MEDITIMI I DITËS – JEZUSI DHE FËMIJËT

Written by on August 18, 2017

Mt 19, 13-15 JEZUSI DHE FËMIJËT

 

Kërkoj hirin: që ndaj fëmijëve ta zhvilloj atë dashuri që e kishte Jezusi për ta.

 

Në atë kohë, 13 i sollën tek Jezusi disa fëmijë të vegjël që t’i bekonte e të lutej mbi ta; porse nxënësit u bërtisnin.

Kemi mundësi ta paramendojmë gjallërinë e kësaj skene. Jezusin e rrethojnë nënat që sjellin fëmijët e tyre, sepse dëshirojnë që ai t’i vë duart mbi ta dhe të lutet për ta. Njerëzit pështjellohen rreth tij. Ai është i durueshëm dhe dëshiron t’i kënaq të gjithë. Ai i shtrinë duart e veta mbi ta dhe lutet. Fëmijët shikojnë të çuditur, qeshin dhe qajnë, shtrijnë duart drejt Jezusit ose të frikësuar ngjitën në përqafimin e nënave të tyre. Fëmijët janë gjithmonë të njëjtë. Krejt skenën e karakterizon dashuria e veçantë. Nënat i sjellin fëmijët e tyre me dashuri të veçantë, plot kujdes për jetën dhe të ardhmen e tyre. Besojnë se lutja e Jezusit do ju ndihmojë. Jezusi i pranon me dashuri dhe lutet për ta duke i bekuar. Ai e di sa e madhe është dashuria e nënës dhe çfarë është e aftë të bëj për fëmijën e saj. Vërtetë, hiri i Hyjit ndihet fort në atë vend.

Mirëpo nxënësit e Jezusit këto gjëra i shikojnë ndryshe. Janë të hidhëruar dhe i kundërshtojnë nënat. I largojnë dhe ua ndalojnë që t’i afrohen Jezusit. Kështu pështjellimi bëhet edhe më i madh. Ata ndoshta dëshirojnë vetëm për ta ruajtur Jezusin nga ky pështjellim që u formua rreth tij? Ata mendojnë në shpirtin e kohës së vet. Edhe pse fëmijët ishin bekimi i familjes, në jetën publike i konsideronin të pa vlerë. I pranonin vetëm kur të rriteshin dhe të bëheshin madhor, d.m.th në moshën dymbëdhjetë vjeçar. Atëherë kishin mundësi të shkonin në sinagogë, sepse deri atëherë vendi i tyre ishte rrethi familjarë privat.

Qartë, Jezusi këtu tejkalon sjelljen e zakonshme. Me këtë gjë tregon se si duhet të jetë qëndrimi jonë ndaj fëmijëve. E kemi shumë të lehtë ta tregojmë forcën dhe pushtetin mbi fëmijë që nuk janë të mbrojtur dhe nuk kanë mundësi të mbrohen. Fatkeqësisht, edhe në kohën tonë ka shumë padrejtësi që i përjetojnë fëmijët. Sa shumë njerëz i keqpërdorin fëmijët për të kryer punë të rënda! Sa shumë njerëz i keqpërdorin nën peshën e epshit! Sa shumë fëmijë çdo ditë keqtrajtohen në familje! Në këtë mënyrë fëmijët përjetojnë padrejtësi të madhe. Veprimet e tilla ndaj fëmijëve janë mëkate të rënda që ofshajnë para Hyjit.

14 Atëherë Jezusi u tha: “Lërini fëmijët e mos ua ndaloni të vijnë tek unë! Sepse atyre që janë si këta u përket Mbretëria e qiellit.”

Në këto fjalë të Jezusit të krishterët e parë shumë shpejt e dalluan thirrjen për t’i pagëzuar fëmijët. Kur Jezusi i pranonte në këtë mënyrë dhe kërkonte prej të rriturve që në vetvete ta zhvillonin zemrën e fëmijëve, që ua mundëson hyrjen në Mbretëri të qiellit, kjo ishte e mjaftueshme që ta kuptonin se kishin mundësi ta marrin edhe sakramentin e pagëzimit. Me këtë sakrament fëmijët bëhen pjesëtarë të jetës së Kishës në të cilën zhvillohen dhe rriten normalisht. Diskutimet që bëhen për aftësinë dhe paaftësinë që ta pranojnë lirisht në fe sakramentin e pagëzimit janë të përshpejtuara. Ndër të tjera, kush mund të thotë me siguri se kur njeriu është i aftë për ta pranuar këtë sakrament? T’ua mohosh pagëzimin fëmijëve do të thotë mos tu japësh një gjë thelbësore për rritjen e tyre në fe që nga ditët e para të jetës. Psikologjia bashkëkohore e vërteton këtë qëndrim të Jezusit. Ajo e thekson rëndësinë e viteve të para të fëmijërisë për krejt jetën në vazhdim. Edhe kur dëshiron t’i ndihmojë njeriut në nevojë, përpiqet që të ndërhyjë sa më thellë në fëmijërinë e tij, sepse pikërisht në këtë kohë u bënë drejtimet e rëndësishme për krejt jetën në vazhdim.

Më ketë ngjarje Jezusi na mëson se si duhet të jemi për të hyrë në Mbretërinë e qiellit. Nuk duhet të jemi fëmija por «të vegjël» si fëmijët. Fëmija këtu është simbol i njerëzve të thjeshtë të cilët në mënyrë krejtësisht të natyrshme i pranojnë fjalët e Jezusit dhe jetojnë sipas tyre në besimin që kanë. Ne duhet të kemi besim të plotë në Jezusin. Ne duhet të jemi të hapur dhe pa kundërshtime që më besim ta pranojmë porosinë e tij. Kjo do të thotë të jesh si fëmijë. Kur fëmija babain e vet e thërret thjesht dhe me besim të plotë baba, «Abba», këtë gjë duhet ta mësojmë prej tij dhe ta përdorim në marrëdhënien tonë me Atin qiellor në qoftë se dëshirojmë të hyjmë në Mbretërinë e qiellit. Këto fjalë a nuk i tha Jezusi i mbështetur në përvojën e thellë që kishte në Atin qiellor?

O Zot, më ndihmo që të ruajë në vete atë gjë që e pave dhe që të tërhoqi tek fëmijët. Nuk i lejove nxënësit që t’i ndalojnë të vijnë tek ti. Përkundrazi, kërkon që të gjithë të jemi si fëmijët në qoftë se dëshirojmë të hyjmë në Mbretërinë qiellore. Më ndihmo që të mbart në vete dëshirën për të ditur që është tek fëmijët, që të mbart gëzimin me të cilin fëmijët i gëzohen secilës dhuratë të vogël që të jem i hapur përpara fshehtësive që fëmija tregon në takim me realitetet e panjohura.

15 E, pasi i bekoi, shkoi prej andej.

Jezusi mbetet me fëmijë deri në fund, derisa i sollën tek ai. Shtrinte duart mbi secilin fëmijë dhe lutej për ta. Kur u kënaqën të gjithë e vazhdoi udhën. O Zot, na jep të gjithëve besimin dhe shpresën në ty sikurse e kanë fëmijët.

 


Current track

Title

Artist