MEDITIMI I DITËS – LËSHIMET DHE GABIMET

Written by on September 14, 2017

Lk 6, 39-42 LËSHIMET DHE GABIMET

 

Kërkoj hirin: që t’i shoh lëshimet dhe gabimet e mia dhe t’i përmirësoj.

 

Në atë kohë, Jezusi 39 u tha nxënësve të vet shëmbëlltyrën tjetër: “A mund t’i prijë i verbëri të verbrit? A thua s’do të bien të dy në gropë? 40 Nuk është nxënësi më i aftë se mësuesi; por, çdo nxënës plotësisht i aftësuar, do të jetë si mësuesi i vet.

Këtë përngjasim e kemi plotësisht të qartë. I verbëri nuk e drejton të verbrin, as i verbri nuk e lejon të verbrin për ta drejtuar. Mirëpo a e kuptojmë mësimin e kësaj shëmbëlltyre? Kjo është një shëmbëlltyrë nga jeta konkrete, por mësimi i saj nuk ngushtohet vetëm në jetën e atyre njerëzve që vërtetë janë të verbër. Nuk kufizohet vetëm në verbërinë fizike. Përkundrazi, ndjemë që drejtohet në diçka tjetër. Kemi mundësi të jemi të verbër në shumë fusha të jetës sonë. Vërtetë jemi të verbër. Shumë herë mund të lejomë verbërisht që të tjerët të na drejtojnë. Këtë gjë e bëjmë pa e ditur aspak se ku na çojnë këto rrugë dhe ku do të arrijmë duke ecur nëpër to. Për këtë gjë na qorton Jezusi: kemi mundësi të jemi të verbër edhe pse sytë fizik i kemi të shëndosh. Jam i verbër kur shoqëria në të cilën jetoi ma dikton mënyrën e jetës dhe të sjelljes që kam në të. Jam i verbër kur lejoj që miqtë e mi të dinë më mirë për mua se sa familjarët e mi: se gruaja, burri, vëllai, motra. Edhe kur i dëgjoj miqtë dhe më ta, e shpenzoj jetën time në shkatërrimin tim, edhe atëherë jam i verbër. Jam i verbër kur dëgjoj të më thonë se e diela është ditë për tu bashkuar në fushën sportive, që të jemi së bashku, dhe shoh se Mesha e shenjtë nuk ka vend në këtë program. Jam i verbër kur dëgjoj të më thonë se shoqërimi jonë është e rëndësishëm dhe i nevojshëm, por në ndërkohë i harroj më të afërmit, familjen, prindërit, fëmijët… jam i verbër… Jam i verbër kur e mendoj këtë gjë dhe dorëzohem që të tjerët të më drejtojnë, edhe pse jam krejt i vetëdijshëm se rruga në të cilën eci është rrugë krejtësisht e gabuar. Këtë verbëri na qet Jezusi para syve. Duhet t’i hapim sytë dhe të shohim më kë udhëtojmë, duhet të shohim mirë më kë shoqërohemi dhe kush na drejton. O Zot, bëj që të mos lejoj të më drejtojnë ata që nuk e duan Fjalën tënde. Mos lejo të më drejtojnë as ata që e shtrembërojnë Fjalën tënde. Ji, ti Drejtuesi im, Rruga ime dhe Drita!

Nxënësi dhe Mësuesi. Gjithmonë kemi mundësi të mësojmë dhe na duhet të mësojmë. Kemi nevojë për mësues dhe kemi nevojë për përvujtërinë për të mësuar. Edhe kur jemi në rolin e mësuesit, gjithmonë jemi nxënës. Vetëm njëri është Mësues dhe prej tij duhet të mësojmë. Ai është shembulli i vetëm që i vendos masat e standardit të mësimit tonë.

41 Po pse e shikon lëmishten në sy të vëllait tënd e nuk e sheh traun në syrin tënd? 42 Si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Vëlla, ndal ta heq lëmishtën, që ke në sy, ti që nuk e sheh traun në sy tënd?

Më këtë kundërshtim të fuqishëm dhe dallimin mes traut dhe lëmishtes, Jezusi përsëri na tërheq vërejtjen në realitetin e jetës sonë. Shumë lehtë bëhemi kritikë që i kritikojnë të tjerët. Shumë shpejt në të tjerët shohim atë gjë që nuk na pëlqen dhe dëshirojmë që këtë gjë ta ndryshojnë. Mirëpo në të njëjtën kohë nuk i shohim trarët tonë shumë më të mëdhenj dhe më të rëndë që i bëjmë vet. Na duhet ta shikojmë jetën dhe sjelljen tonë, mendimet dhe fjalët tona. Na duhet ta kthejmë shikimin drejt vetvetes. Mirëpo, ndaj vetvetes jemi aq të butë dhe nuk dëshirojmë të pranojmë se në jetën tonë ka diçka që ka mundësi tu pengojë të tjerëve. Në të shumtën e herëve mendojmë mirë për vete, mendojmë se jemi të drejtë dhe të patëmetë. Mirëpo, aq shpejt i shohim gabimet e të afërmve në shtëpi ose në bashkësi. Na pengojnë qëndrimet e ndryshme tek ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret, në Kishë përgjithësisht. I kritikojmë dhe dëshirojmë të jenë pikërisht ashtu siç ne mendojmë që duhet të jenë.

Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë ta nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tënd.”

 Vërtetë, sjellja e tillë nuk është tjetër përveç dyfytyrësi. Prandaj, fjala e Jezusit më drejtohet mua. Në qoftë se nuk e shohë traun në syrin tim dhe dëshiroj që i afërmi im të merret më lëmishtën e vet, atëherë jam vërtetë njëri dyfytyrësh, pa sinqeritet dhe gënjeshtar. Sa shumë mirëkuptim do të kishte në familjet dhe në bashkësitë tona po të ishim pak më shumë njerëz që e kritikojnë vetveten, ashtu siç kërkon Jezusi prej nesh. Po t’i jetësonim në jetën tonë të gjitha këshillat dhe qortimet që ua bëjmë të afërmve, bota shumë shpejt do të ndryshonte. Mirëpo ne gjithmonë dëshirojmë ta ndryshojmë tjetrin duke e tejkaluar vetveten. Gjithmonë të tjerët janë fajtor, gjithmonë duhet gjet fajtorin kujdestar që ta përligjim vetveten dhe ta arsyetojmë. Na duhet të kthehemi drejt vetvetes. Sikur dimë të jemi shumë vetjak kur i mbrojmë interesat tona, gjithashtu duhet të jemi të sinqertë kur e shikojmë sjelljen tonë dhe jetën. Shqyrtimi i ndërgjegjes dhe reflektimi mbi jetën tonë dhe mbi ato gjëra që bëjmë, janë rasti më i mirë që vërtetë ta shoh traun në syrin tim dhe të përpiqem për ta nxjerr para se të kërkoj që i afërmi ta nxjerr lëmishtën në syrin e vet e që mua më pengon.

O Zot, më ndihmo që ta ndryshoj vetveten. Bëj që të jem më i rreptë ndaj vetvetes se sa ndaj të tjerëve. Vetëm në ketë mënyrë bota do të bëhet më e mirë.

 


Current track

Title

Artist