MEDITIMI I DITËS – SHENJAT E KOHËS

Written by on October 26, 2017

Lk 12, 54-59 SHENJAT E KOHËS

 

Kërkoj hirin: që asnjë pasuri, punë, asnjë famë mos të më ndalojnë për të shkuar pas Jezusit.

 

Në atë kohë, Jezusi 54 iu drejtua turmës: »Kur shihni renë se çohet në perëndim, përnjëherë thoni: ‘Do të bjerë shi!’, dhe ashtu ndodh.

Në të gjitha kohërat njerëzit kanë vërejtur ndryshim e kohës dhe për mes saj kanë përfunduar se çfarë moti do të ketë. Sipas kësaj, i kanë planifikuar edhe punët të cilat kanë dashur të kryejnë. Në atë kohë udhëtimin e reve, as lëvizjen e ajrit dhe të reve, nuk e përcillte sateliti, mirëpo njerëzit dinin të përcaktonin se çfarë moti do të kishte. Të bashkëjetuarit më natyrën ua mësoj këtë gjë. Për këtë arsye, Jezusi i fton njerëzit që ta shikojnë përvojën e përditshme dhe në bazë të saj të kërkojmë një gjë që është shumë më e rëndësishme, të cilën njeriu shumë shpesh e harron lehtë. Përvoja e njeriut është aq e qartë me retë dhe shiun, me erërat e ngrohta dhe me të nxehtin. Kjo përvojë duhet kaluar edhe në një përmasë tjetër, në atë përmasë të cilën nuk kemi mundësi as të prekim, as të dëgjojmë, as të shohim. Prandaj Jezusi thotë:

55 Kur shihni se fryn shiroku, thoni: ‘Do të jetë vapë’ dhe bën vapë, 56 Shtiracakë! Dukën e tokës e të qiellit dini ta çmoni, por këtë kohë nuk dini!?«

Kjo është ajo «e dyta» më e rëndësishme, për të cilën Jezusi dëshiron tu tërheq vërejtjen dëgjuesve të tij. Në qoftë se, dinë t’i lexojnë mirë shenjat e kohës, domethënë meteorologjinë, atëherë duhet të jenë të gatshëm t’i lexojnë edhe shenjat e mësimit të tij. Jezusi ju tërheq vërejtjen fuqishëm duke thënë se janë shtiracakë, sepse një pjesë të detyrës e bëjnë mirë, ndërsa pjesën tjetër që është më e rëndësishme nuk e bëjnë aspak. Ai ju thotë se koha e Mesisë ka filluar dhe se është shumë e rëndësishme që t’i lexojnë shenjat e kohës. Ato gjëra që i kryen Jezusi, duhet t’i drejtojnë që ta kuptojnë se për çfarë është fjala. Po fillon diçka e re dhe këtë gjë duhet të shohim. Kjo gjë na përket edhe ne. Më përket mua personalisht. Në qoftë se mbetem në sipërfaqe dhe nuk i shoh më thellë shenjat e kohës, atëherë jam farise. Edhe koha jonë e ka porosinë e saj të cilën duhet të dimë që ta lexojmë, i ka shenjat e veta të cilat duhet gjithashtu t’i njohim. Çfarë flitet sot në botë dhe çfarë thekson Kisha? Për çfarë na tërheqin vërejtjen ipeshkvit tanë dhe Ati i shenjtë? Në porosinë e tyre a e shoh shenjën për vete, për bashkësinë, familjen, famullinë, vendin e punës? Aq shumë flitet për solidaritetin ndaj njëri-tjetrit dhe për dashurinë altruiste dhe të bamirësisë. Syri im, a i shikon të tjerët? A e njoh çastin të cilin e jetoj tani, e në të cilin fjala e Hyjit më thërret? Hyji edhe sot e kësaj dite e drejton historinë. Sot vepron në botë sikurse ka vepruar dhe në të kaluarën. Në vend që të vajtoj dhe të ankohem «për kohërat e mira që kaluan», më duhet t’i hapi sytë dhe t’i shoh shenjat të cilat Hyji mi dërgon sot. Nuk duhet ta nënçmoj vetveten dhe të mendoj se nuk mund të bëj asgjë. Gjithashtu nuk duhet të mendoj se më duhet të bej disa vepra të mëdha për të cilat kam lindur e të cilat duhet t’i bëj unë, por në këtë gjë më pengojnë veprat e vogla. Me përpjekjen time të thjeshtë dhe me pjesëmarrje me të cilën ndihmoj të afërmit, në qoftë se bëj aq sa mundem do të bëj vepra të mëdha. Në këtë gjë është forca e bashkësisë, solidaritetit dhe e dashurisë së vërtetë. Në qoftë se në familjen time, në bashkësi, në vendin e punës, ose në famulli bëj hapa të vegjël kjo është e mjaftueshme që të lëviz orteku i të mirës që gjithnjë e më shumë do të përfshij të tjerët. Ka rëndësi të madhe që të shoh në cilën pikë jam në këtë çast të jetës sime dhe çfarë vendimesh duhet të marr. Kjo do të thotë t’i shohësh shenjat e kohës në jetën tënde.

O Zot, më ndihmo që mos të jetoj në mënyrë automatike. Ti më thua se jeta nuk përbëhet vetëm nga fitimi dhe shpenzimi, të ngrënit dhe të pirit. Në qoftë se, në këtë mënyrë e kuptoj jetën shumë shpejt dhe shumë lehtë do të përjetoj se kjo jetë është e pashpresë dhe tepër e varfër. Më ndihmo që përmes të gjitha shenjave të cilat çdo ditë dalin në rrugën e jetës sime t’i lexoj porositë të cilat do të më ndihmojnë që të jetoj më i sigurt dhe në mënyrë të denjë duke e kaluar këtë jetë.

57 Përse ju vetë nuk gjykoni vetvetiu ç’është e drejtë? 58 Kështu, kur shkon bashkë me kundërshtarin tënd tek ushtruesi i drejtësisë, përpiqu udhës të biesh në godi me të – që të mos qesë para gjykatësit, gjykatësi të të dorëzojë shërbëtorit e shërbëtori të të hedhë në burg. 59 Unë po të them se s’do të dalësh prej andej pa e paguar edhe më të sprasmin qindar.«

Më duhet që të gjykoj si duhet! Askush në vendin tim nuk mund të bie vendime të cilat i përkasin jetës dhe besimit tim. Në gjërat tjera dhe në detyra ka mundësi të më zëvendësoj dikush por në vendimet themelore askush nuk ka mundësi të më zëvendësoj. Prandaj Jezusi përsëri sjell një ngjarje të jetës, më të cilën dëshiron ta vulos më thellë mendimin e vet.  Përcaktimin e veçantë nuk kam mundësi ta shtyj për nesër, sepse mund të bëhet shumë vonë.

O Zot, më duhet çdo ditë të marr vendime. Më ndihmo që të jem i guximshëm. Më jep fuqi që edhe pranë zhgënjimeve dhe mos sukseseve të eci përpara. Bëj që ta ndjej ndihmën tënde, fuqinë e Shpirtit tënd që më përcjell si shenja më e fortë në jetën time.

 


Current track

Title

Artist