Shenjti i ditës: 9 tetor – Shën Gjon Leonardi, meshtar, themelues (1550 – 1609)
Written by Radio Maria on October 6, 2017
Shenjti i ditës: 9 tetor – Shën Gjon Leonardi, meshtar, themelues (1550 – 1609)
Themeluesi i Institutit të Klerikëve të Rregullt të Nënës së Hyjit dhe i Kongregatës «De Propaganda Fide», ishte refuzuar në mënyrë të pashpjegueshme nga Urdhëri françeskan. Ose më mirë, provanisht, pasi lukezi biri i Jakob dhe Gjovana Lipit, praktikant farmacie që e studionte vetë, pasi shkoi në Romë disa vite pas shugurimit meshtarak, pati mënyrën për të lidhur miqësi me dy shenjtër të mëdhenj, Filip Nerin dhe Jozef Kalasancin, dhe të vlerësohej nga papa, i cili i besoi misione delikate, ku cilësitë e tij si njeri i urtë dhe i dhembshur ishin më të përshtatshme për të qenë një ndërmjetës dhe për të rivendosur disiplinën në kuvende të vjetra ku ishte futur shpirti gazmor dhe i këndshëm rilindës. Që i ri, Gjon Leonardi, megjithëse larg nga shtëpia dhe syri i kujdesshëm i prindërve, student mjekësie në Luka, nuk humbi kohë pas shoqërive studentore, por nën udhëheqjen e domenikanit Bernardinit, mblodhi rreth vetes disa shokë me të cilët u kushtua vullnetariatit për të ndihmuar të vjetrit e braktisur dhe shtegtarët.
Pasi u shugurua meshtar, iu besua kisha e Shën Giovanni della Magione, ku vuri në jetë një projekt të tij të guximshëm, duke themeluar një shkollë për mësimin e fesë, bërthama e parë e Kongregatës së Klerikëve të Rregullt, me seli afër Kishës së Shën Maria della Roza. Instituti u aprovua në vitin 1593. Megjithatë, siç është thënë, u bind të largohej nga Luka për ato moskuptime jo të rralla në jetën e shenjtërve. Në Romë, i shtyrë nga zelli misionar, mendoi dhe programoi me spanjollin Vives një Kongregatë meshtarësh që zhvilluan apostullatin e tyre mes të pafeve. Lindte kështu Kongregata «De Propaganda Fide» e Romës, e përcaktuar të ngulitet thellësisht në historinë misonare të Kishës universale. Gjoni vdiq në Romë me 8 tetor: u lumturua në vitin 1861, u shkrua në listën e shenjtërve me 17 prill 1938.