MEDITIMI I DITËS – DRITA E FJALËS
Written by Radio Maria on September 24, 2017
Lk 8, 16-18 DRITA E FJALËS
Kërkoj hirin: që ta dëgjoj me kujdes Fjalën e Hyjit që ajo të më shndrisë.
Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: 16 “askush nuk e ndez dritëzën për ta vënë nën ndonjë enë ose për ta vënë nën shtrat, por e vë përmbi pishtar që ta shohin dritën ata që hyjnë.
Në botën moderne kemi shumë pak raste të ndezim dritëzën, siç bënin dikur të parët tanë. Nuk dimë as se si dukeshin dritëzat, ndërsa qiratë i ndezim vetëm në ritet fetare ose në festa të veçanta. Jemi mësuar tashmë me dritën elektrike. Mirëpo edhe ajo na ndihmon që ta kuptojmë Bisedën e Jezusit për dritëzën e ndezur. Aq më shumë, se kur e vendosim dritën në shtëpitë tona jemi shumë të kujdesshëm për ato dhoma në të cilat na nevojitet shumë dritë, ku do ta vendosim që të na shndrisë sa më mirë. Të gjitha këto na tregojnë se sa e rëndësishme është drita në jetën tonë. Asnjëri prej nesh nuk do t’i mbulojë as nuk do tu zë dritën llambave që shndrisin, përveç kur nuk u nevojitet drita. Ato ndizen për të na shndritur në errësirë dhe janë vendosur në atë mënyrë që të ndriçojnë çdo gjë për të cilën kemi nevojë. Kështu bënin edhe në kohërat e vjetra. I ndiznin dritëzat dhe i vendosnin në vendet më të përshtatshme prej të cilave ndriçonin çdo gjë. A flet këtu Jezusi vetëm për dritëzën e thjeshtë? Ose ndoshta më këtë krahasim të qartë dëshiron të thotë një gjë më të thellë dhe më të rëndësishme?
17 Jo po, s’ka asgjë të fshehtë, që nuk do të zbulohet, as fshehtësi që nuk do të dihet e nuk do të dalë në dritë.
Çfarë do të dëftohet, çfarë do të dal në dritë? Çfarë është e mbuluar që do të zbulohet? Për cilën dritëz na flet Jezusi? Sigurisht që bëhet fjalë për dritëzën e veçantë që duhet ta ndriçojë secilin njeri, dritëzën që zbulon çdo gjë dhe nuk lë në errësirë asgjë. Kjo dritëz është Fjala e Hyjit. Jezusi e ndez në nxënësit e vet, në këtë grup të vogël që është pothuajse i panjohur dhe në fshehtësi, që një ditë do të bëhet zjarr që do të shndrisë, do të zbulojë çdo gjë dhe do të nxjerr në dritë. Shumë gjëra për të cilat flet Jezusi, nxënësit nuk i kuptojnë dhe janë të fshehta, por do të vij dita kur nën dritën e Shpirtit Shenjt të gjitha do të shndritën dhe do të bëhen të qarta.
Secilit prej nesh iu dhurua Fjala e Hyjit. Ajo është në ne sikur dritëza e ndezur. Varët prej nesh se në cilin vend e kemi vendosur që të shndrisë në ne dhe rreth nesh. A është kjo dritëz që veç sa timon ose ndoshta shndritë çdo gjë më dritën e fuqishme? Çdo gjë varet nga feja ime.
O Zot, më sakramentin e Pagëzimit e ndeze dritën e fesë në shpirtin tim. Çfarë mbeti nga kjo dritë? A kam frikë të shikoj, sepse këtë dritë e kam mbuluar me mbulesën e frikës, mohimit dhe të tradhtive? Ajo është mbuluar më shumë vogëlsira për të cilat mendoj se për mua kanë domethënie të madhe e të cilat i mbaj dhe i konsideroj aq shumë. Më ndihmo që Fjalën tënde ta vendos në vendin e përshtatshëm, në vendin më të rëndësishëm të jetës sime, dhe le të ndriçojë më vajin e zemrës sime. Le të shndris në mua dhe rreth meje. Le të digjet deri në fund, e le të kushtojë sa të kushtojë.
18 Prandaj kini kujdes si dëgjoni:
Jezusi na tërheq vërejtjen për një përmasë shumë të rëndësishme në jetën tonë si të krishterë. Kini kujdes si dëgjoni! Ne kemi mundësi të dëgjojmë dhe asgjë mos të kuptojmë. Gjithashtu kemi mundësi të dëgjojmë vetëm ato gjëra që na pëlqejnë e të mos i dëgjojmë ato gjëra që nuk na pëlqejnë. Së pari më duhet ta dëgjoj Fjalën e Hyjit që ajo të bëhet vepruese në jetën time. Më duhet të kem kujdes dhe të jem i përqendruar që të mund të dëgjojë atë gjë që më thotë Zotëria. Kjo gjë i përket në mënyrë të veçantë asaj pjese të Meshës së shenjtë në të cilën në tryezë është fjala e Hyjit që e dëgjojmë duke lexuar Shkrimin e shenjtë. A dëgjoj atëherë çfarë më thotë Zotëria në leximet që lexohen? A e shikoj me sytë e Shpirtit Zotërinë që më flet e që dëshiron që ta dëgjoj? A di të ulëm tek këmbët e tij dhe ta dëgjoj?
O Zot, aq shpesh në Meshën e shenjtë nuk i dëgjoj aspak fjalët e tua. Ja i shkapërderdhur dhe i lodhur nga problemet që me shtypin. Më duhet të gjitha këto që t’i paraqes dhe në porosinë tënde të gjej nxitjen për t’i zgjidhur të gjitha gjërat që më mundojnë. Më ndihmo që të të dëgjoj! Mi hap veshtë për Fjalën tënde, edhe sytë, që të shikoj rreth meje botën të cilës më duhet t’i ndihmoj. Bëj që të dëgjoj sinqerisht, sikur nxënësi që me vesh të hapur thith çdo fjalë që mësuesi ia thotë. Që të dijë të ndalem gjatë ditës, ta hap Biblën dhe të dëgjoj se çfarë më thua.
sepse, kush ka, do t’i jepet më, kurse atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që kujton se e ka.”
Ai që ka, dhe e vë në punë çdo ditë atë gjë që ka, e shton dhe e shumëzon pasurinë e vet. Ky është ligji i shumëzimit të talenteve që behet më bashkëpunim duke përdorur dhuratat e Hyjit. Ai që nuk punon dhe nuk bashkëpunon, humb atë që ka. Edhe feja ime do të shndris dhe do të rritet në qoftë se krishterimin tim përpiqem ta jetoj në mënyrë konkrete. Në qoftë se këtë gjë e bëj vetëm ndonjë herë, nuk duhet të mrekullohem që e kam fenë e dobët dhe që mosbesimi me mundon.