell pasojat e veta në jetën time.
Më duhet të gëzohem me bariun për shkak të deles së gjetur dhe me gruan për drahmën e gjetur. Më duhet të gëzohem me engjëjt në qiell për shkak të kthimit të mëkatarit, më duhet të gëzohem për vlerën që kam në sytë e Hyjit.