MEDITIMI I DITËS – ASGJË PARA HYJIT
Written by Radio Maria on November 6, 2017
Lk 14, 15-24 ASGJË PARA HYJIT
Kërkoj hirin, që të mos vendos asgjë para thirrjes së Hyjit.
Në atë kohë, 15 një njeri prej të grishurve në tryezë, kur i dëgjoi këto fjalët e Jezusit, tha: »Lum ai që do të marrë pjesë në gostinë e Mbretërisë së Hyjit!
Jezusi është gjithmonë në shtëpinë e fariseut. Tendosja fillestare duket se është zhdukur. Zhvillohet biseda. Tashmë nuk flet vetëm Jezusi. Njëri prej të pranishmëve merr pjesë në bisedën e tij. A thua e kuptoi ky njeri atë gjë që dëshironte të thoshte Jezusi? Jezusi nuk e tregon në asnjë mënyrë këtë gjë. Sipas stilit të vet të bisedës, ai i përgjigjet njeriut në pyetjen që bëri me një shëmbëlltyrë.
16 Jezusi i tha: “Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe grishi shumë vetë. 17 Në kohën e darkës çoi shërbëtorin e vet t’u thotë të grishurve: ‘Ejani se gjithçka është gati!!’
Një darkë të tillë kremtore mund ta bëjë vetëm Hyji. Kjo është darka e madhe. Ai i thërret të gjithë njerëzit në gostinë e vet. Askush prej tyre nuk mund të thotë se nuk është i thirrur. Edhe unë jam në mesin e të thirrurve. A do të përgjigjem?
18 Por të gjithë – si të ishin marrë vesh – zunë të përligjen: i pari tha: ‘Bleva një arë, më duhet të shkoj ta shoh, të lutem: më arsyeto!’ 19 I dyti tha: ‘Bleva pesë pendë qe e po shkoj t’i sprovoj. Të lutem, më arsyeto! 20 I treti tha: ‘U martova e prandaj s’mund të vij!’
Për çudi, të thërriturit nuk përgjigjen dhe dëshirojnë të përligjen. Çdo arsyetim i tyre është solid dhe ka themel të fortë. Mirëpo, a janë të vetëdijshëm se çdo arsyetim ka të bëjë me fatin e tyre jetësor? Këtu qëndron tragjedia e çdo arsyetimi. Kur Hyji e thërret njeriun, atëherë asgjë nuk ka vlerë që ta vendosim para kësaj thirrjeje për t’u arsyetuar. Nuk po na thërret një njeri dosido. Prandaj, ka rëndësi pyetja: si e dëgjoj dhe si e njoh thirrjen e Hyjit në jetën e përditshme? A e kam lejuar zhurmën shurdhuese të ditës që të më zotërojë dhe kështu të mos e dëgjoj zërin e zemrës dhe të ndërgjegjes që më urdhëron? A gjej arsyetime të shkathëta me të cilat e shmang thirrjet e Hyjit? Cila është ajo arë, të cilën dëshiroj ta shoh? Cilët janë ata qe, të cilët dëshiroj t’i sprovoj? A thua martesa është para asaj që Hyji kërkon prej meje? Cila gjë ose cili njeri, në jetën time, e zë vendin e Hyjit?
21 Shërbëtori u kthye dhe ia tregoi të gjitha zotërisë së vet. Atëherë i zoti i shtëpisë, i zemëruar, i tha shërbëtorit të vet: ‘Shko vrap në tregje e rrugëve të qytetit e bjer këtu lypës, të gjymtë, të verbër e të shqeptë!’
Jezusi iu kthye përsëri temës kryesore. Është e qartë se ai ka kujdes tepër të madh për këta njerëz të shkretë dhe të paaftë. Këta janë njerëzit që jetojnë të përjashtuar nga shoqëria dhe nga mesi ynë. Këta janë njerëzit me të cilët nuk dimë çfarë të bëjmë kur trokasin në dyert tona dhe kërkojnë ndihmë. Edhe ata janë të ftuar në tryezën e Hyjit. Të pasurit, që janë të ngopur me të mirat e veta dhe të zënë me punë, u arsyetuan. Nuk i nevojitet asgjë tjetër atij që është i kënaqur me pasurinë e vet. Që t’i përgjigjemi thirrjes së Hyjit, duhet të mbartim në vetvete përmasën e zbrazëtisë, që vetëm Hyji mund ta mbushë. O Zot, më ndihmo që punët e mia të mos e ndalojnë ecjen time drejt teje. Zgjoje në mua urinë dhe etjen për gostinë tënde. Bëj që gjithmonë t’u përgjigjem me gatishmëri thirrjeve të tua.
22 Shërbëtori i tha: ‘Zotëri, si urdhërove ti u bë, por vend ka më.’ 23 E zotëria i tha shërbëtorit: ‘Dil në rrugë e përngjatë gardheve e shtrëngo njerëzit të vijnë e të ma mbushin shtëpinë.’ 24 Unë po ju siguroj se asnjë prej atyre njerëzve që qenë të grishur, s’do ta shijojë darkën time!«
Salloni i Hyjit është i madh dhe në të ka vend për të gjithë. Duhet të mbushet, sepse vetëm atëherë mund të fillojë gostia. Çfarë feste është ajo kur salloni nuk është i mbushur me të ftuar? Këtu na ofrohet pamja e pabesueshme: të shqepëtit, të verbrit, të varfrit, të përndjekurit… të gjithë këta janë bashkuar. Kush do të mendonte të thërriste në gosti njerëzit e tillë përveç Hyjit? Po, në emër të Jezusit, janë të thirrur të gjithë njerëzit. Hyji mendon për secilin, sado që të jetë i shkretë dhe i varfër. Prandaj, Zotëria kërkon prej nesh që ta pranojmë njëri-tjetrin pa marrë parasysh rangun shoqëror, ngjyrën e lëkurës dhe përkatësinë kombëtare.
Detyrimi, për të cilin flitet këtu, tregon fitoren e mëshirës së Hyjit në jetën e njerëzve të mirë. Kjo është fitorja mbi mosgatishmërinë e tyre dhe jo dhunë mbi lirinë e tyre. Ndërsa të ftuarit e tjerë që nuk u përgjigjën, do të mbeten jashtë. E humbën rastin e tyre. Detyrat dhe punët e tyre i robëruan dhe i dërguan në anën tjetër. Kur të bëhen të vetëdijshëm dhe të kuptojnë se çfarë kanë bërë për ta, do të jetë vonë. Jezusi thotë se këta nuk do ta shijojnë darkën e tij.