Shenjti i ditës: 7 tetor – E lumja Virgjëra Mari e Rruzares

Written by on October 6, 2017

Shenjti i ditës: 7 tetor – E lumja Virgjëra Mari e Rruzares

 

Quhej «Festa e Rruzares së shenjtë» para reformës së kalendarit të vitit 1969, dhe kremtimi ishte caktuar nga shën Piu V për të kujtuar fitoren e sjellë në vitin 1571 në ujrat e Lepantit nga flota e krishterë në përleshje të pabarabartë me ushtrinë e fuqishme turke. Papa i përshpirtshëm, domenikan, e ndjeu në mënyrë të mistershme përfundimin e lumtur ndërsa ishte i përqëndruar në lutjen e Rruzares së shenjtë. Si bir i mirë i shën Domenikut, i cili një përshpirtëri të tillë ua kishte ngulitur fretërve të tij predikatar, papa luste çdo ditë të ashtëquajturin “Psalterin e Zojës”, lutje e thjeshtë por jo monotone, siç nuk të mërzit një fjalë e thjeshtë dashurie e drejtuar vazhdimisht dhe me qëndrueshmëri personit të dashur. Në kuvendet mesjetare fretërit shekullar, që kishin pak familjaritet me latinishten, ishin të përjashtuar nga lutja e Liturgjisë, dhe e zëvendësonin me Rruzaren, me njëqind e pesëdhjetë Të Falemi Mari dhe pesëmbëdhjetë Ati Ynë, për numërimin e të cilave shën Beda i Nderuari kishte sugjeruar të bëhej një varësje me kokrra të futura në një spango.

Pas të shfaqurës së famshme të Virgjërës shën Domenikut, që i tregoi kurorën e Rruzares si armë për të mundur herezitë, lindën Vëllazëritë e ndryshme të Rruzares, në kombe të ndryshme të Evropës. Edhe misionet e fretërve predikatar në Lindjen e largët u nxitën nën shenjën e Rruzares, sepse kjo lutje, u tha atyre shën Domeniku, «është një gur i çmuar në thesarin e Kishës». Lutja e Rruzares, e përkrahur nga papa i shenjtë Piu V, u shtri në kishën universale në vitin 1716, që ajo të përmblidhte në një farë mënyre festat e Virgjërës dhe jetën e Shpëtimtarit, të cilit Maria iu bashkua si Bashkshëlbuese. Në njëzet mistere i propozohen të krishterit po aq tema meditimi mbi jetën e Krishtit e të Marisë. Rruzarja është quajtur edhe «breviari i popullit të Hyjit», për t’u lutur nëse është e mundur në mbrëmje nga tërë familja e bashkuar, e frymëzuar nga një shpirt i vetëm lutjeje.


Current track

Title

Artist