MEDITIMI I DITËS – ZBATOJ FJALËN
Written by Radio Maria on September 25, 2017
Lk 8, 19-21 ZBATOJ FJALËN
Kërkoj hirin: që të di ta dëgjoj Fjalën e Hyjit dhe ta zbatoj.
Në atë kohë, 19 nëna e Jezusit dhe vëllezërit erdhën ta shohin por s’mundën të afroheshin tek ai prej popullit.
Shën Luka ka dëgjuar, sigurisht, nga goja e Marisë, Nëna e Jezusit çdo gjë që ajo ka jetuar me Të. Aq shpesh ka folur më të për këto gjëra. Shën Luka e ka kuptuar se si edhe Maria rritej në besimin e saj që nga Lajmërimi e deri Rrëshajve. Në këtë fe fjeti dhe u ngrit në qiell, në lumturi në të cilën Biri i saj ia bashkoj përgjithmonë lavdisë së Trinisë së shenjtë dhe të gjithë qiellorëve. Në këtë gjë, Maria për ne është shembull i jashtëzakonshëm se si duhet të rritemi dhe si duhet të piqemi në besim. Ajo është besimtarja e parë në Besëlidhjen e Re. Gjatë gjithë jetës ju desh të jep përgjigje në besim. Ajo nuk e dinte aspak se ku e dërgonte premtimi që ia dha Engjëllit Gabriel, por kishte besim të pakufishëm në Fjalën e Hyjit. Vetëm në besim të thellë pati mundësi ta shqiptojë po-në e saj.
Marisë i kujtohet çasti kur të afërmit e saj më çdo kusht dëshironin ta takonin Jezusin. Qartë kishin diçka shumë të rëndësishme, derisa dëshironin dhe kërkonin para të tjerëve që të takohen dhe të bisedojnë më të. Sjelljet dhe veprimet e Jezusit i kishin befasuar të gjithë; kur e la Nazaretin, kur filloj të predikoj dhe të bëj mrekulli. Jezusi i befasoj. Ata dëshironin që ai të vazhdonte të ishte i thjeshtë, i qetë, një në mesin e djemve të ri në Nazaret. Qartë, dëshironin t’ia mbushnin mendjen dhe t’i tregonin se ajo që bënë nuk është mirë. Si të kishin frikë të vinin vetëm, prandaj e thirrën edhe Nënën e tij. E thirrën ose e detyruan? Si e ndjente Maria veten në këtë çast?
20 E lajmëruan: “Nëna jote e vëllezërit e tu, janë jashtë e dëshirojnë të të shohin.”
Skena nuk është e zakonshme. Rreth Jezusit është turma e madhe e njerëzve sa që të afërmit e tij, thjesht nuk kanë mundësi që t’i afrohen. Ju duhet të rrinë jashtë dhe të presin që Jezusi të vij tek ata. Njerëzit që kanë ardhur nuk dëshirojnë aspak që të largohen prej Jezusit, edhe pse të afërmit e tij dëshirojnë ta shohin. Ata ishin të mbartur dhe të goditur më fjalët që thoshte.
Ja shembulli se si duhet dëgjuar Jezusin. Ne, shumë herë rrimë në fundin e Kishës, si të kishim frikë të dalim përpara. Shumë, fatkeqësisht, mbesin jashtë saj, e erdhën për ta dëgjuar fjalën e Jezusit, erdhën për ta zbatuar urdhrin e Hyjit. Jo vetëm kjo, por ata dinë shumë herë të arsyetohen, se si kanë ardhur në një bisedë që ata e bëjnë e jo në Meshë, për ta takuar Zotërinë.
A ekziston në mua ndopak dëshira e këtyre njerëzve që dëshirojnë vazhdimisht të rrinë me Jezusin? Çfarë është etja ime për Fjalën e tij? Psalmisti dikur klithi: «Për ty ka etje, shpirti im, si toka e thatë, e shkretë dhe pa ujë» Kjo është lutje e mrekullueshme. Këtë lutje e kishte realizuar turma e njerëzve që vazhdimisht dëshironte të rinte afër Jezusit, aq sa nuk i lejonte as të afërmit e tij që t’i afroheshin.
21 Ai iu përgjigj: “Nëna ime e vëllezërit e mi janë këta që e dëgjojnë dhe e zbatojnë Fjalën e Hyjit.”
Më reagimin dhe përgjigjen e vet, Jezusi i befasoj përsëri. Ky ishte rasti i volitshëm që ta përmblidhte krejt mësimin që kishte bërë deri më tani. Toka e mirë janë ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë. Prandaj japin fryt. Dritëza që bënë dritë janë ata që e dëgjojnë dhe e zbatojnë fjalën e Hyjit. Prandaj shndrisin. Sado që kjo përgjigje të ketë qenë e fortë për veshtë e të afërmve të Jezusit, është ngushëlluese; jo vetëm për ata që e dëgjuan drejtpërsëdrejti, por edhe për të gjithë ne sot.
O Zot, përsëri na befasove. Ne, në vendin tënd do të vraponim duke i braktisur të gjithë që të takoheshim me njerëzit tanë. Jo, ti nuk tha se të afërmit e tu nuk të interesojnë dhe të shkojnë atje prej nga erdhën. Ti vetëm dëshiron që gjërat t’i vendosesh në vendin e vet dhe në dritën e tyre. Dëshiron të thuash: ekzistojnë kriteret me të cilat duhet përputhur interesat, të drejtat, lidhjet e gjakut dhe çdo gjë të jetës sonë. Është dikush drejt të cilit duhet të drejtohen të gjithë dhe të gjitha gjërat. Ky është Zotëria dhe fjala e tij që duhet dëgjuar dhe zbatuar. Këtë gjë nuk duhet ta harrojmë, përndryshe do ta prishim radhën e vlerave.
Pali apostull thotë: Fjalën e ke afër, në gojën dhe në zemrën tënde. Së pari duhet dëgjuar që të ketë mundësi të banojë në zemrat tona. Vetëm atëherë ajo ka mundësi të zbres prej buzëve tona. Kur është kështu, atëherë jemi bërë në përngjasimin e Krishtit, atëherë nuk jetojmë më ne, por në ne jeton Krishti; siç thoshte Shën Pali nga përvoja e jetës që bënte.
O Zot, më ndihmo që ta kuptoj çfarë do të thotë ta zbatosh fjalën e Hyjit. Ku duhet të zbatoj praktikisht parimet e tua? Ndoshta i ndërlikoj gjërat pak shumë? Ti je i thjeshtë. Më duhet vetëm të sillem rreth vetes dhe të shoh se kush ka nevojë për mua dhe kush më thërret. Jo në ndonjë botë të menduar, por këtu, në familjen, bashkësinë rregulltare, famullinë, vend punimin, rrethin e të afërmve të mi. Këtu zhvillohet jeta ime. Këtu duhet të zbatohet praktikisht Fjala jote. Poeti këtë gjë e shprehi fuqishëm kur klithi: O Hyj, më djeg Fjala jote sepse është ngushtë në grykë, dëshiron shpërthej që të dëgjohet.