MEDITIMI I DITËS – ROLI I SHËRBIMIT
Written by Radio Maria on September 21, 2017
Lk 8, 1-3 ROLI I SHËRBIMIT
Kërkoj hirin: që të di ta çmoj rolin e shërbimit në shpalljen e mbretërisë së Hyjit.
Në atë kohë, 1 Jezusi përshkoi qytete e fshatra duke predikuar e duke kumtuar Ungjillin e Mbretërisë së Hyjit.
Duke lexuar këtë fjali dhe duke u përpjekur që të hyjmë në thellësinë e përmbajtjes së saj dhe në atë që dëshiron të thotë, shohim se Jezusi më vendosmëri niset për të predikuar. Shkon sipas radhës dhe planit. Nga fshati në fshat dhe nga qyteti në qytet. Nuk tejkalon asnjë fshat dhe asnjë qytet. Thjeshtë, Zotëria dëshiron të gjithëve tu predikojë Ungjillin, prandaj u nis me vendosmëri për të kryer misionin e tij. Ne sot jemi mësuar me fjalën Ungjill dhe shumë herë nuk e kuptojmë, edhe më pak e përjetojmë dhe ndjejmë se çfarë fshihet në këtë fjalë. Jezusi e shpall Lajmin e gëzueshëm, Lajmin e mirë. Ky është Ungjilli, këtë përmbajtje ka fjala Euangeilion. Në qetësinë e zemrës më duhet të ndjej krejt bukurinë, mirësinë dhe fuqinë e kësaj fjale e cila në vetvete përmban të gjitha ato gjëra të cilat Jezusi i solli dhe ia shpalli njeriut. Ky është Lajmi i gëzueshëm i shëlbimit. Kjo është thirrja në kthim. Ky është ndërtimi i rrugës na toka drejt qiellit, drejt Atit qiellor. Nëpër këtë rrugë ne shkojmë drejt shëlbimit. Rrugë tjetër nuk ka. Në të vërtetë, Jezusi është rruga dhe tjetër shëlbim nuk ka përveç në të dhe nëpër të.
Kjo është thirrja që i bëhet secilit misionar sot, secilit predikatar, që ta predikojë Ungjillin e Jezusit dhe ta shpjegojë Lajmin e gëzueshëm. Askurrë nuk do të bëjmë sa duhet, as nuk do të hyjmë mjaftueshëm në thellësi të kësaj fjale dhe kuptimin e saj nuk do ta marrim deri në fund. Kur ipeshkvi ose meshtari predikon, atëherë ai nuk predikon për çfarëdo dhe për cilindo. Ata e predikojnë porosinë e gëzueshme që Hyji e dha për njeriun. Ata e predikojnë Ungjillin, Lajmin e gëzueshëm për Mbretërinë e Hyjit, Lajmin e mirë që e solli Jezusi.
O Zot, Jezus, të falënderojmë që me Ungjillin tënd në jetën tonë e vendos shpresën dhe optimizmin. Të falënderojmë që na solle shëlbimin dhe na hape derën e shëlbimit. E di se për shkak teje çdo gjë ka kuptim në jetën time. E di se asnjëra rrugë, që ecën në Rrugën tënde, nuk ka mundësi të jetë pa kuptim. Të falënderojmë për këtë siguri dhe për këtë njohuri.
E përcillnin të Dymbëdhjetët 2 dhe disa gra që kishin qenë shëruar nga shpirtrat e ndytë e sëmundjet:
Në këtë rrugë Jezusi nuk është i vetmuar. Atë e përcjellin nxënësit e tij, të Dymbëdhjetët. Ata janë përcjellësit besnik. Dëgjojnë dhe shikojnë çfarë thotë dhe çfarë bënë Mësuesi i tyre. Ata mësojnë, por jo nga librat, por nga jeta konkrete. Jezusi i thirri që të vinë dhe të shohin. I thirri që të jenë peshkatar të njerëzve. Tani ata mësojnë se si do të zënë peshk, nga fshati në fshat dhe nga qyteti në qytet.
Përveç të Dymbëdhjetëve, pas Jezusit shkonin edhe disa gra. Kjo gjë ishte e padëgjueshme deri atëherë, që ndonjë rabin të ketë si nxënëse edhe gratë. Gruaja ishte përjashtuar nga jeta publike dhe e përbashkët. Kishte mundësi të vinte në sinagogë dhe të merrte pjesë në lutje, por nuk ishte e detyruar ta bënte këtë gjë. Sipas rregullave, liturgjia do të fillonte kur janë bashkuar së paku dhjet burra, gratë nuk numëroheshin në këtë numër. Këtu e kemi të qartë se pa lejen e Jezusit gratë nuk patën mundësi të shkojnë pas tij. Kjo do të thotë se ai iu lejoi dhe në njëfarë mënyre i përfshiu në mesin e nxënësve të vet. A do të thotë kjo se i thirri? Është e qartë se më qëndrimin e vet tregoi se gruaja është e thirrur dhe e pranuar që të shërbej si nxënëse në Mbretërinë e qiellit, në Mbretëri të cilën Jezusi e shpall. Edhe ajo e ka vendin e vet në shpalljen e Lajmit të gëzueshëm të Jezusit.
Maria e quajtur Magdalenë, prej të cilës pati dëbuar shtatë djaj, 3 Gjonia, e shoqja e Huzës, kujdestarit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera që me pasuritë e veta e ndihmonin Jezusin e nxënësit.
Shën Luka, është i vetmi ungjilltar që i përmend emrat e tyre. Disa prej tyre përjetuan hire të veçanta nga Jezusi siç ishte Maria Magdalenë. Mirëpo gjëja më e rëndësishme ishte se Jezusi iu dhuronte dinjitetin të cilin edhe e meritonin. Ai i pranon në rrethin e nxënësve të vet dhe e bënë atë gjë që nuk e bënë asnjë rabin tjetër deri atëherë. Më këtë gjë e tregon dinjitetin që kanë si fëmijë të Hyjit. Ato Jezusit dhe nxënësve ua kthyen njëqind fish me mirënjohje, sepse i ndihmonin me të mirat e veta. Predikimi i Ungjillit kërkon edhe të mirat materiale. Dikush duhet të kujdesët për logjistikën që ata që janë shpallësit e drejtpërdrejt në vijat e para të kenë mundësi sa më mirë dhe sa më zell ta predikojnë Lajmin e gëzueshëm. Kjo punë që nuk shihet dhe që kryhet në përvujtëri është e domosdoshme dhe më vlerë shumë të madhe. Në të vërtetë, predikimi i drejtpërdrejt ka nevojë për ndihmën që nuk duket, të cilën e japin shumë njerëz që kanë merita të veçanta para Hyjit. Këto dy veprime e përplotësojnë njëri-tjetrin dhe njëri pa tjetrin nuk mund të përparojnë.
O Zot, të falënderoj që në rrethin tënd ishin edhe gratë si nxënëse. Ato të ndihmuan në mënyrën e tyre në misionin tënd. Puna e tyre ishte punë e fshehur dhe e panjohur, por ti ia dha vlerën që kishte. Më ndihmo edhe mua që ta marrë pjesë sa më shumë në punë të tilla të cilat nuk njihen publikisht, sepse janë të thjeshta dhe të panjohura, por shumë të nevojshme për shpalljen e Mbretërisë sate.