Shenjti i ditës – 13 shtator: Shën Gjon Gojarti, ipeshkëv e mësues i Kishës (347- 407)
Written by Radio Maria on September 12, 2017
Shenjti i ditës – 13 shtator: Shën Gjon Gojarti, ipeshkëv e mësues i Kishës (347- 407)
Gjoni, i lindur në Antioki, i përket serisë së jashtazakonshme të Etërve të mëdhenj të Kishës greke që filloi me shën Bazilin. Edhe shenjti i sotëm ndihej i tërhequr për jetën monastike dhe si të gjithë murgjit e kohës zgjodhi vetminë e shkretëtirës, ku qëndroi i vetmuar në meditim për gjashtë vite. Nga kjo periudhë e gjatë jetësore të cilën e kaloi në shkretëtirë u kthye i kalitur në shpirt dhe i ligështuar fizikisht. Për pesë vite të tjera u përgatit për meshtari dhe për mbarështimin e predikimit, që e ushtroi me një mjeshtëri të tillë sa që u bë i famshëm në të gjithë krahinën për ato Predikimet e tij të cilat zgjasnin disa orë pa e ulur asnjëherë zërin e aq më pak pa i mërzitur dëgjuesit e vëmendshëm. Do ta quajnë Chrysostomos, «goja e artë».
Orator i madh, i qartë dhe shkrimtar i efektshëm, i angazhuar me korrigjimin e sjelljes praktike të lexuesve ose dëgjuesve të tij më shumë se me paraqitjen e të vërtetave dogmatike, godiste gabime dhe të gabuar, duke tërhequr me admirimin e njerëzve të zakonshëm mllefin e funksionarëve të korruptuar dhe të vetë autoriteteve perandorake. Kundër personit të tij – pasi u zgjodh në katedrën prestigjoze patriarkale të Kostandinopojës – u bashkuan në një koalicion disa ipeshkvinj të kryesuar nga ai i Aleksandrisë, Teofili, dhe vetë perandoresha Eudosia, kundër intrigave të të cilëve nuk pati mundësi të mbrohej për shkak të zellit të tij të zjarrtë, të pathyeshëm ndaj kompomiseve. Kështu patriku Gjoni njohu poshtërimin e mërgimit, nga i cili e thirri shpejt perandori Arkadi, i goditur nga të papritura të ndryshme e mbi të gjitha se ky e kishte kuptuar se populli ishte radhitur me ipeshkvin e ndershëm. Kthimi i tij qe një triumf i vërtetë, që e acaroj me tej oborrin bizantin. Ipeshkvi rimori ungjillizimin e fshatrave, krijimin e spitaleve, konferencat kundër herezisë ariane dhe në predikimet e tij nuk harroi të godiste lart, duke paditur vese e hipokrizi. Dy muaj më pas u përzu përsëri në mërgim, në kufi me Armeninë, ku vdiq. Në vitin 438 Teodosi i Riu i çoi relikët e tij në Kostandinopojë.