Shenjti i ditës: 25 tetor – Shën Gaudenci, ipeshkëv i Breshias (+410)

Written by on October 24, 2017

Shenjti i ditës: 25 Tetor – Shën Gaudenci, ipeshkëv i Breshias (+410)

 

 

 

Gaudenci mund të numërohet mes personazheve të mëdha të shekullit IV, përkrah shën Ambrozit, shën Jeronimit dhe shën Augustinit. «Ti ke një mësim kaq të gjallë», i shkroi Rufini i Akuilesë, «dhe një mirësi të tillë shpirti, sa që është e nevojshme të shkruhet e të publikohet gjithë ajo që thua në biseda normale ose në predikim në kishë». E megjithatë Gaudenci nuk e mbante veten një shkrimtar dhe nuk do ta kishte marrë në dorë kurrë penën nëse nuk do ta kishte lutur miku Benevolo, i cili, i penguar nga një sëmundje, nuk mund të shkonte në Kishë për të dëgjuar mësimet e tij mbi Shkrimin shenjt, prandaj i kërkoi t’ia jepte kopjen e dhjetë predikimeve. Gaudenci ia bëri qefin, e meqenëse shkrimi ishte i rezervuar vetëm për mikun që vuante, përfitoi për të bërë një parathënie të gjatë duke folur për planin provanor hyjnor që nga dhimbja fizike ose morale di të nxjerrë një të mirë të madhe shpirtërore.

Benovolo nuk u kënaq vetëm me leximin e predikimeve dhe mbajtjen e tyre për vete. I kopjoi dhe ua dërgoi edhe miqve të tjerë. Dhe ndonjëri prej marrësve iu drejtua direkt ipeshkvit për të sqaruar disa gjëra. Kështu Gaudenci u bë shkrimtar pa dëshirën e tij, siç u bë ipeshkëv pa dëshirën e tij dhe u largua nga vetmia e kuvendit të Cezaresë në Kapadoki. Duket se shën Ambrozit i është dashur të përdorë ndonjë dredhi që ai ta pranonte vendin e ipeshkvit Filastrit, që vdiq në 387. Ishte vetë Ambrozi që e shuguroi ipeshkëv në Breshia dhe pastaj e mori me vete në Milano për të mbajtur një cikël homelish në kishën e tij. Në 405 u dërgua nga papa Inocenti I në Kostandinopojë për të mbrojtur çështjen e patrikut Gjon Gojartit, i cili ishte dërguar në mërgim nga perandoresha intriguese Eudosia. Delegacioni u prit në mënyrë të keqe dhe Gaudenci përfundoi në burg. Gojarti në këtë rast i shkroi një letër të bukur ngushëlluese. Gaudenci vdiq në Breshia, në vitin 410, datë fatale për fatet e perandorisë romake.


Current track

Title

Artist