MEDITIMI I DITËS – EMRIN E KAM TË SHËNUAR NË QIELL

Written by on October 6, 2017

Lk 10, 17-24 EMRIN E KAM TË SHËNUAR NË QIELL

 

Kërkoj hirin: që të jetojë në fe të gjallë dhe gëzim të sinqertë që emrin e kam të shënuar në qiell.

 

Në atë kohë, 17 të shtatëdhjetë e dy nxënësit u kthyen me gëzim e thanë: »Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!«

Edhe pse Jezusi iu tërhoq vërejtjen nxënësve se njerëzit do t’i refuzojnë prej pragut të dyerve të tyre dhe do t’i përjashtojnë prej qyteteve, ata në kthim rrezatojnë nga gëzimi. Edhe pse në disa vende për shkak të mospranimit qenë të detyruar ta shkundin pluhurin e këmbëve, duket se të gjitha këto nxënësit i kishin harruar, kishin ruajtur vetëm ato gjëra që kishin qenë të mira dhe që i gëzuan në misionin e tyre. Të gjitha të tjerat kishin kaluar në plan të dytë, sepse kishin përjetuar se shpirtrat e ndytë iu nënshtrohen. Kjo gjë në ta zgjoj gëzim të madh dhe krenari. Kundërshtari më i madh i njerëzve u tërhoq para tyre. Shpirti i keq u tërhoq para predikatarëve të Lajmit të gëzueshëm. Të rrezatuar nga gëzimi, ia tregojnë këtë gjë Jezusit. Kjo gjë ka rëndësi kaq të madhe sa që Shën Luka vetëm këtë gjë e shënon. Prej kësaj varën të gjitha të tjerat. Kur mbi të Keqin korrim fitore duke e larguar, atëherë e kemi të lirë vendin për hirin e Hyjit.

A di për të folur me Zotërinë për apostullatet e mia të cilat mi besoi? A jam i gëzueshëm për këtë gjë? A di t’i ndaj përvojat e mia me të tjerët dhe të gëzohem bashkë me ta për ato gjëra që ata i bëjnë.

18 Jezusi u tha: »Shikoja kah binte Satani porsi rrufeja prej qiellit! 19 Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrep dhe mbi çdo fuqi armike dhe asgjë s’do të mund t’ju bëjë keq. 20 Por mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!«

Djalli humb luftën me Zotërinë. Mirëpo pushteti i tij është i madh dhe gjithmonë i pranishëm, deri në përfundimin e kohës. Vetëm atëherë do të përjetojë humbjen përfundimtare. Jezusi shikon në vegim rënien e tij. I shikonte nxënësit e vet se si para tyre i Keqi tërhiqej. Secili nxënës i Jezusit krejt jetën do të mbetet në luftë me të Keqin por do ta dijë se Zotëria është me të.

O Zot, bëj që ta dëgjoj mirë këtë fjalë që ma drejton. Edhe gjarpërinjtë edhe akrepët dhe të gjitha fuqitë kundërshtare do të jen nën këmbët e mia më anë të pushtetit, hirit dhe të fjalës sate. Kjo është arsyeja e madhe për gëzimin e madh dhe të sinqertë. Mirëpo ti ma tërheq vërejtjen se kjo nuk është arsyeja kryesore e gëzimit. Më duhet të gëzohem dhe të jem i lutur sepse emri im është shënuar në qiell. Kjo do të thotë se ti me ke shëlbuar dhe më kë shpëtuar duke shënuar emrin tim jo vetëm në shuplakat e tua por edhe në qiell, ku je në bashkim me Atin dhe Shpirtin Shenjt. Të falënderoj për Lajmin e gëzueshëm. Bëj që të jem i vetëdijshëm për këtë gjë në jetën e përditshme.

21 Atëherë Jezusi, nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, klithi plot hare: »Të madhëroj, o Atë, Zotëruesi e qiellit e i tokës, pse ua fshehe këto të urtëve e të mençurve e ua zbulove të vegjëlve! Po, o Atë, pse ty të pëlqeu kështu! 22 Gjithçka më dorëzoi im Atë! Askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit dhe atij, kujt Biri do t’ia zbulojë.«

Jezusi i bashkohet gëzimit të nxënësve më ketë klithje dhe lavdërim Shpirtit Shenjt. Falënderon dhe e madhëron Atin që të vegjëlve iu zbuloj veprën e vet. Edhe këtu e shohim logjikën e veprimit të Hyjit dhe të përgjigjes së njeriut në të. Të vegjlit janë të hapur para Hyjit dhe në thjeshtësinë e tyre e pranojnë Fjalën e tij. I vogël është gjithsecili njeri që ka zemrën e hapur dhe të thjeshtë. Kanë mundësi të jenë të diturit dhe të paditurit, fëmijët dhe të rriturit, shekullarët dhe njerëzit e kushtuar Hyjit. Ndërsa të urtit dhe të dijshmit janë ata që janë plotë krenari dhe zemërmbyllur. Ata i dinë të gjitha dhe i kuptojnë të gjitha. Njerëz të tillë ka gjithashtu në mesin e të urtëve dhe të diturve, mes fëmijëve dhe të rriturve, shekullarëve dhe të kushtuarve Hyjit. Në mesin e kujt jam unë? A jam i vogël dhe në këtë mënyrë i hapur për ta pranuar Zbulesën e Hyjit?

23 Pastaj u kthye kah nxënësit dhe u tha atyre veçanërisht: »Lum sytë që shohin çka po shihni ju! 24 Juve po ju them: shumë profetë e mbretër dëshiruan të shohin çka po shihni ju, por nuk panë; të dëgjojnë çka po dëgjoni ju, por nuk patën fat të dëgjojnë.«

Nxënësit vërtetë ishin të gëzueshëm dhe të lumtur sepse kishin mundësi ta shikonin Jezusin drejtpërdrejt dhe të komunikonin me të. Kjo mundësi nuk iu dha secilës brezni. Mirëpo Zotëria na dhurohet edhe neve, por në një mënyrë tjetër. Kemi nevojë për sytë e fesë që ta shohim dhe ta njohim. Këtë gjë dinin ta bënin shenjtërit. Shën Tereza dinte të thoshte plot me fe: “po të më thonin se Jezusi është i pranishëm para shtëpisë sime, nuk do të shkoja për ta parë, sepse e kam të pranishëm në tabërnakull dhe secilën ditë me viziton në Kungim. Besoj, por më shumë së syve të trupit tim ju besoj syve të fesë sime. Sytë e trupit tonë mund të gënjehen, sytë e besimit jo.

O Zot, hapi sytë e fesë sime që të shikoj me zemër. Që të përjetoj në brendinë e qenies sime.

 

 


Current track

Title

Artist