MEDITIMI I DITËS – DHURATA E ZEMRËS

Written by on October 15, 2017

Lk 11, 37-41 DHURATA E ZEMRËS

E Martë

 

Kërkoj hirin: që të di të dhuroj me gjithë zemër dhe me pastërti çdo gjë që jap.

 

Në atë kohë, 37 ndërsa Jezusi ende po fliste, një farise iu lut të shkonte tek ai për drekë. Ai hyri dhe u ul në tryezë.

Jezusi nuk i refuzonte ftesat që ia bënin njerëzit. I pëlqente që tu bashkohej atyre në shtëpi që të bisedojë me ta. Shën Luka na përshkruan një ftesë të tillë që e pranoj Jezusi. Dreka ishte arsyeja e takimit me ta, ndërsa biseda ishte arsyeja kryesore të cilën e përdorte Jezusi që tu jepte porosinë.

Kështu ndodhi edhe kësaj here. Pastaj, nuk e fton kushdo, edhe pse këtij njeriu as emrin nuk ia dimë. Ishte farise dhe kjo flet mjaftë për rëndësinë e tij. Kjo do të thotë se i përkiste atij grupi fetar i cili kishte ndikim të madh në njerëzit e thjeshtë. Jezusi nuk e pranoi ftesën sepse e thirri një njeri i rëndësishëm, por pse në këtë ftesë shihte rastin që t’i mësonte njerëzit për gjërat e rëndësishme. Këtu nuk ka turmë as njerëz kurioz. Këtu janë vetëm ata që janë të ftuar. Më së shumti janë na grupi i farisenjve. Jezusi do tu drejtojë fjalën dhe do tu tërheq vërejtjen për situatën në të cilën janë. Me hapat e parë që i bënë, i befason të pranishmit. I afrohet tryezës pa kryer formalitetet që farisenjtë kërkonin që të kryheshin. Këtu fillon vështirësia. Prandaj na shtrohet pyetja: më çfarë qëllimi e ftoj Jezusin fariseu? Që ta pranojë si një mikë të dashur? Në këtë rast nuk do çuditej sjelljeve të Jezusit, por do t’ia tërhiqte vërejtjen në mënyrë miqësore. Ose e ftoj për të vërtetuar mënyrën e veprimit të Jezusit? Nga ajo që vjen pas del në dritë se e thirri për të vërtetuar qëndrimin e Jezusit ndaj Ligjit që në këtë mënyrë ta vlerësonte së bashku me të tjerët besnikërinë e tij ndaj ligjeve që aq shumë i çmonin farisenjtë.

38 Fariseu, kur pa se Jezusi nuk u la para buke, u çudit.

Ekzistonte rregulla e larjes së duarve para buke. Ky ishte pothuajse një rit i vogël që në sytë e farisenjve kishte rëndësi shumë të madhe. Secili njeri që konsiderohej besnik dhe i përshpirtshëm, duhej ta zbatonte këtë rregull. Jezusi nuk e bënë këtë gjë. Fariseu befasohet dhe mrekullohet. E gjykon Jezusin për këtë gjë. Mos e harroj Jezusi këtë gjë? Ose ndoshta nuk pati mundësi të bënte këtë ritë të larjes? Më siguri, çdo gjë ishte gati për ta bërë këtë rit të cilin e bënë të gjithë farisenjtë e pranishëm. Nga ajo që Jezusi tha, duket qartë se këtë ritë e la pa e kryer më qellim. Bëri kështu për tu dhënë porosinë.

39 Zotëria i tha: »Po! Ju farisenjtë lani përjashta gotën dhe kupëzën, ndërsa brendinë tuaj e keni plot rrëmbime e prapësi.

Tani kemi guximin e jashtëzakonshëm të Jezusit. Edhe pse e kanë ftuar, nuk largohet aspak nga misioni i tij dhe nga detyra për të cilën erdhi. Nuk dëshiron të përligjet para një gjëje që turbullon qëndrimin e drejt të njeriut në marrëdhënie me Hyjin. Nuk bënë kurrfarë kompromisi. Askujt nuk deshi t’ia bëj qejfin, pa marrë para sysh pozitën që kishte në shoqëri. Secilit ia thoshte të vërtetën, edhe kur kjo gjë zgjonte pakënaqësi dhe mospërkim me bashkëbiseduesin. Këto fjalë të Jezusit binin rëndë në veshtë e njeriut që e kishte ftuar dhe në veshtë të të gjithë të tjerëve që ishin në tryezë me të. Mund të marrim me mend sa të befasuar ishin të gjithë të pranishmit. Jezusi shkon në thelbin e çështjes: zemra ka rëndësi, jo e jashtmja. Kjo gjë ka rëndësi të madhe sidomos në besim. Hyji kërkon zemrën e njeriut, dhe vetëm ajo i pëlqen Hyjit. Ritet e jashtme duhet ta paraqesin brendinë e zemrës. Në qoftë se kjo mungon, atëherë janë mbështjellës pas të cilit fshihen vjedhjet dhe rrëmbimet.

O Zot, në qoftë se Fjala jote nuk ma mbush zemrën dhe në të nuk gjen jehonë, çfarë vlen ajo që bëj për së jashtmi? Po të lutem, me ndihmo që veprimet e jashtme ta paraqesin atë gjë që është në brendinë e zemrës sime për të cilën po të lutem që të jetë në përputhje me Ligjin e dashurisë tënde.

40 Të marrë! A thua se ai që përftoi përjashtësinë, nuk e përftoi edhe brendësinë? 41 Jepni, pra, për lëmoshë ç’është brenda gotës e kupës e do të jetë gjithçka e pastër për ju.

Këto fjalë të Jezusit i rrenonin si kullën e letrave të gjitha ligjet e përshpejtuara që farisenjtë i kishin bërë. Shumica e këtyre ligjeve i përkiste jashtësisë. Jezusi dëshiron të thotë: Ai që e ka krijuar jashtësinë, e ka krijuar edhe brendinë. Brendia është e rëndësishme. Të shikosh vetëm të jashtmen, do të thotë, mos ta pranosh Hyji për krijues të të gjithave. Vetëm kur japim atë që është përbrenda, d.m.th. zemrën tonë, atëherë dhamë gjithçka. Më të gjithçka bëhet e pastër.

O Zot, po të thërras: kthehu tek unë ashtu si shkove tek fariseu. Më fjalën tënde mi hap sytë e brendshëm të zemrës. Këto fjalë me përkasin edhe mua. Veprojnë si zjarri. Më ndihmo që në zemrën time të bëj vend për ty si për mikun e dashur. Më duhet të përmirësoj shumë gjëra që brendia ime t’i përgjigjet asaj që e paraqes para të tjerëve. Bëj që veprimet e mia të jenë të brendshme, lëmosha, që do tu jap të tjerëve të jetë nga zemra. Në këtë mënyrë do të jem i sigurt se të gjitha të tjerat do të jenë të pastra.

 

 

 

 

 

 

 


Current track

Title

Artist