Shenjti i ditës: 24 gusht – Shën Bartolomeu, apostull

Written by on August 22, 2017

Shenjti i ditës: 24 Gusht –  Shën Bartolomeu apostull

 

Bartolomeu apo Natanaeli qohet tek Jezusi nga miku i tij Filipi: «E gjetëm atë për të cilin shkroi Moisiu në Ligj dhe Profetët! Jezusin, birin e Jozefit, nga Nazareti». Bartolomeu (emri apo nofka e tij do të thotë «biri i parmendës») shpreh dyshimet e tij: «A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?» Ai është nga Kana, jo shumë larg vendit të Jezusit dhe që kur bota është botë, komshinjtë nuk shihen me konsideratë të mirë. «Eja e shih», thotë Filipi shkurt. Bartolomeu e ndjek dhe dyshimi shndërrohet në shpallje të hapur feje: «Ti je biri i Hyjit…» Nga aktiviteti i tij apostolik nuk kemi veçse një traditë të vjetër armene: «Bartolomeu apostull, që ishte nga Galilea, u dërgua në Indinë e Këtejme, që iu besua për ungillëzim në momentin e hedhjes short. U predikoi atyre popujve të vërtetën e Zotërisë Jezus. Pasi në atë vend ktheu shumë nga Krishti, me mjaft mund, kaloi në Armeninë e madhe…». Këtu, pasi ktheu vetë mbretin dhe bashkëshorten e tij, shkaktoi reagimin e priftërinjve të cilët i vendosën kundër vëllain e mbretit, Astiagun, i cili e rrjepi të gjallë dhe ia preu kokën.

 Kështu apostullimi i Bartolomeut pas Rrëshajëve u drejtua nga lindja, mes njerëzve luftarakë, të cilët ushtritë e Romës nuk arritën t’i përkulnin kurrë. Ia doli një fshatar i përvujtë i Galilesë, me karakter të rezervuar dhe mendimtar, «në të cilin nuk kishte dredhi», siç thoshte Jezusi. Misionar aktiv në jetë (i atribuohet edhe një Ungjill apokrif), por në mënyrën e shenjtërve, me veprimtari të heshtur, u bë i njohur pas vdekjes. Shën Gregori i Tours tregon për shpërnguljen e mrekullueshme të trupit të tij në Lipari, që aty në Benevento e më në fund në Romë. Relikët e tij nderohen në kishën që mbart emrin e tij në Ishullin Tiberina. Në nderin e tij u ngritën kisha në Venecia, Folinjo, Pistoia dhe natyrisht në Benevento, që mban meritën e ruajtjes për kohë të gjatë të eshtrave. Katedralja e Frankfurtit mbi Meno i është kushtuar shën Bartolomeut, festa e të cilit shënon fillimin e kremtimeve të vjeshtës.


Current track

Title

Artist