Shenjti i ditës: 7 gusht – Shën Gaetani, meshtar, themelues (1480 – 1547)
Written by Radio Maria on August 5, 2017
Shenjti i ditës: 7 Gusht – Shën Gaetani, meshtar, themelues (1480 – 1547)
Bashkëkohor i Luterit, edhe Gaetani mund të përcaktohet një reformator, por reforma e tij nisi nga poshtë, para së gjithash nga vetvetja, kur si sekretar i Gjulios II dhe protonoter apostolik, i emëruar pas diplomimit in utroque iure në universitetin e Padovës, pati rastin të jetonte afër njerëzve të kuries, pak të kujdeshëm ndaj rregullave ungjillore. Gaetani, i lindur në Thiene nga një familje fisnike viçentine, është një zë i ulët në korin e atyre që kërkonin me ngulm një reformë rrënjësore në Kishë. Preferonte më shumë veprat se sa fjalët. Pasi u shugurua meshtar në moshën tridhjetë e gjashtë vjeçare, e bëri periudhën e mësimit të profesionit në dioqëzën prej nga vinte, në Santa Maria di Malo. Para se të shkonte drejt Jugut, shkoi në Venecia dhe në Giudeka themeloi spitalin e të Pashërueshmëve. Kështu, duke shtegtuar nga shenjtërorja në shenjtërore, u kthye në Romë dhe me ipeshkvin e Chieti, Gianpietro Karafa, i dha jetë Bashkësisë së Teatinëve, emër që buron nga Chieti, Teate Marrucinorum i latinëve. Kishin propozuar përtëritjen shpirtërore të klerit. Një vepër që dukej e paracaktuar të dështonte: pas dymbëdhjetë vitesh jetë, Kongregata e re sapo i numëronte dymbëdhjetë pjestarë.
Fara e mirë do ta jepte njëqindfishin pas vdekjes së themeluesit, i cili për përvujtëri nuk deshi ta pranonte emërimin si epror i përgjithshëm, por ia besoi mikut Karafës. Ndërkohë erdhi prova e vuajtjes së madhe, një pleh i mirë për veprat e Zotit. Lancikenekët në vitin 1527 e bënë tym e flakë Romën dhe nuk e kursyen Gaetanin e butë i cili u torturua dhe u hodh në burg. Kur doli u kthye në Venecia. Pastaj, me urdhër të papës Klementit VII, iu desh të shkonte në Napoli. Është në këtë qytet që Gaetani i përdori të gjitha forcat e tij me nisma të ndryshme, jo vetëm me karakter fetar. Themeloi Malin e Mëshirës, nga i cili lindi Banka e Napolit. Dhe venecianëve që e kërkonin me ngulm në qytetin e tyre iu përgjigj thjeshtë duke thënë se Hyji ishte si në Napoli ashtu edhe në Venecia. Pas vdekjes së tij, Karafa u zgjodh papë me emrin Pali IV, dhe falë mësimit të shenjtit, u tregua në lartësinë detyrës së një reformatori të vërtetë, Gaetani u kanonizua në vitin 1671.