Shenjti i ditës: 28 gusht – Shën Augustini, ipeshkëv dhe mësues i kishës (354 – 430)
Written by Radio Maria on August 24, 2017
Shenjti i ditës: 28 gusht – Shën Augustini ipeshkëv dhe mësues i kishës (354 – 430)
«Këndo me jetën», «Duaj dhe bëj çfarë të duash», «Dhuro çfarë urdhëron dhe urdhëro çfarë të duash»…nuk mjafton një faqe e tërë për të cituar frazat e famshme plot dashuri që mbushin shkrimet e tij të shumta, mes të cilave më i shituri i të gjithë kohërave është Rrëfimet. Duke i dhënë një kopie një miku, i shkruan kështu: «Ja Rrëfimet e mia. Më shiko aty, derisa të mos më lavdërosh përtej meritës sime; mos u beso të tjerëve, por besoji asaj që të them unë për veten time… Dhe nëse gjen diçka që të pëlqen, lëvdoje me mua Zotin». Në fakt ai ka folur për veten e tij me sinqeritet e thjeshtësi, duke e kthyer në rrëfim, d.m.th në lavdërim Hyjit, gjithçka që ai ka bërë. Njeri, mësues, filozof, rektor, teolog, moralist, apologjist, polemist, themelues dhe autor i një rregulle monastike që s’ka të mbaruar, ipeshkëv dhe shenjt. Një njeri, mbi të gjitha, me shqetësimet e tij, paradigma të krizave kulturore dhe morale të njeriut të çdo kohe, për të cilin siguria është një vuajtje e fituar dhe dyshimi është taksa për të paguar para aktit çlirues të besimit. Lindi në Tagaste, në Tunizi, nga Patriku dhe Monika, ai pagan dhe ajo e krishterë. Augustini, i dërguar për të studiuar retorikë në Kartagjenë, ndihet «i mbështjellë në mjegullën e mishit»; por shpejt duhej të kujdesej për veten, për shkak të vdekjes së të atit dhe gruas së re me të cilën bashkëjeton e cila i ka dhënë një fëmijë, Adeodatin. Jep mësim gramatike në Tagaste edhe pse Monika e nxori jashtë sepse ishte «heretik». Në fakt ishte bërë pjestar i manikeizmit. Në moshën njëzet e nëntë vjeçare, niset për Romë, kështu arrin në Milano, ku merr katedrën e retorikës në oborrin perandorak. Këtu takon Ambrozin ipeshkëv. I pëlqen se si predikon, por asgjë më shumë. Monika, me Adeodatin dhe nënën e fëmijës e mbërrijnë në Milano. Leximi i Letrave të Shën Palit, lotët dhe lutjet e së ëmës përcaktojnë në të një ndërrim mendimi. Është një kthim i sinqertë dhe rrënjësor, megjithëse përshpejton vetëm një urdhërim: «O Zot, më bëj të pastër, por jo menjëherë!» Në Pashkën e vitit 387 merr pagëzimin nga duart e Ambrozit e pak më vonë niset për Afrikë. Në Ostia i vdes e ëma. Pasi kthehet në Tagaste, bën jetë bashkësie me dishepujt. Shugurohet meshtar nga ipeshkvi i Iponës, emërohet ipeshkëv dhe ushtron aktivitetin e bariut dhe të shkrimtarit. I dashur dhe i nderuar për dhuntitë tejet njerëzore të zemrës dhe zgjuarsisë, vdiq ndërsa qyteti i tij u rrethua nga Vandalët.