MEDITIMI I DITËS – QORTIMI VËLLAZËROR

Written by on August 12, 2017

Mt 18, 15-18 QORTIMI VËLLAZËROR

 

Kërkoj hirin: që të jem përgjegjës për vëllezërit në bashkësi dhe të jem i gatshëm ta qortoj tjetrin me dashuri kur të gabojë por edhe ta pranoj qortimin e të tjerëve.

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 15 “Në qoftë se vëllai yt mëkaton kundër teje, qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd.

Jezusi flet për diçka që shumë herë na shkakton mundim dhe dhimbje në komunikim tonë njerëzor. Bëhet fjalë për qortimin vëllazëror. A duhet ta qortoj dikë që gabon? Si ta qortoj? Të gjitha bashkësitë, rregulltare, kishtare ose shoqërore i përbëjnë njerëzit që gabojnë. Kisha, bashkësia e madhe e Hyjit, nuk është bashkësi e njerëzve të mirë dhe të pagabueshëm. Përkundrazi ajo është bashkësi e mëkatarëve.

Jezusi dëshiron që të jemi të kujdesshëm njëri për tjetrin dhe të kemi parasysh atë gjë që ndodh në bashkësitë tona. Kërkon prej nesh që të jemi të gatshëm për ta ndihmuar njëri-tjetrin. Pikërisht në shpirtin e kësaj pikëpamje duhet kuptuar kërkesën e tij. Kur shoh se dikush nuk ka bërë mirë më duhet ta bëj hapin e parë. Jezusi dëshiron që këtë gjë ta bëjë në mënyrë sa më të padukshme. Kjo do të thotë nuk duhet tu bie kambanave duke folur me të tjerët për këtë gjë, sepse shumë lehtë shndërrohet në të përfolur.

Hapi i parë duhet të bëhet me kujdes të madh, pothuajse me butësi të plotë. Prej tij varet pothuajse çdo gjë. Pikërisht me hapin e parë vëllain ose e fitoj ose e humbi, prandaj më duhet të jem i kujdesshëm se si duhet të veproj. Jezusi mëson: rri me vëllain në vetmi, sy më sy, fytyrë për fytyrë. Kjo do të thotë ta ruash famën e mirë të vëllait. Më duhet të flas në fshehtësi për atë gjë që më duhet të them. Më duhet të përdor taktikën më të mirë dhe të jem i përvuajtur. Përpara kësaj më duhet t’i lutem seriozisht Zotërisë që të më ndihmojë dhe të ma frymëzojë fjalën e duhur që mos ta lëndoj tjetrin dhe të mos e përjetoj qortimin si fyerje ose si fjalë «prej së larti» e cila nuk hap dialog por e ndërpret secilin komunikim. Sikurse më duhet të lutem që të ndërhyj me maturi kur më duhet të bisedoj për gabimin e tjetrit, në të njëjtën mënyrë më duhet të lutem që të di në thjeshtësi dhe në përvujtëri ta pranoj qortimin e tjetrit. Njëri dhe tjetri kanë rëndësi të madhe.

16 Po qe se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve. 17 Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës. Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës.

Jezusi na nxit që të mos e humbim guximin në qoftë se herën e parë nuk kemi arritur asgjë. Ai na tregon rrugën si duhet vazhduar. Nuk duhet të ndalemi menjëherë pas përpjekjes së parë. Nuk duhet t’i përdorim as fjalët e rënda as gjykimet. Duhet me disa nga bashkësia të cilët kanë mundësi të ndihmojnë të përpiqemi së bashku. Na duhet të ruhemi që mos ta bëjmë gjykimin personal shumë shpejt duke e gjykuar tjetrin dhe duke e përjashtuar. Vetëm në fund mbarë bashkësia ose Kisha e bie gjykimin për atë rast.

Fatkeqësisht, gjatë historisë ka ndodhur se njerëzit duke përjashtuar mësimin e Jezusit dhe qortimin e Kishës kanë gabuar rëndë duke i ndjekur qëndrimet e tyre. Njerëzit e tillë e përjashtuan veten nga bashkësia dhe u bënë pagan. Ka ndodhur gjithashtu që edhe bashkësia në përpjekjen e vet të madhe pjesëtarët i ka gjykuar shumë shpejt edhe kjo u tregua shumë herë veprim i pamatur që i solli dëm të madh personit të gjykuar. Për ketë arsye Papa Gjoni Pali i II- të e fton kishën që t’i pranojë gjykimet e gabuara dhe të pendohet. Ai na fton edhe ne që «ta pastrojmë kujtesën» nga çdo gjë e tillë. Kjo është shenja e madhërisë dhe e gatishmërisë për ta pranuar shpirtin e Krishtit në përvujtëri.

18 Përnjëmend po ju them: çdo gjë që ju të lidhni përmbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell dhe, çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell. 19 Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo gjëje, Ati im që është në qiell, do t’ua japë. 20 Sepse, ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, mes tyre.”

   Bashkësia – Kisha – vendi në të cilin ndahen sakramentet. Prandaj pa Kishë nuk ka sakramente, sikurse as Kisha nuk ka jetë pa sakramente. Jezusi ia jep Pjetrit pushtetin e zgjidhjes, mirëpo këtu këtë pushtet ia jep krejt bashkësisë. Kjo do të thotë se pushteti që mori Pjetri duhet të shikohet shumë më gjerë. Këtu është e qartë se ky pushtet i përket bashkësisë – Kishës – dhe në shërbim të saj do të qeverisin ata të cilët bashkësinë e besimtarëve të Krishtit e drejtojnë dhe e paraqesin. Personi i veçantë e merr pushtetin që është në shërbim të bashkësisë. Këtë pushtet nuk e mori për promovim të vetvetes, sepse pa bashkësi nuk ka mundësi ta praktikojë as fenë as dërgimin e vet.

Duhet të lutemi për të gjithë ata që e drejtojnë bashkësinë, të cilët në emrin e saj e morën dërgimin. Zotëria i thirri që të kujdesen për bashkësinë, prandaj kanë nevojë për lutjen dhe mbështetjen tonë.

 


Current track

Title

Artist