MEDITIMI I DITËS – DASMA E DJALIT

Written by on August 22, 2017

Mt 22, 1-13 DASMA E DJALIT

 

Kërkoj hirin: që të përgatis seriozisht petkat për gostinë e amshuar.

 

Në atë kohë, 1 Jezusi filloi prapë t’u flasë në shëmbëlltyra priftërinjve dhe pleqve të popullit. Thoshte: 2 “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me Mbretin që bëri dasmë për djalin e vet.

Ja shëmbëlltyra e re për Mbretërinë qiellore. Jezusi ju flet krerëve të priftërinjve dhe eprorëve të popullit. Gjithnjë më shpesh dhe më qartë ua tërheq vërejtjen për refuzimin e dërgimit të tij si Mesi. Për këtë gjë ata ishin më përgjegjësit prandaj ju tregon shëmbëlltyrën e re.

Mbretëria qiellore është si dasma, dasma mbretërore. Mbreti e marton birin dhe ja përgatit dasmën. Duhet të jetë e madhërueshme dhe mbretërore. Jezusi në të vërtetë flet se si Ati i tij shikon dërgimin e tij si një dasmë të madhe. Ai e do botën aq shumë saqë me të e fejon birin e vet. Mbarë njerëzimi është e fejuara e Jezusit. Për këtë arsye kjo gosti është gëzimi i të gjithë të ftuarve. Jeta me Hyjin i përngjan gostisë në qoftë se ky përngjasim ka mundësi ta paraqesë pasurinë e jetës me të në Mbretërinë qiellore.

3 Mbreti dërgoi shërbëtorët e vet për të grishur të ftuarit në dasmë. Por ata nuk deshën të vijnë. 4 Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: ‘Thuajini të ftuarve: gostinë e kam gati: i preva demat e mi e bagëtitë e majura! Gjithçka është gati! Ejani në dasmë!’

Hyji do që të vijnë të gjithë. Ai e fton secilin njeri, ai e përgatit dasmën. Jezusi dëshiron të thotë se ky është qëllimi përfundimtar i njeriut. Nuk na ka krijuar që të zhdukemi në hiç. Qëllimi ynë është dasma me Hyjin dhe gëzimi në Mbretërinë qiellore. Hyji është dashuri. Ai e do secilin njeri, prandaj jemi të thirrur që me dashuri të përgjigjemi në thirrjen e tij.

5 Por ata nuk ia vunë veshin e shkuan: kush në arën e vet e kush në tregti të vet. 6 Të tjerët, pastaj, i zunë shërbëtorët e tij, i munduan e i vranë. 7 Për këtë punë Mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë e vet, i vrau ata gjakësorë dhe e dogji qytetin e tyre.

Këtu çdo gjë është e qartë. Mbreti është Hyji, gostia e dasmës është gëzimi mesijanik, biri i mbretit është Mesia, të dërguarit janë apostujt dhe profetët, të ftuarit që nuk përgjigjen në thirrjen e të dërguarve të cilët i fyejnë janë Hebrenjtë. Djegia e qytetit është shkatërrimi i Jerusalemit.

Ndodhi diçka e pabesueshme. Njeriu ka mundësi ta duajë më shumë punën e vet se dasmën. Ka mundësi të kërruset aq shumë drejt toke dhe ta refuzojë thirrjen në gosti dhe gëzim në Hyjin. O Zot, më ndihmo që të mos të robërojnë punët, ara dhe tregtia ime që për shkak të tyre ta refuzoj thirrjen në gosti, në gëzim, në Eukaristi!

8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: ‘Dasma njëmend është gati, por të ftuarit nuk qenë të denjë. 9 Shkoni, pra, në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!’ 10 Shërbëtorët dolën nëpër udhë dhe i sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqij. Kështu salloni i dasmës u mbush me të ftuar.

Pasi që nuk përgjigjën të thirrurit e parë, Mbreti i dërgon shërbëtorët që t’i thërrasin të gjithë njerëzit pa dallim, të mirë dhe të këqij, të gjithë kalimtarët në kryqëzimet e rrugëve. Ky është përngjasimi i Kishës sot. Të gjithë mund të vijnë dhe të gjithë janë të thirrur. Hyji na fton të gjithëve sepse do të na shpëtojë të gjithëve.

11 Atëherë hyri edhe Mbreti për t’i parë të ftuarit. Vuri re aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha: 12 “Mik, si hyre këtu pa pasur petkun e dasmës?” Ai s’e çeli gojën. 13 Atëherë Mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni këmbësh e duarsh e hidheni jashtë në errësirë, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh!’ 14 Sepse, shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur.”

Duhej bërë diçka para ardhjes në dasmë. Të ftuarit duhej te visheshin si u ka hije. Kjo ishte gjëja më e vogël që Mbreti e kërkoi nga të ftuarit. Me këtë gjë dëshiron që të gjithë ta kuptojnë seriozisht se me të vërtetë bëhet fjalë për dasmë të cilën e përgatit Mbreti dhe kërkon që të ftuarit të vishen në mënyrë të denjë.

Hyji kërkon prej nesh që të bashkëpunojmë me të në planin e shërbimit të njerëzve dhe të vetvetes. Petkat e dasmës paraqesin përpjekjen dhe angazhimin tonë. Të gjitha të tjerat janë dhuratë, neve na duhet që të përpiqemi që këtë dhuratë ta pranojmë denjësisht. Qortimi është shumë serioz. Kush nuk i ka petkat, nuk mund të rrijë në dasmë. Fatkeqësisht, nuk ka më kohë për të gjet petkat e dasmës, gjithçka mbaroi, ose mbetemi në dasmë ose jemi të përjashtuar dhe të hedhur në errësirë prej të cilës nuk ma dalje. Vaji dhe kërcëllima e dhëmbëve flasin për fatkeqësinë e shkatërrimit në të cilën përfundon secili që në dasmë vjen pa petkat e dasmës.

O Zot bëj që të përgatitem për dasmën e përjetshme me ty në të cilën më pret në Mbretërinë tënde. Bëj që në fjalët e mia veprat dhe dashurinë konkrete ti punoj petkat e dasmës që gjithmonë të jem i gatshëm për atë moment në të cilin do të më thërrasësh gjatë udhës së jetës.

 


Current track

Title

Artist