MEDITIMI I DITËS – VEPRIMI I SHPIRTIT SHENJT

Written by on September 2, 2017

Lk 4, 16-30 VEPRIMI I SHPIRTIT SHENJT

 

Kërkoj hirin: që të veproj nën ndikimin e Shpirti Shenjt në brendinë time.

 

Në atë kohë, 16 Jezusi erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur dhe, sipas zakonit të vet, të shtunën hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. 17 I dhanë librin e Isaisë profet. Kur e hapi librin, gjeti vendin ku shkruan:

Pas ungjijve që kanë shkruar Shën Marku dhe Shën Mateu, përpara nesh dalin faqet e Ungjillit të Shën Lukës. Vijnë nga paganizmi, nga njerëzit e edukuar dhe të ngritur, thuhet se Shën Luka ishte mjek. Disa thonë se ai merrej edhe me pikturë. Stili i tij është i pëlqyeshëm dhe shumë i hollë. Vendlindja e tij është Antiokia në Siri. Ka shpirt të ndjeshëm, është psikolog dhe shkrimtar i Lajmit të gëzueshëm të Jezu Krishtit, sepse shumë më kënaqësi thekson mëshirën e Jezusit ndaj mëkatarëve. Në Ungjillin e tij theksosh veçanërisht gëzimiin i Jezusit, mëshirën dhe jetën e brendshme të lutjes. Nga tërësia e Ungjillit të tij shihet se e ka shkruar për botën e kulturuar pagane.

Jezusi është në Nazaret dhe të shtunën shkon në Sinagogë. Ai është besnik ndaj praktikës fetare të kohës së vet. E praktikon dhe e jeton besimin personal. Së bashku me të tjerët dëgjon leximet, këndon psalmet dhe dëgjon shpjegimet e Shkrimit. Lutet  më bashkëvendësit e vet. Jezusi është shembull si duhet nderuar dhe zbatuar lutjen e përbashkët në famullitë, bashkësitë rregulltare dhe në të gjitha bashkësitë tjera ku njerëzit lutën. A di që edhe unë të bashkohem me të tjetrit në lutje? A marrë pjesë në jetën liturgjike të bashkësisë ose të famullisë sime? Si është pjesëmarrja ime të dielave dhe festave në Meshë?

Në sinagogë kishte mundësi të lexonte secili njeri që e kishte moshën madhore, pas lejes që ia jepte eprori i sinagogës. Në këtë rast Jezusi ngrihet për të lexuar. Ia dhanë librin, dhe ai e gjen Isainë profetë:

18 ‘Shpirti i Zotit është mbi mua sepse Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj në liri të ndrydhurit,  19 të shpall vitin e hirit të Zotit.’

A zgjodhi Jezusi rastësisht tekstin ashtu siç dimë ne ta hapim Biblën dhe të lexojmë aty ku hapet. Jo! Jezusi e njihte shumë mirë këtë tekst. Ky ishte plani dhe programi i tij. Kjo do të jetë korniza e veprimtarisë së tij. Këtu u thanë të gjitha në mënyrë shumë të thjesht dhe shumë të mirë.

20 E mbylli librin, ia dha shërbëtorit dhe u ul. Të gjithë në sinagogë i drejtuan sytë në të. 21 Atëherë u tha: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj.” 22 Të gjithë e miratonin dhe mrekulloheshin për fjalët e bukura që dilnin prej gojës së tij. Thoshin: “Vallë, a nuk është ky biri i Jozefit?”

Jezusi e përvetëson këtë profeci dhe dërgimin që ajo ia bënë duke e zgjeruar përmasën e saj. «Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjtë». Në rastin e Isaisë profetë bëhej fjalë për përngjasimin, tek Jezusi bëhet fjalë për plotësimin. Jezusi nuk është vetëm një prej profetëve, por është plotësimi i të gjithë profetëve. Derisa të profetët e Besëlidhjes e Vjetër  prania e Shpirtit është vetëm e përkohshme dhe e pjesshme, që lidhej me çastet e veçanta të frymëzimit, tek Jezusi është e plotë dhe i vazhdueshëm. Dallimi nuk është vetëm në cilësi, por edhe ne përmasë.

