Shenjti i ditës: 15 gusht – Të Ngjiturit e Marisë Virgjër në Qiell

Written by on August 12, 2017

Shenjti i ditës: 15 gusht – Të Ngjiturit e Marisë Virgjër në Qiell


Më 1 nëntor 1950, Piu XII shpalli Të Ngjiturit e Marisë në Qiell me këto fjalë: «Vendosim që të jetë dogmë e zbuluar prej Hyjit që e papërlyera Nëna e Zotit përherë Virgjër, pasi e përfundoi jetën tokësore, u ngrit në lavdinë e qiellit me korp e me shpirt». Në këto fjalë të shkurtra përmblidhen tri të vërteta të mëdha: Të Nxënët e pamëkat, amësia hyjnore dhe virgjëria e përhershme e Marisë. Vdekja hyri në botë me mëkat, Maria ishte e përjashtuar prej tij. Që këtu lavdia e paralajmëruar e trupit të saj me Të ngjiturit si përgjigje e të nxënit të pamëkat, është shfaqje e një dashurie të njëjtë e cila bashkon Birin me Nënën. Integriteti trupor, që ka të bëjë me misterin e amësisë hyjnore, u zgjat në jetën e Marisë, dhe u përmbush me Të Ngjiturit. Nuk është ngjitje, sepse vetëm Krishti është ngjitur është qiell për virtyt të tij. Maria është tërhequr nga dashuria e Birit, gati në një ekstazë që vetëm e ka hijesuar vdekjen në sytë e apostujve, të caktuar, siç thotë tradita, në Efes, ku Nëna e Jezusit banonte me Gjonin apostull.

Kështu Maria, në triumfin përfundimtar të dashurisë së Birit, ka marrë pjesë «në virtytin e ringjalljes së tij»; meqenëse ajo i kishte përmbushur në vetvete lumturitë në mënyrën më të përkryer, fitoi me të drejtë të plotë «mbretërinë e qiejve», atë trashëgimi të gëzimit të pakufishëm, drejtësisë, mëshirës, paqes dhe vizionit lumturues («lum ata që janë të pastër në zemër sepse do ta shohin Hyjin»). «Të Ngjiturit», shkruan kardinali Suenens, «është, në sintezë, një predikim i qëllimit të fundit, një vizion i pasur me imazhe. E dimë se shpirti është në vetvete i pavdekshëm dhe mbijeton pa trupin dhe që, para ringjalljes përfundimtare, e njeh gëzimin e vizionit lumturues. Por hyjnizimi marian na kujton se nëse thelbi i një gëzimi të tillë nuk mund të rritet, do të ketë, megjithatë, një jehonë trupore, një shndritje në trup, atëherë kur ringjallja e trupit do të përmbushet apo do të paraprihet si te Maria».


Current track

Title

Artist