Shenjti i ditës: 21 Gusht – Shën Piu X, papë (1835 – 1914)
Written by Radio Maria on August 20, 2017
Shenjti i ditës: 21 Gusht – Shën Piu X, papë (1835 – 1914)
Papa që dëshironte të përcaktohej «një famullitar i varfër fshati» kishte sjellë mes dhomave të shkëlqyeshme vatikanase thjeshtësinë e tij të pandryshueshme të jetës. Kush e pyeste se me ç’titull t’u drejtohej motrave të pamartuara që e ndiqnin që kur u bë famullitar i Salcanos, i përgjigjej: “Quani motrat e papës”. Një papë i zgjedhur papritmas dhe i pari që u çudit ishte ai vetë. Zgjodhi si moto “Vendosni çdo gjë në Krishtin” dhe i qëndroi besnik këtij programi, duke pasur parasysh vetëm të mirën e Kishës, por më mirë të themi, të shpirtrave, pa u kujdesuar për formalitetet diplomatike e aq më pak për gjuhën e maskuar dhe të lartë. U kujdes për të vegjlit, për të cilët “shpiku” katekizmin e tij dialogues me të cilin për më shumë se gjysëm shekulli, përshtati për mendjet e reja të vërtetat e mëdha të fesë. I dërgoi fëmijët shtatëvjeçarë në Kungimin e Parë, riformoi liturgjinë, organizoi kurien romake, i dha fillim kodifikimit të të drejtave kanonike dhe mundi, ndoshta shumë rëndë, modernizmin. Nuk kishte ardhur akoma koha për një Gadium et spes…
«Linda i varfër, jetova i varfër dhe dëshiroj të vdes i varfër»: kështu fillon testamenti i tij. Lindi në fshatin venecian, në provincën e Trevizos, fëmija i dytë i dhjetë fëmijëve të kasnecit komunal të Rieze (që sot quhet Rieze Piu X) dhe të Margerita Sanson, grua fetare, e fortë, e cila nuk dëshiroi që pas vdekjes të së shoqit, i biri Jozefi, ta linte seminarin e Trevizos për të ndihmuar familjen. Ia doli në krye vetëm, duke punuar në fabrikë dhe duke punuar tokën, atë tokë bujare veneciane që i jepte bukë e kaçamak shumë familjeve të mëdha. Jozefi u shugurua meshtar në moshën 23 vjeçare; kështu ne etapa të rregullta ishte për nëntë vite kapelan në Tombolo, vendi i sekserëve të bagëtive në kufinjtë e dioqezës; për nëntë vite famullitar i Salcanos; për nëntë vite të tjera kanonik dhe drejtues shpirtëror në seminar; nëntë vite ipeshkëv në Mantova dhe për nëntë vite të tjera kardinal patriark i Venecias. Ndërsa pontifikati zgjati njëmbëdhjetë vjet, arriti të merrte pjesë i pafuqishëm dhe i brengosur në shpërthimin e luftës së parë botërore. U kanonizua në vitin 1954.