MEDITIMI I DITËS – BESIMI NË ZOTËRINË

Written by on September 6, 2017

Lk 5, 1-11 BESIMI NË ZOTËRINË

 

Kërkoj hirin: që të kuptoj se Zotëria e do besimin tim të plotë.

 

Në atë kohë, 1 Jezusi derisa ishte në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, 2 pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po lanin rrjetat. 3 Hyri në njërën prej atyre lundrave  në atë që ishte e Simonit dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën.

Skena është shumë konkrete, e gjallë dhe e vërtetë. Nuk bëhet fjalë vetëm për njerëzit e veçantë që janë të interesuar, por këtu kemi popullin e shumtë që shtyhet rreth Jezusit. Secili do të jetë sa më afër tij; që ta dëgjojë më mirë çfarë thotë Jezusi, që të shohë më mirë çfarë bënë Jezusi. Vërtetë, njerëzit ishin të entuziazmuar më të gjitha ato që Jezusi thoshte dhe bënte. Qartë, kishin ardhur shumë njerëz dhe Jezusi donte ta shfrytëzonte sa më mirë rastin që t’i mësonte. Ata dëshirojnë ta dëgjojnë. Prandaj kishin ardhur dhe prisnin me padurim çfarë do tu thoshte Jezusi. Aty janë barkat që kanë mundësi të përdorën shumë mirë që Jezusi ta realizoj dëshirën. Ai hyn në njërën prej tyre, Simoni tashmë iu ra rremave që të largohej pak nga toka. Jezusi ulet dhe fillon tu flasë. Nuk e di a e keni përjetuar ndonjëherë se sa mirë dëgjohet në breg zëri atyre që flasin duke u lar në det, ose kur janë në barkë dhe kalojnë aty afër jush? Këtë gjë e dinte Jezusi dhe e zgjodh këtë mënyrë që nga barka t’i flasë turmës në breg. Simoni ia huazoj barkën e vet dhe në këtë mënyrë po merrte pjesë tashmë në mësimin që po bënte Jezusi.

Do përpiqem që edhe unë të vendosem në ndonjë vend në breg mes turmës, ose në barkën e Simonit për të dëgjuar çfarë thotë Jezusi. Çfarë do të më thotë sot? Cilën gjë dëshiron të ma mësojë, për jetën time dhe situatën në të cilën gjendem? O Zot, bëj që gjithmonë ta mbarët në vetvete dëshirën që të jem afër teje. Bëj që edhe unë të përpiqem që të afrohem sa më afër, qoftë edhe duke u shtyrë që ta dëgjoj sa më mirë fjalën tënde duke mos lejuar që asnjëherë të më mbizotërojë zhurma e botës në të cilën jetoj. Foli zemrës sime, ma trego bukurinë e të Vërtetës sate së bashku më fuqinë e fjalës së ma drejton.

 4 Kur pushoi së foluri, i tha Simonit: “Grahi në ujë të thellë e hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.” 5 Simoni i tha: “Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por pasi po thua ti, do t’i hedh rrjetat.” 6 Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish gati po u shqyheshin rrjetat. 7 Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën.

Kërkesë e pamundur! Kërkesë e pabesueshme! Të hedhesh rrjetën në pikë të ditës për të zënë peshk! Këtë ka mundësi ta kërkoj vetëm ai njeri që nuk di aspak se çfarë është peshkimi, ose ai që i nënshtrohet natyra dhe ligjet e saja. Ky është urdhër që Simonin e goditi si rrufeja dhe e zgjoj nga kllapia që e kishte kap pas lodhjes, mossuksesit dhe natës pa gjumë. Simoni e bëri këtë gjë ndoshta më shumë për shkak të një moskontrolli, që ta hiqte qafe Jezusin, ose ndoshta pse nuk ishte i gatshëm për ta kundërshtuar dhe dëshironte që ta mësonte së çfarë është peshkimi dhe kur zihen peshqit. Mirëpo në një çast çdo gjë ndryshoj: rrjetat e mbushura, që pothuajse po shqyheshin, iu duhej të kërkonin ndihmë nga barka tjetër, të dy barkat u mbushën dhe pothuajse po fundoseshin…

Jezusi kërkon prej nesh që të ndërmarrim hapa të pabesueshëm, që të bëjmë atë gjë të cilën askurrë më planifikimet tona nuk do ta bënim. Ai e kërkon prej nesh besimin dhe fenë. Kërkon që të shkojmë në ujë të thellë dhe ta hedhim rrejtën edhe kur rrethanat dhe koha nuk na premtojnë se do të zëmë peshq. Ne nuk kemi kurrfarë garancie përveç Fjalës së tij. Ai pikërisht këtë gjë e do dhe e kërkon prej nesh. Të tjerat i përkasin atij. Neve na duhet vetëm t’i besojmë, atëherë ndodhin gjërat e pabesueshme. Kështu ndodh sa herë që kemi besim dhe mbështetemi vetëm në Jezusin dhe në fjalën e tij. Atëherë e pamundura bëhet e mundur, mossuksesi shndërrohet në sukses, dëshpërimi në galdim…

8 Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: “Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!” 9 Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë të tjerët që ishin me të; 10 gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit: “Mos ki frikë! Tani e tutje do të zësh njerëz.” 11 Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij.

Pjetri vetëm tani kupton. Ai e di se nuk i mbetet gjë tjetër përveçse të gjunjëzohet para Zotërisë, para Mësuesit të vet dhe në të pamundurën ta nderojë, të përmbyset para tij dhe ta adhurojë. Edhe në këtë vepër Pjetri ndihet i padenjë. Ai nuk kishte besuar as nuk kishte shpresuar. Prandaj ndjehej i padenjë të jetë në afërsinë e Zotërisë. Mirëpo ai vetë as që ka mundësi të largohet, por i lutet Zotërisë që të largohet prej tij. Largohu nga unë! Jam njeri mëkatar, o Zot. Ky pranim praqet krejt dhimbjen, përvujtërinë dhe pendimin të cilën Pjetri së bashku më të gjithë shokët, që atë ditë ishin së bashku më të, e ndjejnë thellë në zemrat e tyre. Pikërisht në këtë qëndrim Jezusi i deshi dhe dëshiroj t’i ketë pranë vetes. Njeriu në gjunjë është me i madhi dhe më afër Hyjit. Në këtë situatë të përvuajtur Pjetri merr misionin e madhërueshëm. Jezusi e thërret që të bëhet nxënës dhe bashkëpunëtor. Pjetër, mos ke frikë, braktisi rrjetat dhe punët e tua, le barkën që të jesh krejtësisht i Zotërisë, atëherë do të zësh njerëz.

O Zot, bëj që të jem i aftë të Hyj në thellësi së bashku me ty. Bëj që të marrë guxim e t’i hedh rrjetat edhe kur asgjë nuk më premton peshkimin. Bëj që të mos kem frikë edhe kur jam mëkatar dhe i padenjë që të rrijë pranë teje kur më thërret që të ngrihem, që të mos kem frikë, që t’i lë të gjitha dhe të vij pas teje. Më ndihmo, o Zot.

 


Current track

Title

Artist