MEDITIMI I DITËS – DËGJOJ DHE RUAJ FJALËN

Written by on October 13, 2017

Lk 11, 27-28 DËGJOJ DHE RUAJ FJALËN

 

Kërkoj hirin: që ta dëgjoj dhe ta ruaj fjalën e Hyjit.

 

Në atë kohë 27 ndërsa Jezusi po fliste, një grua në mes të turmës e çoi zërin e i tha: »Lum kraharori që të mbarti e gjinjtë që thithe!«

Njerëzit e zakonshëm dhe të thjeshtë e njihnin Jezusin. Nuk ishin të ngarkuar me paragjykime të cilat nuk do t’i lejonin ta shohin mirësinë e tij. Nuk ishin të mbyllur në pikëpamjet e veta të mendimit që do të përjashtonin gjithçka tjetër që nuk i përkiste logjikës së tyre. Ata ishin të hapur para çdo gjëje që ishte fisnike dhe e mirë, sepse ishin të thjeshtë. E tillë ishte edhe kjo grua që e lavdëron Jezusin.

Njerëz të thjeshtë janë ata që shohin me zemër dhe për këtë gjë i shohin ato gjëra që fshihen para syve të trupit. Në ta plotësohet lumturia që e tha Jezusi: Lum të pastrit në zemër, ata do ta shohin Hyjin. Kjo grua e thjeshtë e lavdëron nënën e Jezusit. Në të vërtetë ajo e lavdëron Jezusin. Kur në Besëlidhjen e Vjetër dëshirojnë ta lavdërojnë dikënd, atëherë shumë herë lavdërohen prindërit e tij. Vlen edhe tjetra: kur dikënd dëshirojnë ta qortojnë dhe ta mallkojnë, atëherë i qortojnë dhe i mallkojnë prindërit e tij. Kjo grua nga turma e bënë ketë gjë. Ajo i shpalosi shumë cilësi që e zbukuronin, e që nuk i shihnin të tjerët. Jezusi, me paraqitjen e vet e nxiste të mirën që nëna e kishte në vetvete dhe e tregonte para syve të njerëzve. Kjo grua është e guximshme, sepse e lavdëron Jezusin pikërisht atëherë kur disa e kanë paditur se bashkëpunon me djallin. Kjo ishte padi e tmerrshme, sepse më të Jezusin e shpallin kundërshtar dhe armik të njeriut. Kjo grua nuk lejon që ta turbullojnë paditë që Jezusit ia bëjnë kundërshtarët e tij. Ajo nuk ka frikë të tregojë publikisht dhe t’i dëshmojë të gjitha ato gjëra që i ndjente në thellësinë e saj. Më siguri një gjë të njëjtë e përjetonin edhe shumë të tjerë, por nuk kishin guxim që ta dëshmonin këtë gjë publikisht. Gruaja në një mënyrë është zëdhënësja e të gjithëve. Shumë prej tyre i pengonte frika dhe botëkuptimi njerëzor. Përgjithësisht mund të thuhet se shumë njerëz për shkak të botëkuptimit dhe për shkak të frikës mbetën në mediokritet. Kanë frikë të rritën në virtyte të vërteta dhe në dëshmi të fesë për shkak të mendimit të tjerëve. Çka do të thonë të tjerët, më i afërmi çka do të thotë? Fatkeqësisht, njerëzit më së shumti kanë frikë nga mendimet dhe kritikat e njerëzve të mesëm, të ngjashëm me ta. Nuk kanë frike aq shumë nga ata që janë para tyre në virtyte. Njerëzit e tillë zakonisht nuk kritikojnë. Shembulli i tyre është kritikë e mjaftueshme për të gjithë ata që janë në mediokritet.

Për ata që përpara lëvdatës së gruas e kundërshtuan Jezusin, e paditën dhe shpifën kundër nuk dimë shumë. Nuk e dimë saktësisht se kush ishin ata, por nuk është e vështirë ta marrim me mend. Farisenjtë dhe skribët e kundërshtuan Jezusin dhe e padisnin. Nuk mund të përjashtohet se pikërisht ata e paditën kaq rëndë. Njerëzit e tillë formonin mendimin publik në popull. Ishin aq të fuqishëm dhe më ndikim sa që njerëzit e thjeshtë nuk kishin guxim t’i kundërshtojnë. Pikërisht për këtë, lëvdata e gruas është më e guximshme dhe më e sinqertë.

O Zot, më ndihmo që t’i dëshmoj guximshëm vlerat e vërteta. Më ndihmo që t’i shoh dhe t’i pranoj para të tjerëve ata njerëz që janë dëshmitarët e vërtetë, ashtu sikurse të dëshmoj për ty gruaja në midis të turmës. Bëj që të mos kem frikë nga kritika e atyre që nuk e duan të vërtetën, as jetën në virtyte, as jetën morale.

28 Ai përgjigji: »Madje, të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë!«

Reagimi i Jezusit është i mrekullueshëm. Lavdërimi i gruas vendoset në gjerësi dhe lartësi shumë të ndritur. Nëna e tij është e lumtur dhe e veçantë mes krijesave tokësore. Hyji e zgjodhi për një detyrë kaq të rëndësishme. E lindi Shëlbuesin e botës, Birin e Hyjit. Hyjlindësja u ngjiz pa mëkat. Të gjitha këto Jezusi i dinte. Lavdërimi i gruas ishte i saktë. Më ketë pranim ajo nuk shton asgjë. Jezusi e pranon dhe ia zgjeron rrezatimin.

Jezusi thekson se është lumturi më e madhe ta dëgjosh fjalën e Hyjit dhe ta zbatosh, se sa ajo që bëri Maria për Jezusin kur e mbarti në kraharor dhe i dha gji. Gruaja e lavdëron për shkak të cilësive të nënës, ndërsa Jezusi të gjitha këto i vendos në një shkallë shumë më të lartë. Për Jezusin gjëja më e rëndësishme është ta dëgjosh fjalën e Hyjit dhe ta ruash atë. Maria në këtë gjë ishte shembull dhe model. Vërtetë, kush e dëgjoj dhe e zbatoj më mirë së Maria fjalën e Hyjit? Përmes saj kjo Fjalë u bë njeri dhe banoi ndër ne. Maria është më e lumtur për shkak të asaj që besoj në Fjalën e Hyjit dhe jetoj sipas saj, se sa pse në kraharor mbarti Birin e Hyjit. Si të tillë e njohi kushërira e saj Elizabeta që i tha e para: E lumja ti që besove çfarë të tha Hyji (Lk 1, 45). Në këtë gjë është madhëria dhe lumturia e Marisë. Ajo e dëgjoi fjalën e Hyjit dhe jetoi sipas saj që nga fillimi. Nuk diti ku do ta dërgojë dëgjimi i kësaj Fjale. Pati besim të pakufishëm në Hyjin dhe ditë pas dite ishte e hapur për të bashkëpunuar me të. Çdo gjë që dëgjoi dhe pa, të gjitha fjalët dhe ngjarjet, Maria i ruante në zemrën e saj dhe meditonte për to. Kështu Maria u bë shembull i përkryer se si mund të dëgjohet fjala e Hyjit, si ruhet dhe si jetohet.

O Zot, bëj që t’i hap veshtë e mi për ta dëgjuar Fjalën tënde. Bëj që ta hap zemrën time që ta pranoj dhe ta ruaj Fjalën tënde. Bëj që t’i hap duart e mia që ta realizoj Fjalën tënde. Këtë gjë po ta kërkoj, o Zot.

 

 


Current track

Title

Artist