Shenjti i ditës – 11 shtator: Shën Pafnuci i Madhi, ipeshkëv (+360)
Written by Radio Maria on September 8, 2017
Shenjti i ditës – 11 shtator: Shën Pafnuci i Madhi, ipeshkëv (+360)
Antoni, Pakomi e Pafnuci, tre emra që kanë lënë gjurmë të thella në përshpirtërinë monastike mes shekullit III dhe të IV. Në moshën tridhjetë e pesë vjeçare Antoni ishte vendosur në një kështjellë të rrënuar në shkretëtirën egjiptiane. E donte vetminë, por shumë shpejt fama e këtij vetmitari të parë tërhoqi në shkretëtirë të rinj të tjerë që dëshironin të mateshin në këtë ushtrim të pazakonshëm askeze të krishterë. Mes dishepujve të parë ishte Pafnuci. Në kohën e persekutimit të Maksimianit (311), mësues e dishepulll lanë pas krahësh shkretëtirën dhe shkuan në Aleksandrinë e Egjiptit për të bashkëndarë rreziqet dhe vuajtjet e shpallësve të fesë. I takoi Pafnucit të paguante kontrubutin më të lartë ndaj persekutimit. Iu nxor një sy dhe iu pre një dell i këmbës. Megjithatë iu kursye jeta dhe mundi të kthehej me Antonin në vetminë e dashur të shkretëtirës.
Qëndrushmëria me të cilën u kishte rezistuar torturave duke qëndruar i fortë në fe në Krishtin i vlejti Pafnucit zgjedhjen në një seli ipeshkvore të Alta Tebaide dhe me veshjen e ipeshkvit mundi të merrte pjesë në Koncilin e madh të Nikesë. Ndërhyrja e tij në këtë mbledhje të përgjithshme ekumenike dëshmon hapjen e tij të madhe dhe ekuilibrin jo vetëm në materien doktrinale, por edhe në çështjet konkrete të jetës së përditshme. Ishte ai që i bindi etërit e koncilit të mos i detyronin meshtarët e martuar për t’u divorcuar nga gratë e tyre me reflektime që janë të një aktualiteti të përhershëm. Ashtu si Antoni dhe Atanasi, edhe ai ishte një kundërshtar i pamposhtur i herezisë ariane dhe në këtë luftë nuk i shkoj tepër hollë duke qenë në lojë e vërteta. «Saepe premente deo fert deus alter opem», shkroi Ovidi në një elegji të tijën: shpesh kur një hyj të trishton, një tjetër të jep dorën. I persekutuar dhe i gjymtuar nga perandori Maksimian Daia, Pafnuci pati mbështejen dhe admirimin e pakushtëzuar të perandorit Kostandinit, me të cilin ipeshkvi i madh egjiptian u shërbye për të mirën e Kishës.