MEDITIMI I DITËS – BËJ ATË QË DUHET

Written by on October 16, 2017

Lk 11, 42-46 BËJ ATË QË DUHET

 

Kërkoj hirin: që të dijë çfarë duhet bërë, çfarë nuk duhet të asgjësoj.

 

Në atë kohë Jezusi tha: 42 Vaj për ju, o farisenj që jepni të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por e qitni pas shpine drejtësinë dhe dashurinë e Hyjit! Këto të fundit është dashur të bëhen e ato të parat s’është dashur të lihen!

Vazhdojmë të meditojmë për ato gjëra që ndodhin në shtëpinë e fariseut gjatë drekës. Një tekst të tillë tashme e kemi takuar në Ungjillin e Shën Mateut. Pasi që liturgjia na sjellë të dytën herë, kjo do të thotë se qortimet e Jezusit duhet t’i marrim seriozisht, t’i përjetojmë edhe më shumë në brendi dhe t’i zbatojmë në jetën tonë. Nuk guxojmë t’i shohim si tregim historik që bënë fjalë për një grup të njerëzve kokëfortë. Fjalët e Jezusit janë ekzistenciale dhe i përkasin secilit prej nesh. Ato i flasin secilës brezni dhe secilit njeri që dëshiron të takohet me Zotërinë. Jezusi në secilin njeri e shikon fëmijën e Hyjit që ka nevojë për shëlbim. Prandaj erdhi. Kujdesej për farisenjtë. I do. Për shkak të mbylljes së tyre në qëndrimin e vet, pafajësinë dhe besnikërinë e rrejshme, iu desh tu flasë haptas dhe ashpër. Dëshironte tu thoshte se në themelet e mira të Ligjit kishin ndërtuar gjëra të gabueshme. Kërkonin të dhjetën e çdo prodhimi, por e linin pas dore drejtësinë e Hyjit! Qartë se këtu ishte një gjë që e kishin keqkuptuar. I pyet: njeriu është njeri për çfarë është apo për çfarë jep si të dhjetë, për çfarë prek, për çfarë lanë ose ha?

O Zot, e shikoj jetën time si jetën e meshtarit, rregulltarit, rregulltares, babait, nënës, shikoj vetveten si punëtor në punë, si student gjatë studimit, si nxënës në shkollë dhe shoh sa kanë rëndësi disa gjëra aq të parëndësishme dhe të vogla më të cilat helmoj jetën time dhe të tjerëve. Për shkak të këtyre imtësirave, të cilat, vërtetë e formojnë jetën tonë, lë pas dore gjerat shumë të rëndësishme. Çfarë ndodhi me drejtësinë time ndaj të tjerëve dhe me të drejtën e të tjerëve që llogarisin në mua? Çfarë ndodhi me dashurinë e Hyjit që i jep vlerë çdo pune që bëj? Më ndihmo që të kuptoj se sa të rëndësishme janë këto gjëra, e jo imtësisrat që mi shpenzojnë fuqitë e nuk kanë rëndësi në jetë. Po të lutem, të ma dhurosh hirin e urtisë që të di, detyrat e vogla dhe të parëndësishme t’i plotësoj si ato që janë të mëdha dhe të rëndësishme.

43 Vaj për ju farisenj, sepse jua ka ënda katedrën e parë në sinagoga dhe përshëndetjet në sheshe!  44 Të mjerët ju, sepse jeni porsi varret që nuk shihen e njerëzit paditur, ecin mbi to!«

Më fjalët e veta, Jezusi godet të vërtetat e mëdha. Këto nuk u përkasin vetëm farisenjve të kohës së tij. Sa njerëz në kohën tonë kërkojnë vendet e para në jetën e Kishës dhe të shoqërisë. Sa dëshirojnë që të filmohen në programe dhe fotografi? Sa njerëz i kërkojnë faqet e para të gazetave, në fillim të lajmeve në radio dhe televizion. Ka aq shumë mënyra për të luftuar për ta zen vendin e parë, që të dukem, që të me shohin dhe të më përshëndesin. «Kotësi, kotësish…»

45 Atëherë një mësues i Ligjit i tha: »Mësues, ti, duke folur kështu, po na fyen edhe ne!« 46 »Vaj edhe për ju, mësues të Ligjit – i përgjigji Jezusi – sepse u ngarkoni njerëzve barrë që mezi mund të mbarten, ndërsa ju vetë as me gisht të dorës nuk i prekni!

Farisenjtë dhe skribët ndjehen të goditur dhe të fyer. Askush deri atëherë nuk u foli kështu. Jetonin në botën e tyre të menduar dhe mendjemadhe duke shikuar të tjerët prej së larti. Dhe ja tani dikush pati guxim të prek në «kullën e fildishtë të drejtësisë së tyre» duke i zbuluar ata. Njëri prej tyre kundërshton. Mirëpo, Jezusi nuk e dobëson kritikën. Nuk përligjet që janë të goditur në nder. Përkundrazi! Jezusi u tërheq vërejtjen se me ligjet e tyre iu bëjnë njerëzve padrejtësi.

Kush janë skribët? Këta ishin teologët dhe juristët. Përbënin një klasë të veçantë me ndikim të madh në mesin e Hebrenjve. Kishin përgjegjësi për shumë gjëra në jetën publike dhe fetare. Më shpjegimet e veta që ia bënin Ligjit kishin formuar bashkësinë e ligjeve të cilat të tjerët duhej t’i zbatonin. Prandaj kritika e Jezusit ishte me vend. Ishte vërejtje serioze. Tu ngarkosh njerëzve barrën të cilën nuk e mbart vet, kjo është shenjë e mashtrimit dhe mos sinqeritetit.

Fatkeqësisht, as sot asgjë nuk ka ndryshuar. Ata që kanë pushtetin, që i bëjnë ligjet më së lehti i tejkalojnë dhe më se paku i zbatojnë. Sa lehtë është ta bësh ligjin për tjetrin që ai ta zbatojë e vetveten ta përjashtosh prej tij. Këtë gjë  është më së lehti tua bësh të nënshtruarve. Mirëpo pikërisht këta njerëz i mbron Jezusi. Ai mbron të gjithë të vegjlit dhe të gjithë njerëzit që i nënshtrohen dhunës së të mëdhenjve.

A ka barrë me të cilat i ngarkoj të tjerët në bashkësinë time, familje, afërsi, vend të punës, fakultet, shkollë, famulli… O Zot, po të lutem për sinqeritet në veprim ndaj atyre që mi kanë besuar në çfarëdo mënyre e për të cilët kam përgjegjësi. Më ndihmo që mos tu shkaktoj padrejtësi, as mos të jem barrë për ta.

 

 


Current track

Title

Artist