Shenjti i ditës – 25 shtator: Shën Serxho, pajtor i Rusisë (1314 – 1392)
Written by Radio Maria on September 28, 2017
Shenjti i ditës – 25 Shtator: Shën Serxho pajtor i Rusisë (1314 – 1392)
Berthélemy, i cili pas kushteve rregulltare do të marrë emrin Sergjo, lindi në Rostov, në veri të Moskës. Me avancimin e barbarëve tartar, me prejardhje nga Mongolia, emigroi bashkë me familjen në Ranonéje. Nuk shkëlqente në mësime, pëlqente më shumë shatin se penën, e megjithatë ëndrra e tij ishte që të vishte veshjen e murgut. Por edhe në kuvende, përveç lutjes, ishte edhe detyra për të studiuar. Kështu pas vdekjes së prindërve, Berthélemy e bindi vëllain e madh ta ndiqte në zemër të një pylli për të ndërtuar një lloj kuvendi, ose më mirë një vend të vetmuar të pajisur me çdo gjë të domosdoshme për t’u mbrojtur nga ujqit dhe nga kafshët e egra. Ndërtuan para së gjithash një kapelë kushtuar të Shenjtërueshmes Trini.
Historia e monakizmit përsëritet në të gjitha vendet. Murgu vetmitar tërheq si një magnet të rinj të tjerë, të dëshirueshëm për vetmi e meditim në shkollën e një mësuesi jete shpirtërore. Ja që përreth kapelës ngrihen shtëpiza druri për të mirpritur dishepujt që strehohen nga çdo anë e Rusisë. Kohërat ishin të vështira. Plaçkitjet e tartarëve, që fatmirësisht nuk i donin pyjet (si gjithë popujt endacak), krijonin pasiguri. Kuvendi u bë kështu një pikë tërheqje të fortë. Kuvendi i Trinisë u mbush me murgj dhe patriku i Kostandinopojës, nga i cili varej Kisha në Rusi, i imponoi murgut Sergjos, të zgjedhur abat, rregullën e vjetër të kuvendit, duke e kufizuar atë liri rregulltare nën mësimin e të cilës kishte lindur kuvendi i parë rus. Murgjit e abatit Sergjos i kishin vënë vetes detyrë ta jetonin në mënyrë të rreptë e rrënjësore varfërinë ungjillore dhe dashurinë vëllazërore, sipas motos augustiniane: «Duaj dhe bëj çfarë të duash». Nuk qe e lehtë për abatin Sergjon t’i nënshtrohej urdhërit të patrikut, por pranoi dëgjesën. Kur ishte nevoja për të shkuar në ndihmë të atdheut të kërcënuar nga pushtuesit, Sergjo e la vetminë e qetë të kuvendit dhe u bashkua me princin Dhimitri i cili përgatitej për të luftuar me mongolët në afërsi të Kulikovos. Prania e tij ndezi shpirtin e ushtarëve dhe qe një fitore përfundimtare për fatet e Rusisë. Sergjo u kthye në kuvendin e tij që ishte dhe është akoma qendra e teologjisë dhe e përshpirtërisë së Kishës ortodokse ruse.