Shenjti i ditës: 6 tetor – Shën Bruno, meshtar, themelues (1032 – 1101)
Written by Radio Maria on October 5, 2017
Shenjti i ditës: 6 tetor – Shën Bruno, meshtar, themelues (1032 – 1101)
I edukuar në Gjermani (kishte lindur në Këln nga familja fisnike e Hartefaust), veproi në Francë dhe Itali. Pasi u emërua kancelar i dioqezës së Raims, e paditi vetë ipeshkvin Manase për simoni. Iu desh të shkonte në Këln derisa ipeshkvi nuk u hoq nga Koncili i Leonit. Bruno u kthye në Francë dhe u vendos nën drejtimin e shën Robertit në vetminë e Solesmes. Pastaj me shokë të tjerë kërkoi një vend më të vetmuar për të ngritur një kuvend të tijin. Mori si dhuratë nga ipeshkvi i shenjtë i Grenobles, Ugo: një luginë të tërë të vetmuar, të quajtur Kartusia, mes Alpeve të Delfinatit. Lindi në vitin 1078 kuvendi i parë i certozinëve, ai që më pas do të quhet Grande Chartreuse, shtëpia nënë e certozinëve. Murgjit e ndërronin Liturgjinë e Orëve me punët e krahut. Ishte vendi ideal që Bruno e kishte ëndërruar gjithnjë. Por qëndroi pak. Një dishepull i tij, pasi u bë papë me emrin Urbani II, e thirri në Romë si këshilltar. Bruno mori me vete murgjit e tij dhe përshtati si kuvend termet e Dioklecianit, që u kthyen më pas në bazilikën e madhe mikelangjoleske të Shën Marisë së Engjëjve.
Ishin kohëra trazirash të mëdha në Romë dhe grupi fitimtar i antipapës e detyroi Urbanin II të strehohej në Meridione. Bruno i qoi në Grenoble murgjit e tij dhe në ndjekje të papës kërkoi në Kalabri vendin e përshtatshëm për të themeluar një kuvend të dytë. E gjeti në lokalitetin që sot mban emrin e tij, Serra San Bruno, në zemër të Silas, «një fushë e gjerë dhe e qeshur, e rrethuar nga kullota të gjelbëruara dhe të qëndisura me lule», u shkruan Bruno murgjve të tij. «Kjo paqe që bota e mohon është pikërisht ajo paqe që dhuron gëzimin e Shpirtit Shenjt». Konti Rugjeri, dukë i Pulies dhe kont i Kalabrisë, që i kishte dhuruar tokën, mori si shkëmbim miqësinë dhe udhëheqjen e çmuar të vetmitarit të shenjtë. I cili, duke u ndjerë afër vdekjes, mblodhi rreth vetes murgjit dhe paraqiti fenë e tij në misterin trinitar dhe euharistik. Vdiq me 6 tetor, ditë në të cilën përkujtohet. Trupi i tij, i gjetur i paprishur deri në vitin 1513, është varrosur në kuvendin aktual të Serra San Bruno në provincën e Katancaros. Shenjti është thirrur gjithnjë kundër shpirtrave të këqinj.