Shenjti i ditës: 13 gusht – Shenjtërit Ponciani dhe Hipoliti, papë e meshtar, martirë (+235)

Written by on August 11, 2017

Shenjti i ditës: 13 gusht – Shenjtërit Ponciani dhe Hipoliti, papë e meshtar, martirë (+235)

Fakt i pazakontë në historinë e shenjtërve, sot kalendari liturgjik përkujton njëherazi një papë dhe një antipapë. Hipoliti, meshtar romak, ishte një teolog dhe predikatar i lexuar dhe i dëgjuar, me gjithë papajtueshmërinë e tij për të mbrojtur traditat e vjetra kishtare. Është i njohur traktati i tij Tradita apostolike, i cili na lejon të njohim përdorimet dhe kremtimet liturgjike në Kishën e parë. Ky meshtar i ngritur dhe i rreptë nuhaste herezi në çdo përpjekje për novacion, kështu arriti të shpallte heretik vetë papën Shën Zefirinin dhe diakonin e tij, Kalistin. Dhe kur ky i fundit u zgjodh papë në vitin 217 nuk ngurroi t’i kundërvihej, duke pranuar se ishte emëruar në vendin e tij, pavlefshmërisht, nga ndjekësit e tij. Nuk hoqi dorë nga skizma as gjatë pontifikatit të Urbanit I dhe të shën Poncianit. Ndërkohë edhe në perandori gjërat shkonin keq.

I urti Aleksandër Severi u vra në Gjermani nga legjionarët e tij. Pas tij erdhi Maksimi trak, i cili i ribëri ediktet e vjetra persekutuese kundër të krishterëve. Dhe meqë në Romë mbanin selinë apostolike dy papë, i dërgoi të dy në mërgim në Sardenjë. Ponciani është papa i parë i internuar dhe i pari që hoqi dorë me dëshirë nga detyra e lartë që të krishterët e Romës të mos ishin të privuar nga bariu i tyre. Në vendin e tij u zgjodh papa grek Anteri. Ky veprim duhet të ketë mallëngjyer shokun e mërgimit, Hipolitin, i cili u pajtua me bariun legjitim në kohën e dobishme për të siguruar një vend nderi në librin e artë të martirëve. Hipoliti, siç lexohet në epigrafin kushtuar nga papa Damasi «në kohën kur shpata shqyente kraharorin e nënës Kishë, ndërkohë që besnik ecte drejt mbretërisë së shenjtërve» kush e pyeste se cilin bari të ndiqte, i tregonte si udhëheqës papën ligjshëm, «dhe për këtë shpallje feje meritoi të ishte martiri ynë». Papa dhe antipapa i penduar morën kurorën e martirizimit.


Current track

Title

Artist