Shpirti është ai që i jep forcë dhe autoritet fjalës së Jezusit. Prandaj në fjalën e tij ngrihen të paralizuarit, të verbrit shikojnë, të shqepëtit ecin, të gërbulurit pastrohen, deti qetësohet, fiku thahet, të vdekurit ngjallën… Pas fjalëve të tij, njerëzit, thjesht reagojnë: Askush, askurrë nuk ka folur kështu.

Shpirtin e Hyjit e mora edhe unë. Edhe unë kam mundësi të përsëris me Jezusin fjalët e Isaisë profet: Shpirti i Hyjit është mbi mua… A jam i vetëdijshëm për këtë gjë? E mora në mënyrë të veçantë në sakramentin e Krezmimit. A dallohet në mua prania e Shpirti të Hyjit sipas fjalëve dhe veprave të mia? A shikoj më qartë se të tjerët? A dëgjoj më mirë? A veproj më shpejt e më drejtë? Nëse mund të them: po, kjo është shenja se Shpirti i Hyjit vërtetë me ka shuguruar dhe është në mua. Nëse nuk është, kjo është shenjë se nuk e mbartë në vete fuqinë e Shpirtit të Hyjit.

23 Atëherë u tha: “Me siguri do të ma thoni atë fjalë: ‘Mjek, shëro veten!’ Gjithçka bëre, si dëgjuam, në Kafarnaum, bëj edhe këtu, në vendin tënd!’ 24 Për të vërtetë po ju them  vazhdoi  asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet. 25 Për të vërtetë, prapë po ju them: në kohën e Elisë profet, kur qielli u ndry për tri vjet e gjashtë muaj dhe u bë uri e madhe në mbarë dheun, ishin shumë vejusha në Izrael, 26 dhe te asnjëra ndër to nuk u dërgua Elia, përveç te vejusha në Sareptë të Sidonisë. 27 Në kohën e Elizeut profet kishte shumë të gërbulur në Izrael dhe asnjë prej tyre nuk u pastrua përveç Naamanit Sirian.” 28 Këto fjalë i mbushën me zemërim të gjithë ata që ishin në sinagogë. 29 U çuan në këmbë, e qitën jashtë qytetit, e çuan në buzë të malit, mbi të cilin është i ndërtuar qyteti i tyre, për t’ia thyer qafën në greminë. 30 Por, ai kaloi përmes tyre e vijoi rrugën e vet.

Mahnitja e njerëzve shumë shpejt u shndërrua në përbuzje dhe refuzim. Çfarë e konsideron vetveten Jezusi i Nazaretit bashkëqytetari i tyre? Më çfarë të drejte ai i përvetëson fjalët e Isaisë profet? Jo, ai nuk ka të drejtë ta bëj këtë gjë. Ai është vetëm njëri prej tyre. Si merr guxim tu thotë disa gjëra dhe tu tërheq vërejtjen për to? Nazaretanët e ndejnë veten të fyer dhe i kundërshtojnë fuqishëm. Jezusi e përshkroi shumë mirë situatën e tyre. Nuk pati frikë tu tërheq vërejtjen. Prandaj përjetoj refuzimin dhe nënçmimin nga njerëzit e vendit të tij. Edhe pranë hidhërimit të tyre dhe gatishmërisë për t’ia thyer qafën në greminë ai kalon midis tyre Çasti i tij ende nuk ka ardhur, por që këtu në Nazaret, vihet në dukje dhimbja e tij dhe barra. Jezusi në fuqi të Shpirtit shkon përpara pa u ndalur, duke pranuar zhgënjimet dhe kundërshtimet.

 


Current track

Title

Artist