Shenjti i ditës: 1 tetor – Shën Tereza e Jezusit Fëmijë, karmelitane (1873 – 1897), mësuese e Kishës

Written by on September 30, 2017

Shenjti i ditës: 1 tetor – Shën Tereza e Jezusit Fëmijë, karmelitane (1873 – 1897), mësuese e Kishës

  

«Shenjtëresha e buzëqeshjes», e cila «i ishte kushtuar Jezusit Fëmijë për të qenë vegla e tij, një top pa asnjë vlerë, që të mund të hidhej për tokë, të gjuhej me këmbë, të lihej në një qoshe», këtë ofrim të sajin Jezusi Fëmijë e mori seriozisht. Dhe nuk do ta kishim ditur kurrë se sa vuajtje fshiheshin pas atij trishtimi të qetë e të përmbajtur nëse ajo vetë, për dëgjesë, nuk do t’ia kishte besuar fletoreve të saj të pakrahasueshmen Historinë e një shpirti që zbuloi forcën e saj të jashtëzakonshme të brendshme. Marie Françoise Thérèse Martin, një vajzë e re me bukuri të dukshme, mbeti jetime nga nëna që në moshën katër vjeçare, e rritur në Alençon afër një babai të dashur e të mirë, në moshën katërmbëdhjetë vjeçare mundi të hynte me falje të veçantë në Karmelin e Lisieux, ku dy motra e kishin paraprirë ndërsa e treta do t’i kishte ndjekur. E bëri me hapa të mëdhenj ecjen drejt shenjtërisë «duke i hedhur Jezusit lulet e flijimeve të vogla» që nuk ishin të vogla, siç nuk ishte e lehtë përmbajtja në mësimin e «fëmijërisë shpirtërore», të diktuar jo nga tendenca krejtësisht femërore për të përdorur zvogëlues dhe përkdhelës, por nga një përshpirtëri e vërtetë dhe e fortë, në harmoni me thënien e Ugjillit që «të bëhemi të vegjël si fëmijët».

Në nëntë vitet e klauzurës Tereza la një shenjë të thellë, duke i ofruar botës së krishterë imazhin e habitshëm të një murgeshe të re, e cila megjithëse e mbyllur në klauzurën e rreptë të Karmelit jetoi e zhytur në jetën kishtare, aq sa u shpall në vitin 1927, dy vite pas kanonizimit, pajtore e Misoneve me shën Françesk Saverin, dhe në vitin 1944 bashk – pajtore e Francës përkrah luftëtares shën Zhan d’Ark. Piu X nuk ngurroi ta përcaktonte si «shenjtëreshën më të madhe të kohërave moderne». Me 19 nëntor 1997 Gjon Pali II e ka shpallur Mësuese të Kishës, e treta që e ka marrë këtë nderim, pas Katerinës nga Siena dhe Terezës së Avilës. Tereza e Lisieux dëshironte të ishte çdo gjë, luftëtar, misionar, apostull, pastaj pati nuhatjen: dashurinë! «Në zemrën e Kishës, nënës time, do të jem dashuria».


Current track

Title

Artist