Shenjti i ditës: 27 Tetor – Shën Frumenci, ipeshkëv (+380)
Written by Radio Maria on October 25, 2017
Shenjti i ditës: 27 Tetor – Shën Frumenci, ipeshkëv (+380)
Frumenci është ipeshkvi i parë misionar në Etiopi, ku konsiderohet apostull bashkë me vëllain Edesion. Historia e tyre mund të shërbente për thurjen e një romani aventuresk. Në kohën e perandorit Kostandinit një filozof kthehej në Tiro nga një udhëtim në Indi, i shoqëruar nga dishepujt e tij dhe nga dy djemë, Frumenci dhe Edesio. Anija ankoroi në portin e Adulis në afërsi të Masauas dhe pak më pas u sulmua nga një hordhi etiopësh që i vranë të gjithë pasagjerët. Shpëtuan vetëm dy djemtë, të cilët ishin veçuar në një pemë për të lexuar një libër. Asnjëherë një libër nuk qe kaq i çmuar. Kur i vërejtën dy djemtë, etiopët, tashmë të kënaqur me plaçkat, i çuan skllevër në Axum dhe mbreti i mbajti nën shërbimin e tij. Pas vdekjes së sovranit, mbretëresha ia besoi Frumencit edukimin e të birit.
Dy vëllezërit u hynë në zemër dhe morën lejen për të ndërtuar një Kishë afër portit, kështu mundën të hyjnë në atdhe për t’i kërkuar ipeshkvit të Aleksandrisë së Egjiptit, Atanasit, dërgimin e një ipeshkvi dhe disa meshtarëve. Atanasi shuguroi ipeshkëv vetë Frumencin dhe e dërgoi në Etiopi me disa meshtarë. Lindi kështu bashkësia e parë e krishterë në Afrikën e zezë, e përcaktuar të zgjerohet e të qëndrojë e fortë edhe gjatë stuhisë islamike që e përmbysi krishtërimin gati në të gjithë Afrikën. Frumenci u mirëprit me gëzim nga etiopët e Axum dhe nga vetë mbreti i ri Ezana, i cili ishte ndër të parët që mori pagëzimin. Edhe nënshtetasit ndoqën shembullin e mbretit. Frumenci, që etiopët e quajnë «aba Salama», d.m.th sjellës drite, numërohet me të drejtë mes misionarëve më të mëdhenj të krishterë.