MEDITIMI I DITËS – MBRETËRIA E HYJIT NË MUA

Written by on October 30, 2017

Lk 13, 18-21 MBRETËRIA E HYJIT NË MUA

 

Kërkoj hirin që të besoj se mbretëria e Hyjit është e pranishme në mua dhe në Kishën që e shpall.

 

Në atë kohë Jezusi tha: 18 »Me çka është e ngjashme Mbretëria e Hyjit? Me çka ta krahasoj?

Çkado që të bëjë dhe sado që të jetë i rrethuar me njerëz që i kërkojnë ndihmë, Jezusi nuk e lë asnjëherë mënjanë porosinë themelore, të cilën duhet t’ua shpallë njerëzve e që është mbretëria e Hyjit. I vetëdijshëm për dërgimin dhe predikimin e mbretërisë së Hyjit, Ai i mbetet besnik detyrës së vet.

Mbretëria është tema qendrore e predikimit të Jezusit. Ai qe dërguar që ta vendoste mbretërinë e Hyjit në tokë. Mbretëria që shpall është «Mbretëri e fshehur». Kjo mbretëri është mister, sikurse është mister edhe vetë Krishti. Ajo nuk është e kësaj bote. Këtë gjë e ka theksuar edhe Pilati. Për këtë arsye, Jezusi nuk e krahason me asnjë mbretëri të kësaj bote. Në të, mund të hyjmë me pendesë dhe me kthim. E kërkon përvujtërinë dhe nënshtrimin, si virtyte themelore. Në këtë mbretëri vlejnë ligji i dashurisë ndaj Hyjit dhe të afërmit. Secili që dëshiron të hyjë në mbretërinë e Hyjit, duhet të mbartë në vetvete diçka nga pafajësia e fëmijës, nga dorëzimi dhe besimi që ka fëmija. Pa këto cilësi, nuk mund të hyhet në mbretërinë e Hyjit.

Për ta përshkruar këtë mbretëri, si themelues e Zotërues i saj, Jezusi i përdor krahasimet. Në disa, flet për rritjen e mbretërisë dhe për formimin e saj. Në të tjerat, flet për kuptimin e saj të fundit. Mbretëria është fshehtësi, në të cilën, si besimtarë, duhet të hyjmë gradualisht. Ajo ka filluar me paraqitjen e Krishtit dhe do të kryhet me ardhjen e dytë të Krishtit. Tashmë është e pranishme, por nuk është realizuar ende në plotësi. Domethënë, kjo mbretëri është në mesin tonë, ndërhyn në zemrat tona, në qoftë se i besojmë Jezusit dhe besojmë në Jezusin. Në këtë rast, mbretëria e tij na përfshin dhe na lëviz. Se çfarë është mbretëria dhe se si rritet ajo, na e tregon Jezusi kur thotë:

19 Është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në kopsht të vet. Ajo me kohë u zhvillua e u bë lëndë dhe shpendët e qiellit bënë çerdhe në degët e saja.«

Mbretëria e Hyjit është shënuar me ritëm. Ka në vetvete fuqinë e vazhdueshme të rritjes. I përngjan jetës, që zhvillohet dhe rritet në mënyrë graduale, të vazhdueshme dhe të pandalshme.

Si e kuptoj unë mbretërinë e Hyjit? Mos është një gjë statike, një gjë që nuk tërheq, një gjë e vjetër, një gjë e pakuptueshme? A e besoj veprën e Hyjit, që rritet si një pemë e gjallë? A besoj se ajo realizohet në Kishën që e predikon dhe e paraqet? A besoj se është e pranishme në mua? Edhe unë, në zemrën time, e mbart mbretërinë e Hyjit. A shihet kjo në veprat e mia? A dëgjohet nëpërmjet fjalëve të mia? Aq sa jam i lidhur me Krishtin dhe me fjalën e tij, aq është e pranishme mbretëria e Hyjit në mua. Sikurse nuk kemi mundësi që me anë të syrit ta shohim rritjen e pemës, kështu ndodh edhe me mbretërinë e Hyjit. Ajo është e pranishme dhe rritet së bashku me jetën time, mirëpo mua më duhet ta ushqej me fjalën e Hyjit dhe me bukën eukaristike. Ajo është fshehtësia e fesë sime, në të cilën, mund të hyj aq sa më dhurohet. Duke prekur dhe duke kërkuar në mënyrë të qëndrueshme, duke e lutur hirin e dritës, hyj në mbretërinë e Hyjit dhe bëhem pjesëtar i saj.

20 Dhe vijoi:  »Me çka tjetër ta krahasoj Mbretërinë e Hyjit? 21 Ajo i përngjan tharmit, të cilin e mori gruaja, e përzjeu me tri masë miell, derisa s’u mbrua krejt.«

Ja dhe krahasimi tjetër i shkurtër. Jezusi e merr nga jeta për t’ia dhuruar jetës. Çfarë ka më të thjeshtë dhe më natyrore sesa përgatitja e bukës së përditshme? Çfarë kemi më të nevojshme për jetën tonë sesa bukën që e përgatit nëna në çdo familje. Në këtë krahasim, ka një rol të veçantë figura e tharmit, i cili e mbrun miellin e vdekur e që nuk ka formë, duke e shndërruar në brumë të shijshëm, që pasi piqet jep bukën. Edhe këtu, është në veprim «Fuqia e padukshme». Në fillim, çdo gjë është e thjeshtë dhe e padukshme, por në fund çdo gjë bëhet e mrekullueshme. Çdo gjë përgatitet në mbrëmje që gjatë natës brumi të mbruhet, ashtu që ditën e nesërme të jetë i gatshëm për pjekje. Gjatë natës, brumi mbruhet në mënyrë të qetë dhe të ngadalshme duke u fryrë. Këtu kemi figurën e mbretërisë së Hyjit. Përsëri, bëhet fjalë për fuqinë e brendshme që është në veprim. Hyji punon me siguri, ngadalë, por fuqishëm.

O Zot, për çdo ditë lutem ashtu si na ke mësuar në lutjen ‘Ati ynë…’, që të vijë mbretëria jote. Le të vendoset në mua me krejt thjeshtësinë dhe fuqinë e saj. Hapi sytë e mi që ta shoh edhe në njerëzit e tjerë, në Kishë dhe në botë. Ti e shpalle dhe e themelove. I dërgove nxënësit e tu, që ta zgjerojnë atë deri në skajet e botës. Edhe sot kërkon bashkëpunëtorë që ta zgjerojnë më tej. Kërkon njerëz të gatshëm që, përmes tyre, të bëhet e pranishme dhe e dukshme mbretëria jote në botën tonë. Ke nevojë për fara të reja «të sinapit» që e shndërrojnë botën nga përbrenda, duke e bërë atë më të njerëzishme dhe më fisnike.

 


Current track

Title

Artist