Shenjti i ditës: 4 tetor – Shën Françesku i Asizit, pajtor i Italisë (1181 – 1226)
Written by Radio Maria on October 3, 2017
Shenjti i ditës: 4 tetor – Shën Françesku i Asizit, pajtor i Italisë (1181 – 1226)
Ky gjigant i shenjtërisë, fizikisht ishte me shtat të ulët, me mjekër të vogël e të rrallë dhe të errët ndërsa në planin kulturor ishte akoma më i thjeshtë. Njihte gjuhën provansale që ia kishte mësuar i ati, sepse kishte bërë disa lexime tekstesh kavalereske. Ishte një shitës i shkathët stofërash, pranë një babai që ia mbushte kuletën me monedha. Françesku në mbrëmjet e gëzueshme me miq nuk i llogariste shpenzimet. Mori pjesë në luftrat e qytetit dhe njohu poshtërimin e disfatës dhe të një viti burgosje nga perugjianët. Në kthim u armatos kalorës nga konti Gualtieri dhe ishte gati për t’u nisur për në Pulia; por në Spoleto «iu duk se pa», tregon shën Bonaventura në biografinë e tij të famshme, «një pallat të mrekullueshëm e të bukur, me shumë armë brenda të shënuara nga kryqe, dhe një zë që vinte nga qielli: Janë të tuat dhe të kalorësve të tu». Interpretimi i ëndrrës i erdhi ditën më pas: «Françesk, kush mund të të bëjë më mirë, padroni apo shërbëtori?». Françesku e kuptoi, u kthye mbrapsht, braktisi përfundimisht shoqëritë gazmore dhe ndërsa ishte i përqëndruar në lutje në kishën e Shën Damianit dëgjoi qartë ftesën: «Françesk, shko e përtërije kishën time, që siç sheh, po shkatërrohet».
I riu nuk e zgjati dhe para ipeshkvit Guidos, tek i cili i ati e kishte dërguar me forcë për ta bindur, u zhvesh nga të gjitha veshjet dhe ia ktheu prindit. U bë murator dhe restauroi mjaft mirë tri kisha të vogla fshati, mes të cilave shën Maria e Engjëjve, e quajtur Porziunkola. Një frazë ndriçuese e Ungjillit i tregoi rrugën që duhej të ndiqte: «Shkoni e predikoni… Shëroni të sëmurët…Mos merrni as strajcë udhëtimi, as dy palë petka, as të mbathura, as shkop». Në pranverën e vitit 1208 njëmbëdhjetë të rinj ishin bashkuar me të. Ai shkroi rregullën e parë të Urdhërit të fretërve minor, të aprovuar me gojë nga papa Inoçenti III, pasi që fretërit ishin pritur në audiencë, mes habisë dhe zemërimit të kuries papnore para këtyre të rinjëve të zbathur e të veshur keq. Por ai kundërshtues paqësor mori edhe aprovimin solemn të pasardhësit Onoriut III me vulën Solet annuere, me 29 nëntor 1223. Vitin më pas, në vetminë e Vernas Françesku mori vulën e Mundimit të Krishtit, me plagët e ngulura në gjymtyrët e tij. Pastaj me afrimin e «motrës Vdekje improvizoi Këngën e tij të fratit Diell, si himn përfundimtar në predikimin e fretërve të tij. Në fund, kërkoi të çohej në Porciunkolën e tij dhe të vendosej në tokën e zhveshur, ku u shua nën këngën e psalmit Voce mea në mbrëmjen e 3 tetorit.