MEDITIMI I DITËS – MARR KRYQIN

Written by on August 10, 2017

Mt 16, 24-28 MARR KRYQIN

 

Kërkoj hirin: që të kem fuqi ta marr kryqin tim e të shkoj pas Jezusit.

 

Në atë kohë, 24 Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje! 25 Sepse, kush do ta ruajë jetën e vet, do ta bjerrë, kurse ai që e bjerr për shkak timin, do ta gjejë.

Pas shpalljes së parë të mundimeve që ndikoi tmerrshëm në nxënës dhe e tronditi rëndë kuptimin e tyre të misionit të Jezusit, ja qortimet e reja që bënë Jezusi. Ai nuk e ëmbëlson mësimin e vet as nuk ju kërkon falje nxënësve. Ai nuk e detyron askënd për të shkuar pas tij. Përkundrazi tregon butësi të jashtëzakonshme në afrimin e tij. Nderon në plotësi lirin e tyre. Ai thotë: «kush do të vijë pas meje» ky është propozimi që bën Jezusi duke nderuar lirinë e nxënësve. Mirëpo kush përcaktohet dhe niset pas tij duhet t’i pranoj kushtet që janë të nevojshme për të shkuar pas tij. Ecja pas Jezus është e vështirë dhe kërkuese. Prandaj ai iu tërheq vërejtjen nxënësve që tashmë shkuan pas tij se çfarë duhet bërë në qoftë se dëshirojnë t’i mbeten besnik. Ju duhet ta mohojnë vetveten, gjë që është shumë e vështirë. Duhet ta marrin secilën ditë kryqin e tyre, gjë që është shumë e vështirë. Pa këto dy kushte nuk mund të shkojmë pas tij.

O Zot, dëshiroj të vij pas teje. Kjo është zgjedhja ime e lirë. Më ndihmo, të lutem, në dobësinë time. Nuk arrij ta mohoj vetveten dhe aq vështirë e pranoj kryqin. Më ndihmo që ta kuptoj se nuk ka jetë të krishterë as si besimtarë pa vetëmohim dhe pa kryq. Këta janë shinat nëpër të cilat jeta e krishtere «udhëton».

26 Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por humb jetën? E çka mund të japë njeriu si shkëmbim për jetën e vet?

Jezusi vazhdon të flas më tone të fuqishme. Këtu është fjala për jetën. Kjo është gjëja më e rëndësishme që ka njeriu e të cilën e do më së shumti. Vërtetë, çfarë do të jepte njeriu në shkëmbim të jetës? Jezusi flet këtu për humbjen si fitore dhe për fitoren si humbje. Diçka krejtësisht ndryshe nga biseda, logjika dhe matematika jonë. Ky është paradoksi i Ungjillit dhe i ecjes pas Jezusit.

Ky është misteri i kryqit – mysterium crucis. Kjo është dituria e kryqit – scientia crucis. Për këtë të fundit foli në mënyrë të mrekullueshme Shën Edit Shtain që u kthye nga hebraizmi. Ajo këtë gjë e kuptoj më së miri. Kur Gestapo e burgosi në kuvendin e karmelitaneve në Holandë dhe e mori me vete, ia doli që eprores së karmelit t’ia dërgonte një letër të vogël. Në letër mund të lexojmë: «nuk do të ndërmarr asgjë më shumë që të më lirojnë. Jam plotësisht e kënaqur. ‘Scientia Crucis’ mund të arrihet vetëm atëherë kur Kryqi rëndon me krejt peshën e vet në shpatullat tona. Gjithmonë kam qenë e bindur në këtë gjë dhe nga zemra them: ‘Ave Crux, spes unica’ (të falem o Kryq, e vetmja shpresë).» Mes datës 8 dhe 11 gusht 1942 në një furrë të shfarosjes të llogorit për zhdukje në Aushvic, Tereza Benedikta e Kryqit, e bashkoj flinë e vet dhe kryqin me ato të Krishtit.

Në një periudhë tjetër në Paris gjatë studimeve Injaci i Lojoles përsëriste me Françesk Ksaverin fjalinë e Jezusit nga Ungjilli i sotëm: «Ç’dobi ka njeriu nëse fiton…» Françesku në fillim e kundërshtonte dhe nuk kujdesej për fjalët e Injacit. Aq më shumë e përqeshte dhe luante me të. Mirëpo, mendimi sikurse pika e ujit i shporonte thellësitë e Françeskut në të cilat filloj të mendoj ndryshe. U kthye dhe bashkë me Injacin ishte një ndër themeluesit e Shoqërisë së Jezusit, rregullit të ri në Kishë. Më vonë shkoj në misione dhe u bë misionar dhe i shenjtë. Është pajtor i përgjithshëm i misioneve në Kishë.

Ta pranosh kryqin tënd dhe të japësh jetën për Zotërinë, kjo do të thotë ta kuptosh në plotësi Ungjillin e tij dhe vërtet ta jetosh në jetë. Edit Shtain dhe Françesk Ksaveri e kuptuan këtë gjë shumë mirë por edhe më mirë e realizuan në jetë. Për të shpëtuar lejuan që të humbin. Kryqi është mohim i jetës në logjiken e Ungjillit nuk është diçka që shkatërron dhe prish por një gjë që në përfundim jep jetën e vërtetë. Duhet të lutemi shumë dhe ta marrim hirin që këtë gjë ta kuptojmë dhe ta pranojmë.

27 Do të vijë, për të vërtetë, Biri i njeriut në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet dhe atëherë do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre. 28 Përnjëmend po ju them: Disa nga këta këtu të pranishëm nuk kanë për të vdekur derisa ta shohin Birin e njeriut duke ardhur me Mbretërinë e vet.”

Kur në fund, të paraqitet Jezusi me engjëjt e vet, vlerat e vërteta do të shkëlqejnë me shkëlqimin e tyre të vërtetë. Atëherë do të shihet se kryqi ishte vërtetë rruga e arritjes së shëlbimit. Atëherë do të kuptojmë se si dhurimi i jetës për Jezusin dhe për të tjerët ishte mënyra më e mirë për ta pas dhe për ta ruajtur jetën. Atëherë do të kuptojmë sa egoiste ishin dashuritë tona sa të zbrazëta dhe sa pak kuptim kishin ato.

O Zot, më ndihmo që kryqin tim ta pranoj dhe ta mbart. Më jep gatishmërinë që tu shërbej të tjerëve pa interes, që ta shpenzoj jetën time për të mirën dhe për nevojat e të tjerëve. Më ndihmo që të di të vdes që të kem mundësi të jetoj në mënyrë të vërtetë.

 


Current track

Title

Artist