Shenjti i ditës: 27 gusht, Shën Monika vejushë (332 – 387)

Written by on August 24, 2017

Shenjti i ditës: 27 gusht, Shën Monika vejushë (332 – 387)

 

  Janë të sinqerta dhe të merituara fjalët lavdëruese që Augustini ia vesh së ëmës Monikës në Rrëfimet e tij: «Grua me fe burrërore, e urtë, me mëshirë të krishterë dhe dashuri amnore». Edhe ipeshkvi i Milanos, Ambrozi, që pati shumë rol në kthimin e Augustinit, jep për të një dëshmi të bukur. «Shpesh herë», shkruan Augustini, «kur Ambrozi më shihte, e lëvdonte dhe gëzohej me mua që kisha një nënë kaq të përshpirtshme». Monika, «gruaja e një burri të vetëm», Patrikut, që arriti ta çonte në grigjën e Krishtit me lutje të vazhdueshme dhe përkushtim të përvujtë, ishte nënë e kujdeshme dhe syhapur, veçanërisht me të parëlindurin inteligjent dhe të lëvizshëm që ajo «e nxori në dritë sa hërë që ai u largua nga rruga e drejtë», duke e ndjekur nga Tagaste, e sotshmja Suq Ahras në Algjeri ku kishte lindur dhe ishte martuar, deri në Milano, duke jetuar afër tij «si nënë dhe duke i shërbyer si bijë». Vdekja e zuri në Ostia ndërsa priste, me Augustinin dhe djalin tjetër Navigin, për t’u nisur në Afrikë dhe për të mbërritur në Tagaste ku kishte përgatitur varrin afër të shoqit, që njerëzit ta kuptonin se ishte kthyer në tokën e gjyshërve të saj dhe se një gur i njëjtë mbulonte trupin e dy bashkshortëve. Bijëve që ia kujtonin këtë dëshirë të sajën dhe që e pyesnin nëse i vinte keq të varrosej në tokë të huaj, kaq larg shtëpie, iu përgjigj: «Asgjë nuk është larg nga Hyji. Varroseni këtë trup timin ku të doni. Ju kërkoj vetëm që për mua të kujtoheni afër elterit të Zotit në çdo vend që do të gjendeni». Arkivoli u vendos në varrezën e Ostias, pranë kishës, ku bashkësia e vogël e krishterë u kujdes me përshpirtëri, derisa pjesët e saj mortore u zhvendosën në kishën e shën Augustinit në Romë. Në vitin 1945 një frat augustinian gjeti një pjesë të gurit të varrit në të cilin Augustini kishte gdhendur dy vargshin e Anicio Euchenio Basso: «Këtu la eshtrat nëna jote e dashur, o Augustin/ dritë e re për meritat e tua/ ti meshtar besnik i aradhave qiellore të paqes/ ia mëson zakonet popullit që të është besuar ty/ lavdi të madhe të thur lavdi i veprave të tua/ nëna e virtytshme më e lume për shkak të birit».


Current track

Title

Artist