Shenjti i ditës: 5 gusht – Kushtimi i bazilikës së Shën Marisë së Madhe
Written by Radio Maria on August 4, 2017
Shenjti i ditës: 5 Gusht – Kushtimi i bazilikës së Shën Marisë së Madhe
Është Kisha më e rëndësishme mes kishave të panumërta të kushtuara Virgjërës nga përshpirtëria e të krishterëve në të gjithë botën, e katërta ndër bazilikat patriarkale të Romës, pas shën Gjonit në Laterano, Shën Pjetrit e shën Palit jashtë mureve. Quhet edhe bazilikë Liberiane, sepse identifikohet me Kishën e ndërtuar në Eskuilino nga papa Liberi (352 – 366). Sipas një tradite të vjetër ka qenë Virgjëra që e ka dashur dhe që ka treguar vendin ku duhej të lindte. Natën e 4 gushtit, duke iu shfaqur në ëndërr një patrici romak dhe papës, shprehu dëshirën që të ndërtohej një shenjtërore. Mëngjesin më pas një pjesë e kodrës Eskuiliano iu shfaq romakëve e zbardhuar me borë, e cila shkrihej më vështërsi edhe nga rrezet e ngrohta verore. Papa e vërtetoi kështu dëshirën e shprehur nga Virgjëra dhe vetë ai e shënoi në borë perimetrin e bazilikës, e cila do të quhej Sancta Maria ad nives, «Shën Maria e Borës».
Gati të gjitha Kishat e mrekullueshme romake të kushtuara Marisë u ngritën në vende ku kishte një tempull pagan. Emrat më të njohur: Shën Maria e Martirëve në Panteonin e paprekur; Shën Maria e Engjëjve, e nxjerrë nga Mikelangjelo nga tepidarium i Termeve të Dioklecianit; Shën Maria sipër Minervës e ndërtuar në themelet e tempullit të Minerva Calcidica; Shën Maria e Ara Coeli në majën e Campidoglio, qyteza e shenjtë e Jovit. Duket se kisha e vjetër e Santa Maria Maggiore (mbiemri dëshiron të theksojë epërsinë mbi kishat e tjera kushtuar Marisë) është ndërtuar nga papa Liberi në themelet e një tempulli pagan. Një shekull më pas, Siksti III e shembi ndërtesën e mëparshme, duke e përdorur materialin për të rindërtuar kishën me përmasat aktuale në kujtim të Koncilit të Efesit në të cilin ishte shpallur solemnisht amësia hyjnore e Marisë (Siksti III ishte zgjedhur në pontifikat vitin pas Koncilit).