MEDITIMI I DITËS – THEMELI I FORTË

Written by on September 15, 2017

Lk 6, 43-49 THEMELI I FORTË

 

Kërkoj hirin: që të kuptoj çfarë do të thotë të ndërtoj në shkëmb.

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet, 43 Nuk ka pemë të mirë që jep fryt të keq, as pemë të keqe që jep fryt të mirë. 44 Çdo pemë njihet prej frytit të saj. Nuk mblidhen fiq nga murrizi as nuk vilet rrush nga ferra.

Fryti është rezultat i punës së gjatë, të qëndrueshme dhe që kryhet me durim. Fryti është procesi i pjekurisë. Asgjë nuk ka mundësi të përshpejtohet. Për rritje dhe pjekuri nevojitet dielli, shiu, era dhe ngrohtësia. Sa më bujare të jetë pema, aq më shumë pjekja e fryteve iu nënshtrohet rreziqeve të ndryshme. Mirëpo, frytet janë nga pema, ato e dallojnë pemën. Ato e bëjnë pemën të mirë ose të keqe. Edhe kësaj here Jezusi shkon përtej asaj që shohim dhe kemi mundësi ta dallojmë më sy. Na drejton në kuptimin e thellë të përngjasimit që merr si krahasim. Përsëri bëhet fjalë për brendinë tonë. Kësaj here janë në pyetje zemra dhe shpirti. Çfarë janë frytet që piqen në pemën e jetës sime? Çfarë thonë këto fryte për mua? Frytet janë shenja e punës sime dhe e angazhimit tim. Qoftë si baba, si nënë në familje, qoftë si nxënës, student – unë jap fryte. Edhe si meshtarë, rregulltar, njeri i lutjes dhe soditjes, si ai që vepron në apostullim, përsëri jap fryte. Nëse jeta ime është serioze, e sinqertë e vërtetë, atëherë edhe frytet janë të tilla. Ato janë shenjë e stilit të jetës. Nuk mund t’i përcaktoi më ndonjë drejtues të vijave, sepse frytet paraqesin në mënyrë të thjeshtë qenien time. Ato nuk durojnë zbukurime. Nëse një pemë është e mirë, edhe frytet janë të tilla. Kjo gjë na tërheq. Dëshirojmë të jem nën hijen e saj dhe t’i shijojmë frytet e saj. Nëse frytet e mia janë të mira, atëherë gjithmonë do të ketë njerëz rreth meje që njohin mirësinë dhe fisnikërinë, që dëshirojnë në praninë time të pushojnë dhe në mirësinë time të freskohen. A është kështu në jetën time? Ose ndoshta njerëzit ikin prej meje sepse ndjenë rrezikun se do t’i shporojnë ferrat dhe do të përjetojnë ngurtësinë, shijen e keqe dhe thartësirën e fryteve të mia.

45 Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga visari i mirë i zemrës së vet, njeriu i keq nxjerr të keqen nga visari i keq: sepse goja i qet çka i ka zemra.”

Këtu kemi zemrën e fjalës së Jezusit në këtë pjesë të bisedës. Njeriu i mirë nxjerr të mirën. Këtë e ndjejmë dhe kjo gjë na tërheq. Dëshirojmë gjithmonë të jemi me të. Ndejmë se si na pasuron. Thjesht, nga ai diçka rrezaton dhe kalon në ne. Kjo gjë ndodh sepse në atë njeri është i pranishëm Shpirti i Hyjit. Ai rrezaton prej tij. Ky është hiri i Jezusit. Ai rrezaton prej tij. Fjala e tij na qetëson. Njeriu i keq, përkundrazi nxjerr të keqen. Edhe këtë gjë e ndejmë sa herë që jemi në afërsinë e tij. E keqja rrezaton prej tij. Prandaj kur jemi me të jemi në tmerr dhe frikë. Aty nuk ka gëzim as qetësi. Duam të largohemi. Asgjë nuk na tërheq më drejt tij. Edhe njeri edhe tjetrin tregojnë çfarë zemre kanë. Fjalët dhe veprat dëshmojnë për zemrën e tyre. Për zemrën e mirë ose të keqe.

46 “Pse më thirrni: ‘Zotëri, Zotëri!’, e nuk bëni si ju urdhëroj?

Nuk guxojmë ta ndajmë lutjen nga jeta dhe veprimi. Nuk vlen asgjë të numërosh lutje, të grumbullosh fjalët e mos të jesh i kujdesshëm se çfarë jete jeton. Na duhet ta kërkojmë dhe ta gjejmë vullnetin e Hyjit, atë gjë që ai e kërkon që ne ta bëjmë. Nëse është kështu, atëherë kjo do të thotë se lutja jonë vjen nga thellësia e qenies sonë, nga më e rëndësishmja në ne, sepse na nxit që të jemi besnik dhe të gatshëm.

47 Do t’ju tregoj se kujt i përngjan çdonjëri që vjen tek unë, që e dëgjon fjalën time e që e vë në veprim: 48 ai i përngjan njeriut, i cili, kur ndërtoi shtëpinë e vet, mihu dheun thellë dhe themelin e vuri mbi shkëmb. Ra vërshimi, lumi u vërsul mbi atë shtëpi, por nuk mundi ta tundë, sepse ishte e ndërtuar mirë.

Jeta e krishterë e vërtetë përbehet na jeta e përbashkët me Jezusin. Kjo do të thotë të vish tek Ai dhe të jesh me të. Kjo do të thotë të dëgjosh fjalët e tij dhe ta pranosh porosinë e tij. Kjo do të thotë të jetosh në jetën e përditshme sipas fjalës së tij. A është kështu edhe në jetën time të krishterë, në jetën time rregulltare, meshtarake? A vij tek Jezusi? A e dëgjoj fjalën e tij? A e zbatoj në jetë? A shihet kjo në sjelljen time? Nëse është kështu, shtëpinë time e ndërtoj në shkëmb. Siguria e themeleve dhe forca e shkëmbit varet nga lidhja ime që kam me Jezusin.

49 Kurse ai që e dëgjon, por nuk e vë në veprim fjalën time, i përngjan njeriut, që e ndërtoi shtëpinë përmbi dhe pa themel: u vërsul lumi e menjëherë e rrëzoi: ajo shtëpi u bë gërmadhë e madhe.”

Njeriu ka mundësi të dëgjojë e të mos kuptojë, d.m.th. të mos jetojë sipas fjalës së Jezusit. Kemi mundësi të dëgjojmë e të jetojmë sipas disa parimeve ose kërkesave të botës. Kjo do të thotë të ndërtosh pa themel. Atëherë nuk duhet të çuditemi për rrenimin e jetës, për ekzistenën e shkatërruar dhe për aq shumë rrënime të njerëzve.

O Zot, bëj që të dëgjoj çfarë po më thua! Bëj që ta përvetësoj fjalën tënde dhe ta zbatojnë në vepra! Bëj që jetën time ta ndërtoj në shkëmb! Mos lejo që jeta ime të rrëxohet dhe të bëhet gërmadhë e madhe.

 


Current track

Title

Artist