Shenjti i ditës – 8 shtator: Lindja e Virgjërës Mari
Written by Radio Maria on September 7, 2017
Shenjti i ditës – 8 shtator: Lindja e Virgjërës Mari
Momentet kryesore në jetën e Virgjërës përkujtohen nga Kisha, si në Perëndim edhe në Lindje, me solemnitete liturgjike, në rrjedhën e tërë vitit. Sot kremtohet lindja e saj. Lindja e Marisë përmbledh përgatitjen e gjatë dhe fillimin e realizimit të premtimit mesianik. Në Marinë, bija e popullit të Izraelit, dashuria e Hyjit projektohet mbi të gjithë njerëzimin. Në këtë projekt hyjnor ajo është unaza lidhëse mes beslidhjes së vjetër e të re. Maria është ngjizur si të gjithë bijtë e Adamit, nga raporti bashkshortor i prindërve të saj. Vetëm Jezusi do të bëjë përjashtim nga rregulli i natyrës. Maria vjen në dritë në këtë botë sipas këtij rregulli, megjithëse në të ka plotësi hiri që nga momenti i parë i ngjizjes. Por shikimi i Marisë së vogël, thotë Bernanos, «është i vetmi vërtet foshnjor, i vetmi shikim fëmije që është ngritur ndonjëherë mbi turpet tona… Shikim i pakonceptueshëm, i pashprehshëm, që e bën më të re se mëkati, më të re se fisi nga i cili ka dalë». Sepse ishte Hyji që reflektohej në atë shikim fëmije, shumë më superior se i të gjithë shenjtërve të tjerë.
Një shenjtëri në rritje, siç do të jetë ajo e Birit hyjor që «përparonte në moshë e në hir» për atë shpejtim në përparimin shpirtëror – siç thotë shën Toma – të ngjashëm me ligjin e rënies së trupave në boshllek, sepse sa më shumë një shpirt ngrihet drejt Hyjit, aq më shpejt Hyji e tërheq. Ky fëmijë është prototipi i vërtetë i krijimit, që kishte dalë nga duart e tij «në agimin e shkëlqimit të tij origjinal». Dhe sot Kisha universale përkulet në kontemplim plot nderim mbi djepin e Marisë së vogël, për të admiruar në të bukurinë e paprekur me të cilën ishte e veshur krijesa para mëkatit.