MEDITIMI I DITËS – THJESHTËSIA E FËMIJËS

Written by on August 12, 2017

Mt 18, 1-5.10.12-14 THJESHTËSIA E FËMIJËS

 

Kërkoj hirin: që të pranoj shpirtin e thjeshtësisë së fëmijës që është kusht për hyrje në Mbretërinë e Qiejve!

 

1 Në atë kohë, nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Kush, pra, është më i madhi në Mbretërinë e qiellit?”

Pyetja që i mundon nxënësit është vazhdimisht e pranishme në ne: kush është më i madhi, më i nderuari, më me ndikim në bashkësinë time, në vendin e punës, në shoqatë… Dhe kështu i formojmë listat e njerëzve më të suksesshëm, më të bukur, më të njohur në të gjitha sferat. Këtë gjë, fatkeqësisht, e vendosin edhe në kopshtet e fëmijëve duke i edukuar fëmijët që të luftojnë për vendet dhe çmimet e para. Gjithkund rreth nesh është e pranishme nevoja për lëvdata, vlerësime, suksese… Bota jonë është vend në të cilin garojmë duke bërë rolet më të mira të mundshme qoftë edhe si aktorë.

2 Atëherë Jezusi thirri një fëmijë, e vuri para tyre 3 e u tha: “Përnjëmend po ju them: nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit. 4 Prandaj, kush e përul vetveten e bëhet i vogël si ky fëmijë, ai është më i madhi në Mbretërinë e qiellit. 5 Dhe kushdo e pranon në Emër tim një fëmijë siç është ky, ai më pranon mua.”

Çfarë kthimi! Zotëria me të vërtetë është mësuesi i befasive ose i të pamundurës, siç e quajti Sharl De Fuko. Më i madhi nuk është më i dituri, më i afti, më i pasuri, më i forti. Këtu janë kriteret dhe masat tona për të zgjedhur më të madhin.

Jezusi në mesin e nxënësve e vendos fëmijën. Mund ta paramendojmë se si ndihet ky fëmijë në mesin e të rriturve, njerëzve serioz dhe me mjekra. Në të njëjtën mënyrë mund të paramendojmë se si njerëzit e befasuar e shikojnë të çuditur këtë djalosh se si rri në mes tyre, pothuajse i humbur, dhe nuk di çfarë të bëjë me vetveten. Jezusi thotë: më i madhi është më i vogli ose më i vogli është më i madhi! Kjo do të jetë rregulla e të gjitha bashkësive tona. Ky është ideali, mirëpo, ne e dimë mirë se sa larg jemi prej tij dhe sa vështirë e realizojmë. Dashuria e fëmijës dhe besimi i tij i paskajshëm duhet të jenë shembull për ne. Secili në thirrjen ose në zanatin e vet ka mundësi të mendojë sipas gjendjes që ka për këtë skenë dhe për këtë thirrje të Jezusit: kthehuni, jini si fëmijët, jini të përvuajtur si fëmijët. Të pranosh në këtë mënyrë një fëmijë do të thotë ta pranosh Jezusin. Ai njëjtësohet më me të vegjlit dhe kërkon prej nesh që të tillët t’i pranojmë dhe në ta, ta shikojmë atë. Ky është themeli në të cilin duhet të pushojë secila bashkësi dhe secili bashkim: nderimi i secilit njeri, në mënyrë të veçantë i atyre që janë më të pambrojtur, që këtu i simbolizon fëmija. Vetëm në lutje të sinqertë kam mundësi të shoh sa janë të pranueshme këto kërkesa të Jezusit në jetën time dhe të lutëm që t’i përvetësoj.

10 “Ruajuni se përbuzni ndonjë prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them: engjëjt e tyre në qiell shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim qiellor. [11]

Qortimi i ri sjell befasinë e re. Ata që janë të parëndësishëm në sytë e botës në sytë e Hyjit janë të rëndësishëm dhe me vlerë. Hyji i do të gjithë dhe të gjithë i pranon. Këtë gjë e kërkon edhe prej nesh. Nuk guxojmë ta nënçmojmë asnjë njeri, asnjërin nuk guxojmë ta nëpërkëmbim.

12 Ç’ju thotë mendja? Po pati ndokush njëqind dele dhe po i treti njëra prej tyre, a nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në mal e nuk shkon për të kërkuar atë që i treti? 13 Dhe, po ia doli ta gjejë, për të vërtetë po ju them: për atë gëzohet më tepër se për nëntëdhjetenëntë të tjerat, që nuk i humbën.

Me këtë shëmbëlltyrë të shkurtër Jezusi përsëri e thekson vlerën dhe rëndësinë e secilit person. Pikërisht ai që ka humbur dhe që është në vështirësi ka nevojë që t’i tregojmë kujdes më të madh. Sa fisnike dhe sa të shëndosha do të ishin të gjitha bashkësitë tona po ta jetonin këtë shëmbëlltyrë të Jezusit!

14 Kështu as Ati juaj që është në qiell nuk do të tretë asnjë ndër këta të vegjlit.

Ky është kulmi i të gjithave që Jezusi deshi t’i thotë duke u përgjigjur në pyetjen e nxënësve me këtë shëmbëlltyrë. Ati kujdeset për secilin prej nesh. Sado që të tjerët na konsiderojnë të pavlerë dhe të paaftë, të vegjël dhe të dobët, ne jemi të vlefshëm në sytë e Hyjit. Të njëjtën vlerë e kanë edhe ata të cilët ne i shohim si të panevojshëm dhe të pavlerë.

Të falënderoj, o Zot, që na do të gjithëve. Të falënderoj që nuk e përjashton asnjë prej dashurisë dhe zemrës sate. I vogli dhe i madhi, i pasuri dhe i varfri, i dituri dhe i padituri, i forti dhe i dobëti, të gjithë janë të tutë. Mirëpo ti angazhohesh më shumë për ata që janë të rrezikuar, këta janë të vegjlit, të varfrit, të paditurit dhe të dobëtit. Ata të tjerët, «të mëdhenjve», ata gjithmonë janë mirë së paku në sytë e kësaj bote, edhe pse në të vërtetë edhe ata pranë të gjithave e ndjejnë veten të dobët dhe të rrezikuar.

 

 


Current track

Title

Artist