MEDITIMI I DITËS – JEZUSI KUJDESET PËR MUA
Written by Radio Maria on November 1, 2017
Lk 13, 31-35 JEZUSI KUJDESET PËR MUA
Kërkoj hirin që ta njoh kujdesin e Jezusit për mua dhe që të mos e refuzoj.
Në atë kohë, 31 iu afruan Jezusit disa farisenj dhe i thanë: »Dil e ik së këndejmi se Herodi do të të vrasë!«
Farisenjtë nuk kishin marrëdhënie të mira me Herodin. Ata nuk e kursenin aspak as Jezusin. Prapëseprapë, ia tërhoqën vërejtjen se ishte në rrezik. Jezusi jetonte në kushtet ku dikush e kërkonte vdekjen e tij. Ky ishte Herod Antipa, tetrarku i Galilesë dhe i Peresë, njëri prej bijve të Herodit të Madh. Ky e kishte lëshuar gruan e parë që të martohej me Herodiadën, gruan e vëllait të vet, Filipit. Këtë martesë e kishte gjykuar Gjon Pagëzuesi dhe për këtë arsye, qe vrarë. Jezusi ishte në rrezik. Herodi e shikonte si një njeri të rrezikshëm, i cili duhej zhdukur. Ai mund ta bënte këtë gjë. Kështu i kishte larë hesapet edhe me Gjon Pagëzuesin pak muaj më parë.
O Zot, hija e vdekjes varej mbi kryet tënd. Ti e vazhdove udhëtimin dhe nuk lejove që rreziqet të të ndalnin. Ati donte që ta vazhdoje misionin edhe pranë kërcënimeve që do të plotësoheshin kur të vinte çasti i caktuar. Ende nuk kishte ardhur ora jote. Dëshiroj të bashkohem me tmerrin tënd dhe me ndjenjat që i kishe në ato çaste kur Herodi të kërcënohej me vdekje. O Zot, pranë të gjithave, Ti me guxim i çove fjalë Herodit:
32 Ai u përgjigji: »Shkoni e thoni asaj dhelpre: Ja, sot e nesër po dëboj djaj e po shëroj, të tretën ditë i jap fund. 33 Porse sot, nesër e pasnesër më duhet ta vazhdoj rrugën, sepse nuk ka hije që profeti të vdesë jashtë Jerusalemit.
Jezusi e karakterizoi në mënyrë të drejtë Herodin. Ai ishte dinak si dhelpra. Nuk i zgjidhte mjetet për t’ia arritur qëllimit. Ai ishte shumë i kujdesshëm dhe më vonë e dimë sjelljen e tij gjatë procesit të Jezusit, kur ia ktheu Pilatit që ta gjykonte. Jezusi i çoi fjalë Herodit për ato gjëra që bënte. Ai nuk u përzie dhe nuk u mor me punë të ndyra, siç merrej ai. Përkundrazi, e përdori kohën dhe mjetet, së bashku me energjinë e vet, që t’u ndihmonte njerëzve që kishin nevojë. Dëboi djajtë dhe shëroi. Kjo ishte gjëja kryesore dhe më e nevojshme që mund të bënte për njeriun. Të tretën ditë, këtu do të thotë pas pak kohe. Dita e tretë paraqet atë gjë që Jezusi do ta plotësonte në tërësi gjatë mundimeve dhe në vdekje. Prandaj, tha se e vazhdoi udhëtimin drejt Jerusalemit. Pas pak do ta kryente detyrën, të cilën nuk e kishte kryer ende. I duhej të dëbonte djajtë dhe t’i shëronte njerëzit derisa ishte në rrugë drejt Jerusalemit, që pastaj të njëjtën gjë ta bënte në qytet. Jezusi ishte i vetëdijshëm se armiqtë e tij nuk mund t’ia merrnin jetën ose ta ndalonin para se të vinte ora që e përcaktoi Ati. Udhëtoi drejt qytetit dhe e dinte se aty, në të, do të dënohej. Ai e dinte se ky ishte misioni që duhej ta çonte deri në fund.
34 Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët e me gurë i mbyt ata që të dërgohen! Sa herë desha t’i bashkoj fëmijët e tu sikurse klluka i bashkon nën krahë zogjtë e vet … e ju nuk deshët! 35 Mirë, pra, ‘shtëpia juaj do t’ju lihet juve!’ Jo po, unë po ju them: nuk do të më shihni më deri (që të vijë dita) të thoni: ‘Qoftë bekuar ai që vjen në emër të Zotit’!
Jerusalemi, në njëfarë mënyre, ishte qyteti i shenjtë. Në të ishte Tempulli me Shenjtëroren mbi shenjtërore, në të cilën Hyji ishte i pranishëm. Ky ishte qyteti i dhuratave dhe i pranisë së Hyjit. Mirëpo, ky ishte qyteti që u çua kundër Hyjit, qyteti që refuzoi dhuratën e Hyjit. Të gjitha këto do ta arrinin kulmin e vet në vdekjen e Jezusit. Në këtë vend do të gjykohej Hyji. Në Jerusalem, njeriu do ta ndëshkonte Birin e Hyjit. Jerusalemi simbolizon mbarë njerëzimin dhe çdo njeri. Secili prej nesh e ka në vetvete kundërshtimin ndaj Hyjit, që paraqitet në mënyra të ndryshme. Secili prej nesh e refuzon dhuratën e Hyjit. Historia vazhdon. Edhe ne jetojmë në Jerusalem. Edhe ne jemi Jerusalemi.
O Zot, sa herë ke dashur që në këtë qytet ta sjellësh porosinë dhe ta shpallësh gëzimin e shëlbimit të Hyjit që na viziton. Sa figura të bukura dhe të buta përdore nga jeta për të na tërhequr vërejtjen. Sikurse klloçka që në mënyrë amnore i mbledh zogjtë duke i mbrojtur nga rreziqet, edhe Ti deshe t’i mblidhje qytetarët e Jerusalemit. Kjo ishte dhurata e shëlbimit dhe e mbrojtjes. Kjo ishte dhurata e butësisë.
Sa dhimbshëm jehojnë fjalët e Jezusit: “e ju nuk deshët”. Zotëria nuk u dëshpërua dhe as nuk i çoi duart prej misionit të tij për këtë gjë. Ai e dinte se do të vinte dita kur do ta përshëndesnin në rrugën e Jerusalemit: “bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!”. Ai e dinte se vdekja e tij ishte për shëlbimin e të gjithë njerëzve. Ai e dinte se disa do ta refuzonin këtë dhuratë. Kjo ishte fshehtësia e lirisë së njeriut, e zgjedhjes së tij personale.
O Zot, të falënderoj që kujdesesh për mua. Të falënderoj që gjej mbështetje dhe mbrojtje në krahët e tu, në të cilët më mbron. Sa me gatishmëri më vjen në ndihmë sa herë që jam në vështirësi, por unë, fatkeqësisht, ndihmën e kërkoj në një vend tjetër. Nuk di të lëshohem plotësisht në duart e tua, që aty ta gjej sigurinë dhe mbrojtjen. M’i fal kundërshtimet e mia! Më fal për refuzimin që ia bëra dhuratës tënde.