Shenjti i ditës – 1 shtator: Shën Egjidi, abat (shekulli VIII)
Written by Radio Maria on August 31, 2017
Shenjti i ditës – 1 shtator: Shën Egjidi, abat (shekulli VIII)
Emri Egjid, shumë i njohur në Mesjetë, është nderuar nga gjashtë të lumë (mes të cilëve edhe shoku i shkëlqyeshëm dhe mendjemprehtë i shën Françeskut, i përkujtuar më 23 prill) dhe nga disa shenjtër benediktinë, më i njohuri i të cilëve është abati i një kuvendi në Rodano në një lokalitet që mban emrin e tij (Saint Gilles). Por qendra e përshpirtërisë ndaj shenjtit abat është një abaci në zonën e Nîmes ku ruhet varri i tij, që është i epokës merovinge. Historia nuk na ndihmon përsa i përket vendit dhe epokës në të cilën ka jetuar ky shenjt popullor, i cili thirret në krahinën e Nîmes për t’u liruar nga temperatura, nga frika dhe nga çmenduria. Në fakt është një prej «Shenjtërve Ndihmëtarë».
Na ndihmon legjenda, nga e cila ka marrë mjaft Jeta e shkruar në shekullin X, dhe vetë autorët e dy xhamave dhe të një skulpture të katedrales së Chartres; në njërën prej këtyre paraqitet shën Egjidi që gjatë kremtimit të Meshës arrin faljen e një mëkati që perandori Karli i Madh nuk kishte guxuar t’ia rrëfente asnjë meshtari. Tregimi që ka kontribuar më shumë në popullaritetin e shenjtit është ai i drenushës së dërguar nga Hyji për t’i dhënë qumësht murgut benediktin që ishte veçuar në një vend të vetmuar për jetuar si vetmitar. Një ditë drenusha ndeshi në një kurth gjahu të ngritur nga mbreti, i cili në momentin e gjuajtjes së shigjetës nuk e kishte vënë re se katërkëmbëshi i butë kishte arritur në shpellën e vetmitarit të përshpirtshëm; kështuqë shigjeta, duke mos rënë në shenjë, u ngul në këmbën e shën Egjidit. Vazhdimi i legjendës është i lehtë për t’u gjetur. Mbreti që ta falte ia dhuroi krejt territorin vetmitarit, i cili, tashmë i dorëzuar për t’i dhënë lamtumirën «vetmisë së bekuar», mirëpriti dhe drejtoi një bashkësi murgjish gjithnjë e më të madhe. Gjithnjë e më të shumtë qenë të përshpirtshmit e këtij shenjti, pas vdekjes. Në Angli i janë kushtuar 160 kisha.