MEDITIMI I DITËS – VLERAT E VËRTETA

Written by on August 28, 2017

Mt 23, 23-26 VLERAT E VËRTETA

 

Kërkoj hirin: që të përpiqem rreth vlerave të vërteta dhe brendia ime të jetë në përputhje me atë që e paraqes jashtë.

 

Në atë kohë, Jezusi foli e tha: 23 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që lani të dhjetën e mendrës, të murajës e të kimit, por lini pas dore atë që është më e rëndësishme në Ligj: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë!

Vazhdojmë për ta dëgjuar Jezusin i cili qorton drejtuesit e fesë të cilët i takonte dhe me të cilët jetonte. Ligji përcaktonte që t’i jepej tempullit e dhjeta e fryteve të tokës. Mirëpo farisenjtë dhe skribët këtë gjë e kishin zgjeruar edhe në ato bimë që nuk i përkisnin kësaj por që përdoreshin në kuzhinë si melmesa për t’i dhënë shije ushqimit. Mund të nënkuptojmë se sa përpjekje dhe sa vullnet tregoi që të zbatonte çdo gjë që kërkonte “ligji” të cilin e kishin plotësuar dhe zgjeruar farisenjtë. Të dhjetat që i kërkonte ligji i Moisiut farisenjtë i kishin zgjeruar me gjëra të parëndësishme dhe jetën e njeriut të thjeshtë e kishin bërë shumë të ndërlikuar dhe të rëndë në praktikimin e fesë. Jezusi ngrihet kundër kësaj dhe e kritikon. Dëshiron që t,i lirojë njerëzit nga barra e tepërt që u rëndonte dhe nuk i lejonte që në mënyrë të thjeshtë të dalin para Hyjit.

Mirëpo në qoftë se farisenjtë kujdeseshin kaq shumë për gjëra të parëndësishme, ishin në rrezik që t’i harronin detyrat e nevojshme dhe shumë të rëndësishme. Këto janë: drejtësia, mëshira dhe besnikëria, virtytet që janë në themel të çdo shoqërie të mirë dhe të sinqertë. Këto janë kërkesat që në historinë e Izraelit, profetët i theksuan gjithmonë dhe kërkuan që t’i zbatonte populli. Jezusi, përsëri si profetët e nxiste popullin sipas shpirtit të Hyjit.

O Zot, ti dëshiron që t’i zgjerojmë pikëpamjet tona që mos të jemi të kufizuar në imtësira që na helmojnë jetën. Nuk guxojmë ta harrojmë më të rëndësishmen në jetën tonë si besimtarë dhe në jetën tonë shoqërore. Nuk guxojmë t’i harrojmë ata që kanë nevojë, sepse kjo do të thoshte se jemi bërë të pamëshirshëm. Nuk guxojmë t’i nëpërkëmbim ata që janë të dobët dhe pa të drejta, sepse kjo do të thoshte se jemi të padrejtë. Nuk guxojmë t’i tradhtojmë pritjet e atyre që kërkojnë prej nesh në jetën bashkëshortore, meshtarake dhe rregulltare, sepse kjo do të thoshte se nuk jemi besnikë. Na ndihmo, o Zot, që jetën tonë ta ndërtojmë në drejtësi, shpresë dhe besnikëri.

Këtë është dashur ta bëni e nga ajo e para, s’është dashur të hiqni dorë. 24 Udhëheqës të verbër! Ju shtrydhni mushkonjën e kapërdini devenë!

Jezusi përdor fjalë të rrepta dhe përngjasime të fuqishme. Thellë në vetvete ndjente dhembshuri për të gjithë ata mbi shpatullat e të cilëve farisenjtë me ligjet e veta kishin vendosur barrë të rënda. Në këtë mënyrë ishin bërë drejtues të verbër të cilët as vetë nuk e dinin rrugën e duhur. Një stil i tillë jete i shtynte që të kërkonin zbatimin e gjërave të parëndësishme, ndërsa Jezusi dëshiron që njeriu të jetojë para Hyjit në liri të vërtetë të fëmijës. Ai nuk dëshiron ta rrënojë rendin e vjetër as ta zhbëjë çfarë kërkonte ligji i Moisiut. Prandaj thoshte se duhet bërë çfarë kërkon Ligji, por nuk duhet lënë pas dore drejtësinë, mëshirën dhe besnikërinë. Kjo e përfshin krejt jetën dhe jo vetëm. Është përmasë e saj, edhe kur ajo i përket detyrimit ndaj Tempullit. Jetën e përditshme nuk duhet shkëputur nga nderimi i Hyjit.

25 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, sepse pastroni anën e jashtme të gotës e të enës, ndërsa përbrenda janë plot rrëmbime e lakmi! 26 Farise i verbër! Pastroje më parë brendinë e gotës, që edhe përjashta të jetë e pastër!

Jezusi dëshiron që të jetë në vendin e vet ajo që ka rëndësi. Brendia e njeriut është më e rëndësishme se e jashtmja. Pas fasadës dhe maskës me të cilat jeton, njeriu shumë shpesh fsheh brendinë, e cila nuk e ka atë gjë që ai dëshiron ta paraqesë para të tjerëve. Me këtë gjë njeriu paraqitet si dyfytyrësh, që do të thotë gënjeshtar që nuk është i sinqertë. Edhe në këtë pikëpamje farisenjtë paraqiteshin dhe e theksonin tepër pastërtinë e jashtme dhe larjen. Ajo që ka rëndësi është pikërisht ajo që njeriu mbart në zemër dhe në shpirt. Nga ajo që përmban brendia varet ajo që paraqitet jashtë. Kam mundësi të vendos maska, të bëj fasada, njeriu ka mundësi të zbukurohet, por asgjë nuk e mbron më shumë se ajo gjë që e mbart përbrenda. Asnjë fasadë nuk ka mundësi ta mbulojë të vërtetën që gjendet nën të, sepse ajo herët ose vonë do të shpërthejë. Zbukurimet e ngjyrave gënjejnë, sepse kur zhduken del në shesh fytyra e vërtetë e personit.

O Zot, bëj që të kujdesem për shpirtin dhe brendinë time. Që të përpiqem rreth paqes së brendshme dhe rendit që edhe në takimin e jashtëm me njerëz të jem i tillë. Bëj që kundërshtimin mes jetës së jashtme dhe të brendshme të përpiqem ta barazoj gjithmonë kështu që veprimet e jashtme të dalin nga brendia që është në përputhje me Ligjin dhe Dashurinë tënde.


Current track

Title

Artist