MEDITIMI I DITËS – THARMI I FARISENJVE

Written by on October 19, 2017

Lk 12, 1-7 THARMI I FARISENJVE

 

Kërkoj hirin: që të ruhem nga tharmi i farisenjve dhe të besoj palëkundshëm se Hyji më ruan.

 

Në atë kohë, 1 u mblodh një turmë e madhe e popullit – mijëra e mijëra – aq sa shkelnin njëri-tjetrin. Jezusi më së pari u drejtua nxënësve të vet: »Ruajuni prej tharmit të farisenjve d.m.th. hipokrizisë!

Jezusi nuk është më në shtëpinë e fariseut që e ftoi për drekë. Ai është në vend të hapur por vazhdon të flasë për të njëjtën temë. Shumë njerëz u bashkuan rreth tij. Shën Luka flet për mijëra. Jezusi tregon guxim të madh dhe trimëri që publikisht, para një turme të tillë të flasë për rrezikun që vjen nga mënyra e të jetuarit dhe e sjelljes së farisenjve. Çfarë trimërie! Jezusi tërheq vërejtjen publikisht për rrezikun e jetës së tillë. Kritikon ata që mendojnë se janë më të thirrurit që t’i drejtojnë të tjerët në gjithçka që konsiderohet fetare. Jezusi nuk e bie në pyetje diturinë e tyre, të cilën e vlerësonin dhe e nderonin edhe njerëzit e tjerë. Por ai i zbulon në vetëmjaftueshmëri dhe në mendjemadhësi. Të tjerët rreth vetës i shikojnë prej së larti dhe flasin për ta më nënçmim. Vetëm veten e konsiderojnë të drejtë, të pa mëkat dhe besnik. Të tjerët për ta ishin njerëz të thjeshtë, të paaftë për të kuptuar teoritë të cilat i shpikën ata dhe i ndërlikuan.

Rreziku i tharmit të farisenjve është në dyfytyrësi. Kjo do të thotë se farisenjtë ju flisnin të tjerëve, i mësonin të tjerët dhe në ketë mënyrë për së jashtmi paraqiteshin të pafajshëm, besnikë dhe të përkushtuar, por në të vërtetë nuk kryenin ato gjëra që mësonin dhe nuk i mbanin të gjitha ato urdhërime që kërkonin t’i mbajnë të tjerët. Jezusi i zhvesh në sjelljen e tyre.

O Zot, ti po më flet edhe mua: ruaju nga dyfytyrësia. Ruaju nga parullat dhe teprimi! Ruaju nga vetëmjaftueshmëria, mendjemadhësia dhe mendimi më të cilin mbyllesh në të vërtetën tënde. Ruaju se i shikon të tjerët prej së larti duke i nënçmuar. Ruaju…

 2 S’ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehur që nuk do të merret vesh. 3 Prandaj, çdo gjë që ju thatë në errësirë, do të dëgjohet në dritë dhe çdo gjë që pëshpëritët në vesh ndër skuta, do të predikohet prej pullazeve.«

Jezusi paraqet një hapje të madhe mes njerëzve. Kjo është ajo gjë që mendohet sot kur flitet për transparencë. Bota jonë është plot me fshehtësi shoqërore të cilat në mënyrë të fshehët diktojnë shumë ngjarje në botë. Shumë, «gjëra nëntokësore» janë aq vepruese dhe shkatërruese. As Kisha nuk është e ruajtur prej tyre. Jezusi na fton që të jemi të hapur ndaj njëri-tjetrit. O Zot, po të lutem me ndihmo që të jem i thjeshtë dhe i afrueshëm në marrëdhënie me të tjerët. Qartësia jote dhe përzemërsia le të lëvizin mendimet dhe veprimin tim.

4 »Po ju them juve, miq të dashur: mos jua kini frikën atyre që mbysin trupin e pastaj s’mund të bëjnë gjë tjetër! 5 Po ju tregoj kujt duhet t’ia keni frikën: droni nga ai që, pas t’jua ketë marrë jetën, ka pushtet t’ju hedhë në ferr. Po, unë po ju them: atij kinia frikën!

Jezusi në të gjithë njerëzit i shikon miqtë e vet; dëshiron t’i mbrojë nga e keqja dhe iu tërheq vërejtjen për rreziqet që iu kërcënohen. Në sinqeritetin e tyre nuk guxojnë të lejojnë që bota t’i mbartë, as mos të lëshohen ne krahët e lumit të jetës. Përkundrazi! Duhet të jenë të guximshëm në paraqitjen e qëndrimeve të Ungjillit edhe atëherë kur ju kërcënohet kundërshtimi dhe përndjekja. Bota nuk mund tu bëj asgjë nëse përbrenda janë në të Vërtetën. Mirëpo, nëse bashkëpunojnë me të Keqin, atëherë janë në rrezik që të humbasin dhe të shkatërrohen. Na kjo gjë duhet të kenë frikë.

 6 Po, a nuk shiten pesë trumcakë për dy qindarë? E pra, asnjërin prej tyre nuk e qet në harresë Hyji. 7 Kurse juve deri edhe fijet e flokëve të kresë i keni të njehura! Mos kini frikë! Ju vleni më shumë se një mori trumcakësh!«

Këto fjalë janë tepër ngushëlluese. Hyji mendon në të gjitha krijesat e veta, sado të vogla dhe të parëndësishme të jenë në sytë tanë. Ai kujdeset për zogjtë e malit, për të çdo gjë ka rendësi dhe vlerë. Aq më shumë kjo gjë vlen për njeriun, kurorën e krijimit të tij. Ai aq shumë e do njeriun.

O Zot, të falënderoj që mendon në të gjitha krijesat. Të falënderoj që të gjitha i mban. Të falënderoj që shikimi yt ndalet edhe në mua. Shumë herë nuk e mendoj këtë gjë as nuk jam i vetëdijshëm. Prandaj nuk jam i qetë dhe kam frikë. Ti më thua që të mos frikësohem. Më thua se jam më i rëndësishëm se zogjtë e qiellit, se i kam të numëruara edhe flokët e kresë. Kur je ti pranë meje, përse të frikësohem! Të falënderoj për shikimin tënd me të cilin më përcjell dhe për dorën tënde më të cilën me ruan! Ti, fuqia dhe shkëmbi im, mos më braktisë askurrë.

 

 


Current track

Title

Artist