Shenjti i ditës: 2 gusht – Shën Euzebi, ipeshkëv i Vercellit (283 – 371)

Written by on August 1, 2017

Shenjti i ditës: 2 Gusht – Shën Euzebi, ipeshkëv i Vercellit (283 – 371)

Me natyrë të zjarrtë dhe kokfortë (kishte lindur në Sardenjë), Euzebi ipeshkëv, i dashur nga populli për kurajon e tij, kishte shkaktuar armiqsinë e kundërshtarëve të rrezikshëm siç ishin arianët, të shumtë në Italinë e Veriut, dhe të vetë perandorit, që e dërgoi në mërgim në Azi bashkë me Dionigin e Milanos dhe Luciferon e Kagliarit. «Në kthim të Euzebit», shkruan shën Jeronimi që e numëronte natyrisht mes njerëzve të tij të shquar, «Italia e hoqi zinë». Një komb i tërë ishte dridhur për të, shenjë e dukshme e popullaritetit të tij të madh. Ishte ipeshkvi i parë që jetoi në të njëjtën çati me klerin e tij, me një rregull të përbashkët jete dhe me të njëjtin vrull misionar. Do të imitohet disa vite më pas nga shën Agustini në Iponë.

Mik dhe bashkëpunëtor i shën Atanasit të Aleksandrisë dhe i Ilarit të Poitiers, Ezeubi qe një prej autorve kryesor të organizatës së brendshme dhe të jashtme të Kishës, e cila kishte dalë prej pak kohësh nga fshehtësia, nga persekutimi i fundit dhe më i përgjakshëm i Dioklecianit. Si gjithë të rinjtë provincial me prejardhje nga një familje pasur, e kishte lënë shpejt Sardenjën për të shkuar në Romë me synimin e një karriere remunerative pas studimeve të jurisprudencës. Në Romë gjeti fenë. U pagëzua nga vetë papa shën Euzebi, emrin e të cilit e mori, sipas shembullit të libertëve, të cilët për mirënjohje ndaj pronarit nga i cili kishin  marrë dhuratën e lirisë merrnin emrin e tij. Pasi la pas karrierën avokatore, u bë lektor i Kishës së Romës, dmth. meshtar, pastaj ipeshkëv në 345, me seli në Verçeli. Për qytetin piemontez ishte si Ambrozi për Milanon, një bari i zellshëm, i pasur me iniciativa, i interesuar për të gjithë jetën e bashkësisë së krishterë, jo vetëm brenda kufinjëve të ngushtë të dioqezës së tij. Në rast nevoje merrte pjesë në betejat e ndezura teologjike, duke u radhitur gjithnjë mes mbrojtësve të doktrinës së pohuar solemnisht në Nike, për këtë vuajti gjashtë vite burg në Scitòpoli, ku mësoi greqishten dhe përktheu Komentarët e Psalmeve të Euzebit të Cezaresë.

Ungjillëzuesi i parë i madh i Piemontit, avancues i monakizmit në Perëndim, u dallua në Konsilin e Milanos në 355 për kurajon me të cilën i kundërshtoi perandorit arian Kostancit II dhe ndjekësve  të tij të vendosur për të dënuar ipeshkvin Atanasin. «Bëhem unë akuzuesi i Atanasit», tha Kostanci, dhe pasi kundërshtimit se nuk mund të dënohej Atansi i papranishëm, përfundon: «Ajo që unë urdhëroj është ligj. Ose bindeni, ose shkoni në mërgim». Euzebi nuk u bind dhe u mërgua në Scitòpoli, në Palestinë. Tashmë në moshë të kaluar, torturohet, vuan urie dhe nga mërgimi u shkruan besimtarëve të tij: «Me tërbim jo vetëm i tërhequr për tokë, por ndonjëherë edhe me trupin e zhveshur, turma e madhe më ka tërhequr».


Current track

Title

Artist