MEDITIMI I DITËS – ZEMRA E NDJESHME

Written by on November 4, 2017

Lk 14, 12-14 ZEMRA E NDJESHME

 

Kërkoj hirin që ta kem zemrën e ndjeshme për të gjithë njerëzit që janë të përjashtuar nga shoqëria dhe që të shoqërohem me gëzim me ta.

 

Në atë kohë,12 Jezusi iu drejtua edhe atij që e kishte grishur: »Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, sepse mund të ndodhë se edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë.

Biseda vazhdon dhe rritet në intensitet dhe në qartësi. Jezusi është i jashtëzakonshëm në paraqitjen e tij. Atij nuk i intereson aq shumë gostia ku është i ftuar. Ky ishte vetëm një rast i mirë që ta shpallte mësimin dhe Lajmin e gëzueshëm para atyre, të cilët mendonin se zotëronin gjithçka dhe se ishin të drejtë para Hyjit dhe para njerëzve. Jezusi flet pa frikën se do t’i shkandullojë, hidhërojë apo lëndojë. Pikërisht, ajo që thotë tani është paradoksale dhe tronditëse. Veshët e tyre nuk e kanë dëgjuar ndonjëherë këtë gjë. E ndiqnin gjithë sy e veshë. Si, o Zot, mendon se nuk duhet t’i thërrasim miqtë, vëllezërit dhe të afërmit tanë? Përse të mos i thërrasim fqinjët e pasur? A nuk iu kemi njerëzve të tillë më së shumti borxhe dhe a nuk duhet t’ua shpaguajmë mirësinë që e kanë treguar ndaj nesh? Çfarë dëshiron t’u thuash bashkëkohësve të tu dhe neve sot me këto fjalë?

Me siguri se Jezusi e tërhoqi vëmendjen e dëgjuesve të vet me këtë që tha. Po, ata e dëgjuan mirë çdo fjalë që u tha. Tani dëshiron t’u japë një porosi të rëndësishme. Jezusi dëshiron të thotë që të mos i thërrasim të afërmit dhe miqtë për të ngrënë dhe për festa. Na duhet ta pranojmë se, në të shumtën e rasteve, ne ulemi në tryezë me ata që i duam, që i kanë mendimet e njëjta me tonat, që na përshtaten në karakter, me ata që i kemi miq të dashur. Ky është rrethi në të cilin sillemi dhe rrimë me gëzim. Kur e bëjmë këtë gjë, na duhet ta pranojmë se sillemi në një rreth të mbyllur, prej të cilit nuk dalim kurrë. A nuk janë gjithmonë të njëjtat fytyra dhe të njëjtat tregime? Në të vërtetë, ne sillemi vazhdimisht rreth vetes sonë. Ndjehemi mirë në këtë shoqëri dhe nuk dëshirojmë të dalim prej saj.

A mos vallë Jezusi dëshiron të na thotë me këtë fjalë që ta zgjerojmë rrethin dhe të dalim pre tij? Në një vend tjetër thotë: në qoftë se i doni vetëm ata që ju duan cilën gjë të veçantë e bëni? A nuk e bëjnë të njëjtën gjë edhe mëkatarët?»

13 Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër.

Si jehuan këto fjalë në veshët e farisenjve dhe skribëve që ishin rreth tryezës. Deri atëherë askush nuk iu foli kaq hapur. Kësaj here dëgjuan gjëra të padëgjuara më parë. A nuk janë të pasurit në shoqërinë e të pasurve? A nuk i thërrasin njerëzit e famshëm të famshmit në festat e tyre? A nuk janë ata të G8-ës gjithmonë me të njëjtën shoqëri dhe askush tjetër nuk mund të bashkohet me ta? Kush guxon të veprojë ndryshe? Po të vepronte ndryshe, a nuk do ta përjashtonin menjëherë prej grupit të vet? Jezusi mëson pikërisht të kundërtën. Prandaj, fjala e tij është e rëndë dhe e papranueshme për ne. Nuk guxojmë t’i pranojmë dallimet klasore dhe racore. Kjo është dëshira dhe urdhri i Jezusit. Kisha duhet t’i përshtatet kësaj dhe të jetojë në mënyrë të këtillë. Bashkësitë tona, a janë të tilla dhe të hapura për të gjithë? Apo ndonjëherë janë shoqëri të larta, në të cilat nuk mund të futen më të varfrit dhe më të dobëtit?

14 Atëherë do të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të shpërblehet në të ngjallur të të drejtëve.«

Në këtë çast, Jezusi erdhi te momenti vendimtar i mësimit të tij: të duash dhe të mos presësh asgjë në kthim; të dhurosh dhe të mos presësh që të të kthehet. Kjo është dashuria e vërtetë që dhuron pa numëruar dhe shpërndan pa parë. A kam fuqi ta bëj diçka të tillë? A mundem që së paku, në lutjen time, të përpiqem të bisedoj për këtë gjë me Zotërinë?

O Zot, kur të ftoj tek unë të varfrit, të shqepëtit, të verbrit, që të hanë me mua dhe të bisedojnë me miqtë e mi, vëllezërit dhe të afërmit, me fqinjët e pasur dhe me të njohurit që janë mbledhur së bashku, ata do të gëzohen. Do të gëzohen, sepse askush nuk mendon për ta. Ata nuk kanë me çka të ma kthejnë, por besoj që në ringjallje do të më ftosh në tryezën tënde, sepse ti do të ma hapësh derën. Ti, atëherë, do të mendosh për mua, ashtu sikurse unë kam menduar për ta.

Mund të më ndodhë, o Zot, që edhe unë një ditë të jem i sëmurë, i papunë, i shqeptë ose i verbër dhe me siguri se do të gëzohem kur dikush të më thërrasë pranë tryezës së vet, duke përmbushur kështu këtë urdhër që e ke dhënë ti. O Zot, mendoj për ty kur flet për përgatitjen e gostisë së madhe, në të cilën thërret shumë njerëz, mirëpo shumë të thirrur kanë për t’u arsyetuar me punët e veta. Atëherë, do të urdhërosh që të thirren të varfrit, të shqepëtit, të verbrit…

Të gjitha këto, o Zot, tregojnë se përpjekja ime dhe dashuria ime duhet të jenë për ty, duhet të jenë për Hyjin. Vetëm dashuria ndaj teje mund të më vlejë dhe mund të më nxisë që t’i kundërshtoj zakonet e lindura me veprimet më pozitive, që ta mposht përjashtimin dhe t’i tejkaloj vështirësitë. O Zot, eja tek unë dhe zgjeroje zemrën time.

 

 

 


Current track

Title

Artist