Shenjti i ditës – 26 shtator: Shën Kozma e Damiani, martir (+303)

Written by on September 25, 2017

Shenjti i ditës – 26 shtator: Shën Kozma e Damiani, martir (+303)

 

Dy martirët me profesion mjek, ishin binjakë, të lindur në Arabi. Sipas traditës, shkuan në Siri për të përfunduar studimet e mjeksisë, u vendosën në Egjera, në Cilici, për të ushtruar profesionin e tyre. Shëronin më shumë me ndihmën e dhuntive mbinatyrore, si mrekullibërës të vërtetë, se sa si mjek. Ose më mirë, e kthenin profesionin e tyre në një ushtrim dashurie dhe nuk kërkonin lekë për punën e tyre, kur i sëmuri nuk e kishte mundësinë. Morën kështu nofkën anargyroi, do të thotë «të palekët». Aktivitetit të tyre mjekësor ia bashkuan atë misionar, duke kthyer shumë të sëmurë në krishtërim. Megjithë famën si shërues, gjatë persekutimit të Dioklecianit u arrestuan me urdhërin e qeveritarit të Cilicisë, Lisias, i cili për t’i shtyrë të mohonin fenë e tyre nuk ngurroi t’i torturonte. Pas torturës, kokprerja. Trupat e dy martirëve u çuan në Siri dhe u varrosën në Ciro.

Më vonë, perandori Justiniani, duke u qenë mirënjohës dy martirëve me ndërmjetësimin e të cilëve u shërua nga një sëmundje e rëndë, ndërtoi një kishë në nder të tyre duke zbukuruar e fortifikuar vetë qytetin. Kulti i tyre, pasi u përhap në Lindje, menjëherë pas vdekjes së tyre, u përhap shpejt në Evropë, dhe u mbajt i gjallë falë legjendave të bukura mbi këta dy martirë, që mjekët i zgjodhën pajtor të tyre, edhe pse pak e ndjejnë për t’i imituar në honorare. Emrat e tyre përmenden në Lutjen e parë Euharistike, shenjë e një përshpirtërie të përhapur, veçanërisht në Mesjetë. Roma u ka kushtuar bazilikën e bukur në Foro Romano. Familja e pasur fiorentine e Medici i zgjodhi të dy si pajtor, duke preferuar në onomastikë të parin, Kozmain ose Kozimon. Përkujtimi i tyre i spostuar një ditë kur «kujtimi» i shën Vinçenc de’Paolit u bë i detyrushëm, i korrespondon kushtimit të bazilikës romake të bërë nga papa Feliksi IV (526 – 530).


Current track

Title

Artist