Shenjti i ditës: 17 tetor – Shën Injaci i Antiokisë, ipeshkëv e martir (+107)

Written by on October 15, 2017

Shenjti i ditës: 17 Tetor – Shën Injaci i Antiokisë, ipeshkëv e martir (+107)

 

Injaci «teofori» (ai që sjell Hyjin, siç dëshironte të quhej), ipeshkvi me zemër të zjarrtë (Injac do të thotë pikërisht «zjarr»), ka mbetur në kujtesën e të krishterëve të të gjitha kohërave për shprehjet e pazakonshme të dashurisë të bëra Krishtit dhe Kishës që lexohen në letrat e shkruara gjatë udhëtimit që nga Antiokia duhej ta qonte në Romë, që t’u jepej si ushqim egërsirave, viktimë e shquar e persekutimit të Trainit. Injaci e mbante që nga viti 79 selinë ipeshkvore të Antiokisë – metropoli sirian, e treta përsa i përket madhësisë në perandorinë e gjërë romake –historiani Euzebi i Cezaresë e mban pasardhësin e drejtpërdrejtë të Pjetrit. Duke na informuar se «Injaci u dërgua nga Siria në Romë që t’u hidhej si ushqim egërsirave për shkak të dëshmisë që ia kishte bërë Krishtit». Duke bërë udhëtimin e tij përmes Azisë, nën kujdestarinë e ashpër të rojeve të shumta, në qytetet ku qëndronte, me predikime dhe këshillime shkonte duke përforcuar Kishat». Nga Smirne, ku ishte ipeshkëv miku i ri Polikarpi, u shkroi Kishave të Efesit, të Magnesias dhe të Trali, duke ua dorëzuar letrat ipeshkvinjëve përkatës Onezimos, Damas dhe Polibios, që kishin shkuar ta takonin për t’i dhënë përshëndetjen e fundit. Pasi mbërriti në Troade, Injaci shkroi letra të tjera, mes të cilave një Polikarpit, për t’i besuar besnikët e tij të Antiokisë, që grigja të mos qëndronte gjatë pa bari: «Aty ku është ipeshkvi, aty të jetë bashkësia, ashtu si ku është Krishti Jezus është edhe Kisha katolike». Shprehja e fundit, e përcaktuar për historinë, duket se është bashkangjitur nga ai njëlloj si fjala «krishtërim».

Udhëtimi, pas kalimit nga Durrësi në Brindizi, vazhdoi përgjatë Via Appia deri në Romë ku i mbylli ditët e tij në amfiteatër, i përpirë nga egërsirat, megjithëse bashkësia e krishterë kishte bërë çmos për t’ia shmangur dënimin me vdekje. Por ai e dëshironte me zjarr martirizimin: «Më lini të jem ushqim i egërsirave, nga të cilat do ta shijoj Hyjin. Unë jam gruri i Hyjit: duhet që të bluhem nga dhëmbët e egërsirave derisa të nxirret buka e pastër e Krishtit». Që të mos i bëhej barrë askujt uronte që ta gjente varrin në barkun e një egërsire të uritur. Është e mundur që besimtarët kanë arritur t’i marrin pjesët mortore të trupit të tij të torturuar me fyerjet më të mëdha, pasi që nga antikiteti të krishterët e Antiokisë e nderonin varrin e tij në dyert e qytetit dhe kremtonin përkujtimin me 17 tetor, ditë e caktuar nga kalendari i ri në vend të 1 shkurtit.


Current track

Title

Artist