Shenjti i ditës: 20 tetor – Shën Maria Bertila Boskardin, rregulltare (1888 – 1922)
Written by Radio Maria on October 19, 2017
Shenjti i ditës: 20 tetor – Shën Maria Bertila Boskardin, rregulltare (1888 – 1922)
Piu XII në lumturimin solemn të datës 8 qershor 1952 e përmblidhte profilin e shën Bertila Boskardin, rregulltare mes Mësueseve të shën Doroteas të Viçencës, me këto fjalë: «Është një fshatare e përvujtë e tokës sonë të bekuar të Italisë. Figurë shumë e pastër e përsosmërisë së krishterë, model përqëndrimi e lutje. Rruga e saj, “rruga e karrocave”, më e zakoshmja. Jo ekstaza, jo mrekulli në jetë, por një bashkim me Hyjin gjithnjë e më i thellë në heshtje, në punë, në dëgjesë. Nga ai bashkim vinte dashuria që ajo u tregonte të sëmurëve, mjekëve, eprorëve, të gjithëve». «Rruga e karrocave», d.m.th puna e fushave në fushën venedikase, ishte ajo që Ana Françeska (ky është emri i saj i pagëzimit) e përshkonte nga pranvera në vjeshtë, sepse kjo ishte puna kryesore e vajzave të fshatit, para se shumë industri të vogla t’ia shndërronin pamjen.
Ana Françeska, e lindur në Gioia di Brendola në Viçencë, shkonte në fusha sapo lindte dielli dhe kthehej kur perëndonte, sepse si shumica e vajzave venedikase gjatë ditës punonin në filaturë. Është e kuptueshme se në familje nuk u treguan shumë entuziast për zgjedhjen e saj të jetës dhe e vonuan hyrjen e saj në kuvendin e Shën Doroteas rrëzë Monte Beriko. Megjithatë ajo hyri në moshë të re dhe sapo mori kushtet e përkohshme, pas noviciatit, iu dorëzua spitalit të Trevizos, pranë të cilit do të ofrojë shërbimin e saj të përvujtë e bujar deri në vdekje. Zgjidhte oraret më të vështira, ato të natës, për t’u lehtësuar peshën motrave. Të punosh dhe të vuash në heshtje – shënonte në fletoren e saj – dhe t’u lësh të tjerëve kënaqësitë. Çfarë kënaqësish mund të kishte në pavjonet e një spitali? I kishin hyrë në zemër të sëmurët e saj dhe vuajti, pa rënë në sy, kur iu desh të transferohej në Brianca për shkak të përparimit të austriakëve gjatë luftës së parë botërore. Këtu u caktua në lavanderi: «Jam e kënaqur», – tha, «sepse bëj vullnetin e Hyjit». Në moshën njëzet e dy vjeçare u operua për tumor, por u kthye shpejt në punën e zakonshme. Vdiq pas ndërhyrjes së dytë kirurgjike në moshën tridhjetë e katër vjeçare. Gjoni XXIII e përfshiu në librin e shenjtërve me 11 maj 1961.