Shenjti i ditës: 30 shtator – Shën Jeronimi, meshtar e mësues i Kishës (340 – 420)

Written by on September 29, 2017

Shenjti i ditës: 30 Shtator – Shën Jeronimi, meshtar e mësues i Kishës (340 – 420)

 

Euzeb Jeronim Sofroniu, lindi në Stridone në Dalmaci, është romak për nga formimi. Madje ciceronian. Ishte i tërhequr më shumë nga latinët klasikë se sa nga Shkrimi shenjt, aq sa në një ëndërr dëgjoi qortimin: «Ti je ciceronian, jo i krishterë!». Dhe që nga ai moment iu betua vetes të mos jepej pas gjërave mondane: «Zot, nëse do të mbaj akoma në dorë libra mondan, nëse do t’i lexoj, do të jetë njësoj si të të kisha mohuar!». Shpirt enciklopedik, shkrimtar me stil të qartë dhe të ngjeshur, ishte në gjendje të matej me këdo për latinishten, greqishten dhe hebraishten. U bë biblisti më erudit i kohës së tij dhe prandaj nuk pranonte kritika përsa u përket egzegjezave. Përvujtëria nuk ishte virtyti i tij i parë. Sedërmadh, por me personalitet të fortë, përpiqej të zbuste ashpërsinë e karakterit të tij duke bërë edhe ushtrime të ashpra pendese, si p.sh duke rrahur gjoksin e zhveshur me një gur. Por nuk u kursente sarkazma miqve si Ambrozit të Milanos dhe Bazilit të Kapadokisë.

Ishte i ashpër edhe me mikun e madh Augustinin e Iponës, kur ky i bëri një shënim për një koment të tijin të bërë Shkrimit: «Që i ri», iu përgjigj me letër nga vetmia e tij në Betlehem, pasi ishte tërhequr pas bashkjetesës së vështirë me klerin romak, «kam qenë i përpirë nga dëshira e mësimit. Nuk e kam pasur asnjëherë pretendimin e autodidaktikës siç e kanë shumë…». Ishte i vetëdijshëm se mund të jepte një kontribut të madh në studimet biblike dhe se kishte fituar një vend me rëndësi në historinë e Kishës. Nuk ngurroi të radhitej mes «njerëzve të shquar», në enciklopedinë e tij të «të mëdhenjëve» të krishtërimit, që nga shën Pjetri… deri tek Euzeb Jeronim Sofroniu! Ai ka meritën e përkthimit në latinisht të Beslidhjes së Vjetër dhe të Re, që u bë, me titullin Vulgata, Bibla zyrtare e krishtërimit. Frushkullues i madh i hipokrozive, Jeronimi e braktisi Romën pas vdekjes së mikut të tij shën Damasit papë, i hidhëruar nga zërat shpifës mbi llogarinë e tij. Kishte themeluar një rreth asketik në Aventino, në të cilin kishte mbledhur disa zonja të aristokracisë, mes të cilave Marçela, Paola me vajzën Eustokio, të cilat e ndoqën në shkretinë e Betlehemit, në kuvendin jo shumë larg nga Kisha e Lindjes së Jezusit. Jeronimi zhvilloi një punë të madhe. Këtu hartoi pjesën më të madhe të librave të tij mbi Biblën dhe shkroi shumë letra, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në jetën intelektuale dhe rregulltare të kohës së tij.


Current track

Title

Artist